
KORÇE – Prokuroria e Korçës kërkoi dje dënimin me 20 vjet burg për nënën që mbyti me duart e saj foshnjën 18-muajshe. Sonila Lumi, e akuzuar për vrasje me dashje të djalit të saj të mitur, e ka pranuar krimin ndërsa nuk ka shfaqur pendesë. Dëshmia e saj tronditëse gjatë hetimit të deritanishëm ka zbardhur edhe skenarin e ngjarjes së rëndë që ndodhi në muajin maj të vitit të kaluar në fshatin Zëmblak të Korçës. 24-vjeçarja tentoi ta paraqiste vdekjen e fëmijës së saj si aksidentale, por hetimet nxorën se foshnja ishte mbytur me duar, bazuar edhe në shenjat që kishin mbetur në qafën e tij. Në momentin e krimit, 24-vjeçarja ka qenë e vetme në shtëpi, pasi i shoqi dhe vjehrri i saj shkonin të kullosnin bagëtitë. Familja Lumi kishte ardhur në fshatin Zëmblak nga zona e Devollit. Ata jetonin me të ardhurat që dy meshkujt e familjes siguronin duke kryer punën e çobanit me bagëtitë e fshatit. Por, jetesa e tyre ka qenë e vështirë, çka mendohet të ketë shkaktuar edhe çekuilibrimin mendor të nënës së re që arriti deri në mbytjen e fëmijës së saj. Gruaja nuk ka shfaqur pendesë as pasi është zbuluar ngjarja e rendë, por as gjatë pretencës së dhënë ditën e djeshme. Madje, pasi dëgjoi kërkesën e prokurorit, pranoi në gjyq që ishte ajo që mbyti djalin e saj. Prokurori i çështjes, gjatë pretencës së tij deklaroi se krimi kishte ndodhur pasi Sonila Lumi nuk duronte dot të qarat e vazhdueshme të djalit të saj. Sipas konkluzioneve të hetimit, fëmija ka qenë në oborr të shtëpisë duke luajtur. Foshnja është bërë pis në rroba dhe ka nisur të qante. Të qarat e tij kanë acaruar të ëmën, e cila e ka goditur fëmijën fillimisht me grushte në gjoks, duke i shkaktuar gjakderdhje. Foshnja ka vazhduar të qajë edhe më shumë nga goditjet, dhe nëna e tij i ka vënë duart në fyt duke e mbytur. Sipas prokurorit, nga autopsia ka rezultuar se fëmija kishte vdekur nga asfiksia pasi është mbytur nga nëna, ndërsa në qafë ka pasur shenjat e gishtave të saj. Pas dhënies së konkluzioneve nga ana e prokurorit, dhe kërkesës për dënimin me 20 vite burgim të Sonila Lumit, seanca është shtyrë për një datë tjetër në të cilën do të paraqiten konkluzionet e avokatit mbrojtës të nënës që vrau fëmijën e saj. Në seancën e djeshme nuk ishte i pranishëm babai i fëmijës së mbytur dhe asnjë familjar tjetër i 24-vjeçares së arrestuar. g.a
1 VIT
më parë, 24-vjeçarja Sonila Lumi mbyti foshnjën e saj. Dyshohet se krimi është kryer në kushtet e një tronditjeje të rëndë psikike. Ajo pranoi krimin pas arrestimit dhe nuk shfaqi pendesë, ndonëse fillimisht tentoi ta konsideronte ngjarjen si aksidentale











