Me pushime jashtë shtetit, verifikim në TIMS gjyqtarëve

Apr 19, 2011 | 10:24
Spahiu dje në Gjykatën e Korçës

Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, iu foli me tone të ashpra dje gjyqtarëve të Korçës, të cilët, sipas tij, braktisin vendin e punës jo vetëm për shkak të dypunësimit, por edhe për pushime jashtë shtetit.Ndonëse gëzojnë imunitet, ai paralajmëroi se lëvizjet e herëpashershme të gjyqtarëve jashtë vendit do të verifikohen në sistemin TIMS në kufi. Por Spahiu nuk renditi se ç’masa do të merren konkretisht ndaj gjyqtarëve që do të konstatohen se kanë bërë lëvizje të shpeshta jashtë vendit për motive personale. “Zvarritja e proceseve gjyqësore në gjykatat e Faktit dhe të Apelit në Korçë, vjen edhe nga dypunësimi i gjykatësve si dhe braktisja e punës prej tyre, për shkak se ata shkojnë me pushime jashtë shtetit”. Këtë fakt e vuri në dukje në formën e një vërejtjeje nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, gjatë analizës vjetore të punës së Gjykatës së Korçës, që u zhvillua ditën e djeshme. Spahiu u përqendrua në fillim në treguesit pozitivë dhe në rritje të ecurisë së punës së kësaj Gjykate gjatë vitit të kaluar. Por sipas tij, ka shumë çështje problematike, për të cilat Këshilli i Lartë i Drejtësisë do t’i trajtojë për zgjidhje me asistencën e BE-së. Këto çështje sipas tij kanë të bëjnë me vonesat dhe zvarritjen e gjyqeve. “Ka shumë gjykatës të përfshirë në aktivitetet e mësimdhënies, një çështje kjo ende e pastandardizuar dhe që bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë”, u shpreh në këtë analizë Spahiu. Sipas tij, duhet që të mos bjerë ndesh procesi i mësimdhënies së një gjykatësi me punën e tij në sistemin e drejtësisë, duke sjellë zvarritje të proceseve. Një verifikim, që sipas Spahiut, po kryhet nga KLD-ja dhe do të bëhet transparente, ka të bëjë edhe me udhëtimet e gjyqtarëve jashtë shtetit në kohën që ata janë në detyrë. Sipas tij, udhëtimet e tyre për pushime konsiderohen si braktisje e vendit të punës.  “Ne po bashkëpunojmë me policinë si dhe nëpërmjet sistemit TIMS që verifikon daljet jashtë shtetit. Do të nxjerrim gjykatësit që kanë braktisur detyrën pa leje, duke udhëtuar jashtë vendit për pushime”, u Spahiu. Një tjetër problematikë, ishte ajo e nepotizmit në gjykata. “Çështja e nepotizmit që ndeshet edhe në gjykatën tuaj, ku vihen re disa anëtarë që punojnë brenda sistemit, ka bërë që të vijnë me dhjetëra ankesa në KLD, u shpreh më tej Spahiu.

 

KORCE/ GEZIM ASHIMI

© Panorama.al

Te lidhura