Maxhoranca: Deputetët e PD: Duhen ndryshime në Qeveri

Jun 16, 2012 | 11:46

Nga nje mbledhje e Qeverise

Flasin deputetët Lajla Përnaska, Kreshnik Çipi, Ismail Hoxha, Astrit Bushati e Luçiano Boçi: Të maksimizojmë votat për 2013.

Anëtarët e Grupit Parlamentar, Çipi, Përnaska, Hoxha, Bushati e Boçi kërkojnë rifreskim të kabinetit.

Deputetët e Partisë Demokratike kërkojnë ndryshime në qeveri për t’i dhënë një tjetër shtysë punës së kabinetit kur ka ngelur edhe një vit nga zgjedhjet e 2013-s.
Të kontaktuar nga gazeta “Panorama”, Kreshnik Çipi, Lajla Përnaska, Ismail Hoxha, Astrit Bushati dhe Luçiano Boçi flasin për lëvizje në Ekzekutiv pas zgjedhjes së Presidentit. Deputeti i qarkut të Vlorës, ish-futbollisti i njohur Çipi, shprehet se për të arritur maksimalizimin e votave në fushatën e ardhshme zgjedhore duhet të ketë lëvizje në kabinet. “Për të maksimalizuar votat duhet patjetër që të ketë ndryshime në qeveri. Është mirë që të ketë një rifreskim. Qëllimi është që të marrim më shumë vota në zgjedhjet e vitit 2013. Sa i përket pyetjes suaj për drejtuesin e Ministrisë së Brendshme, siç deklaroi pak ditë më parë edhe kryetari i Grupit Parlamentar, zoti Patozi, unë mendoj se ky dikaster duhet të vazhdojë të drejtohet nga një përfaqësues i Partisë Demokratike”, tha Kreshnik Çipi për gazetën.
Në të njëjtën linjë është edhe deputetja e Tiranës, ish-kandidate për të marrë drejtimin e Degës së kryeqytetit. Ajo thotë se në selinë blu ka ende kapacitete që nuk kanë treguar ende aftësitë e tyre në qeverisje. “Unë i besoj dinamizmit të qeverisë, që përfshin edhe ndryshim emrash. Pa diskutim që duhet të ketë edhe ndryshim emrash. Në logjikën time nuk jam asnjëherë në status-kuonë e gjatë, përkundrazi, besoj që edhe ndryshimi i kapaciteteve i jep një dinamikë të re performancës së qeverisë. Unë jam e bindur që brenda Partisë Demokratike ka kapacitete ende të pashpalosura në nivel qeveritar. Kjo është bindja ime”, theksoi Përnaska. Deputeti i qarkut të Korçës, Ismail Hoxha, i pyetur për këtë çështje, e vë theksin më shumë te strukturat e PD-së në prag të zgjedhjeve të ardhshme. “Mendoj se pas pushimeve të verës, Partia Demokratike duhet të rifreskojë strukturat e saj për t’u përgatitur për fushatën e zgjedhjeve të vitit 2013. Ndërkohë, edhe për qeverisjen duhet një impuls tjetër, por kjo i takon Kryeministrit se si do ta zgjidhë formatin dhe mënyrën e saj. Çështja është që ne duhet të kemi një impuls tjetër mobilizimi, qoftë për të arritur objektivat tona politike, qoftë për t’i motivuar më shumë zgjedhësit tanë. Kur them për institucionet, nuk e kam fjalën vetëm te ministrat, por edhe te institucionet që janë në bazë. Sigurisht që ka nevojë”, thotë Hoxha. Ndërsa Astrit Bushati, kreu i PD-së së Shkodrës, thekson: “E kam deklaruar që në shkurt nevojën për ndryshime në Qeveri. Këto ndryshime duhen për rritjen e performancës dhe angazhimit për reformat. Ndryshimet duhet të përfshijnë edhe dikasteret e aleatëve”. Deputeti i qarkut të Elbasanit Luçiano Boçi thekson se është Kryeministri ai që vendos për punën e ministrave, teksa shton se ndryshimet janë pjesë e ritmeve të reja të qeverisjes. “Ndryshimet e supozuara dhe të kërkuara në deklarata të ndryshme të përfaqësuesve të maxhorancës janë pjesë e natyrshme e kërkimit të ritmeve të reja qeverisëse, larg çdo personalizimi. Ato sjellin dinamika të reja marrëdhëniesh aleance dhe stimulojnë energjitë të fjetura. Gjithsesi, është Kryeministri ai që në bazë të performancës së kabineteve përkatëse, që duhet thënë që në tërësi është e mirë, vendos për rotacione apo për lëvizje më të thella”.

