NGA BESIM NDREGJONI 
Sot mbushen 96 vite që Shqipëria iu bashkua kontinentit europian, dhe faktorit ballkanik në një moment historik për kombin shqiptar, konsakrimi juridik e kushtetues, vendosja e sistemit në qeverisjen e vendit, sistemi monarkist me 2 shtator 1928 për ndërtimin e shtetit modern shqiptar.
Mbretëria shqiptare do të kishte një rol të jashtëzakonshëm në ndërtimin e shtetit modern shqiptar, progresiv, ekonomik e kulturor. Mbi të gjitha mbrojtja konsekuente e lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Ballkan, mbas padrejtësisë europiane që i bëri kombit tonë, copëtimi i trojeve në Konferencën e Londrës në vitin 1913.
Okupimi i Vlorës nga italianët, dhe viset e veriut nga serbo-malazezët, e vunë në pikëpyetje pavarësinë e shtetit shqiptar të 1912-tës. Dhe ishte domosdoshmëri kombëtare mbajtja e Kongresit të Lushnjës, por dhe vetë ekzistencën e kufijve të vitit 1913, si dhe lirinë e kombit.
Mbretëria Shqiptare e themeluar 96 vite ma parë ishte shprehje e vullnetit të popullit shqiptar për liri, bashkim të trojeve etnike, në një shtet në rrugën e civilizimit e presporitetit.
Mbretëria Shqiptare lindi si domosdoshmëri europiane e kohës, dhe si simbol i unitetit të shqiptarëve që ishin copëtuar në disa shtetet ballkanike, duke u shkëputur nga toka mëmë.
Në atë Europë, të trazuar dhe aspak dashamirës ndaj shqiptarëve, Shqipëria nxori një personalitet të shquar politik, e historik, të shekullit njëzet shtetformuesin e madh Ahmet Zogun që u konfirmua në fron nga Asambleja Kushtetuese si pasardhës i Gjergj Kastriotit me emrin mbretëror Zogu i Parë. Ai vinte nga një familje fisnike nga më të vjetrat e kombit dhe me kontribute ndaj vendit të tij për më shumë se pesë shekuj. Gjyshi i tij Xhemal Pashë Mati ishte një ndër protogonistët e drejtimit të Lidhjes së Prizerenit, dhe një atdhetar e patriot që rreshtohej me Abdyl Frashërin, Imer Prizerenin, Sulejman Vokshin, e Iljaz Pashë Dibrën.
17 vjeç në emër të krahinës së Matit Ahmet Zogu do të firmoste në Vlorë, aktin e pavarësisë së Shqipërisë dhe garantoi Ismail Bej Vlorën babain e pavarësisë se do të bëjë beteja, pa kompromis në mbrojtje të saj.Ky atdhetar i shquar do të organizonte Kongresin e Lushnjës, do ta mbronte atë kongres nga sulmet e pushtuesve që kishin ndarë Shqipërinë në copa.
Pas marrjes së detyrave nga ai kongres ky shqiptar i madh, me guxim e trimëri të pashoq do të nisej drejt Tiranës duke e bërë Kryeqytet të Shqipërisë, dhe duke i siguruar qeverisë së Sulejman Delvinës që të zbatonte programin e Kongresit të Lushnjës.
Karriera politike e Ahmet Zogut është brilante, betejat e tij shtetformuese me aksionet politike, ushtarake, ai arriti që autoriteti i qeverisë të shtrihej në të gjithë territorin e vendit, duke shtypur lëvizjet seperatiste, të organizuar e paguar nga shtetet fqinje që nuk ia donin të mirën Shqipërisë, dhe garantoi kufijtë shtetërorë, duke e detyruar Lidhjen e Kombeve të njihte shtetin shqiptar.
Ministër i Brendshëm, 1920, Kryeministër, në vitet 1922-1924, President i Republikës 1925-1928 dhe Mbret i Shqiptarëve 1928-1939 ka gjurmë të ndritura e të pashlyeshme në historinë moderne shqiptare.
Është antihistorike që përdorin bolshevikët e Enver Hoxhës, se Ahmet Zogu kishte ambicie të shfrenuara karrieriste dhe donte të bëhej Mbret me çdo çmim.
Mbreti, Zogu i Parë e përdori sistemin monarkist me orientimin e Shqipërisë drejt modelit qeverisës e mënyrës së jetesës me vendet e civilizuara të Europës Perëndimore.
Fatkeqësisht diktatura, dhe ideologët bolshevikë shqiptarë, kanë anatemuar dhe shtrembëruar për gati 80 vite me propogandë antishqiptare, duke ngritur si heroizëm rebelimin antikombëtar të Haxhi Qamilit, një mbeturinë e falangave filoturke, dhe duke i shërbyer tradhtisë së qeverisë së Durrësit që kishte qëllim antishqiptar të krijonte një shtet vetëm si Shqipëri e mesme.
Parimi: Atdheu mbi të gjitha
Historia e tij politike na rrëfen krejt të kundërtën e asaj që trumbetojnë falangat e diktaturës komuniste. Qëndrimi i tij në përkrahje të Princ Vidit, dorëheqja e tij si Kryeministër në vitin 1924 me grushtin e shtetit të bërë nga admiruesit e bolshevizmit të atyre viteve të ashtuquajtur revolucion demokratik, me pikëpamje ideologjike që dëmtonin shtetin e sapoformuar shqiptar.
Sjellja e tij prej politikani, patrioti e burrështetasi të madh u tregua kur iu bë atentat në parlament kur me qetësinë dhe largpamësinë e tij tregoi qartë, se ai mbi çdo gjë tjetër vinte interesat kombëtare dhe ishte dishepull i shtetit komb.
Ai gjatë gjithë karrierës politike nuk ka marrë pushtete me dhunë dhe armë siç bënin kundërshtarët e tij, por vetëm me votë dhe me ligje demokratike perëndimore.
Me 24 dhjetor 1924 ai diti t’i japë fund rebelimit majtist dhe më të drejtë fitoi epitetin shpëtimtar i kombit.
Stabiliteti i plotë politikë , progresi i shpejtë ekonomik e kulturor që pati gjatë periudhës presidenciale, koha e thirri atë si personalitetin më të shquar të ulej nëfronin mbretëror.
Me të drejtë kundërshtarët e tij politikë, si Fan Noli, Faik Konica, e mbi të gjitha Sejfi Vllamasi, do ta çmonin kontributin e tij, dhe do të deklaronin se po mos të ishte Ahmet Zogu ekzistenca e shtetit shqiptar do të ishte në pikëpyetje. Prandaj ai rreshtohet me figurat e ndritura të kombit, si Skënderbeu që na dha emrin dhe dinjitetin si Shqiptar. Drejtuesit e lidhjes së Prizrenit që mbrojtën dhe ndërkombëtarizuan çështjen shqiptare në Ballkan, Pavarësinë e Shqipërisë që e udhëhoqi plaku i Vlorës Ismail bej Vlora, dhe ndërtimin e shtetit shqiptar nga i madhi dhe i pavdekshmi Ahmet Zogu.
Mbretëria shqiptare, jetoi vetëm një dekadë, e la vulën e vetë të pashlyeshme historike.
Mbretëria moderne paralmentare e konfirmuar jo vetëm nga vullneti i popullit, por dhe e mbështetur në statusin juridik. Ajo nuk lindi si një kurorë tiranike, por si një mbretëri moderne dhe i detyruan fuqitë e mëdha ta njihni si një principatë e pavarur neutrale dhe nga aktet e Kongresit të Lushnjës, të cilat krijuan Regjencën apo Këshillin e Shtetit me atribute e një Regjence mbretërore që fuqitë e mëdha i njohën që vitin 1913.
Mbretëria shqiptare i tregoi botës se çfarë është në gjendje të bëjë një kombe i lirë kur thyen prangat e robërisë, ndërtoi shtetin e së drejtës sipas modelit më të përparuar europian: Arsim Kombëtar mbi baza laike; Kodi Penal dhe Civil që garantonte barazinë e shtetasve para ligjit; Legjislacion model për komunitetet fetare; U garantua me ligj të drejtat e gruas. Një administratë shtetërore model; U krijua Banka Kombëtare dhe garantimi i monedhës kombëtare me lingota ari.
Të gjitha këto arritje historike u ndërtuan për një dekadë 10-vjeçare. Sot klasa politike që e përbuz mbretërinë, pasardhës e barbarëve komunistë, ka mbi tri dekada që nuk ndërton shtet të së drejtës dhe nuk ka një kushtetutë të qëndrueshme.
Prandaj shqiptarët janë krenarë për mbretërinë e tyre dhe për Mbretin Ahmet Zogu. Me të drejtë shkrimtari i madh Ismail Kadareja do të deklaronte për mbretërinë shqiptare se po mos ta pushtonte fashizmi Shqipërinë, Ahmet Zogu do ta bënte Shqipërinë një Zvicër të dytë të Europës.
Qëndrimi ndaj Mbretërisë është një vijë demarkacioni mes patrioteve dhe atyre që e duan atdheun, dhe sunduesve që e duan Shqipërinë për ta zhvatur.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al