Deputetët e PD
Lajla Përnaska

Unë i besoj dinamizmit të qeverisë, që përfshin edhe ndryshim emrash. Pa diskutim që duhet të ketë edhe ndryshim emrash. Në logjikën e time, nuk jam asnjëherë në status-kuonë e gjatë, përkundrazi, besoj që edhe ndryshimi i kapaciteteve i jep një dinamikë të re performancës së qeverisë. Unë jam e bindur që brenda PD-së ka kapacitete ende të pashpalosura në nivel qeveritar.
Kreshnik Çipi
Për të maksimalizuar votat duhet patjetër që të ketë ndryshime në qeveri. Është mirë që të ketë një rifreskim. Qëllimi është që të marrim më shumë vota në zgjedhjet e vitit 2013.
Ismail Hoxha
Pas pushimeve të verës, PD-ja duhet të rifreskojë strukturat e saj për t’u përgatitur për fushatën e zgjedhjeve të vitit 2013. Ndërkohë, edhe për qeverisjen duhet një impuls tjetër, por kjo i takon Kryeministrit se si do ta zgjidhë formatin dhe mënyrën e saj. Çështja është që ne duhet të kemi një impuls tjetër mobilizimi, qoftë për të arritur objektivat tona politike, qoftë për t’i motivuar më shumë zgjedhësit tanë.
Astrit Bushati
E kam deklaruar që në shkurt nevojën për ndryshime në Qeveri. Këto ndryshime duhen për rritjen e performancës dhe angazhimit për reformat. Ndryshimet duhet të përfshijnë edhe dikasteret e aleatëve.
Luçiano Boçi
Ndryshimet e supozuara dhe të kërkuara në deklarata të ndryshme të përfaqësuesve të maxhorancës janë pjesë e natyrshme e kërkimit të ritmeve të reja qeverisëse, larg çdo personalizimi. Ato sjellin dinamika të reja marrëdhëniesh aleance dhe stimulojnë energjitë e fjetura. Gjithsesi, është Kryeministri ai që në bazë të performancës së kabineteve përkatëse – që duhet thënë që në tërësi është e mirë – vendos për rotacione apo për lëvizje më të thella.

Meta: Duhen ndryshime në qeveri
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, shprehet për ndryshime në qeveri për të pasur një tjetër ritëm. “Kur flas për ndryshime, nuk duhet të kemi në konsideratë domosdoshmërisht se duhet folur për emra. Unë po flas për një axhendë, kërkohet një ritëm më i shpejtë dhe më i lartë. Fqinjët dhe e gjithë bota janë përfshirë nga kriza. Edhe Shqipëria, edhe pse i ka rezistuar krizës globale, nuk mund të themi se është e paprekur, prandaj unë them që javët e ardhshme ne duhet të zgjidhim me shpejtësi 2-3 çështjet kryesore për statusin e vendit, siç është reforma zgjedhore”, tha Meta.

Astrit Patozi: “Ndryshime pas zgjedhjes së Presidentit”
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, tha pak javë më parë se kabineti duhet të rishikohet pas zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit. Sipas tij, “zgjedhja e Presidentit është një moment kulmor për politikën dhe për vendin në përgjithësi. Por, nuk është e atillë saqë e gjithë drama, apo po themi tragjedia, ndodh brenda skenës së Parlamentit duke qenë e kufizuar. Zgjedhja e Presidentit nuk sjell si pasojë ndryshime ekuilibrash, siç mund të sjellin zgjedhjet. Sepse zgjedhjet, qofshin lokale apo të përgjithshme, sjellin ndryshime numrash, përqindjesh, të cilat domosdoshmërisht çojnë në ndryshime të kabinetit. Qoftë kur fiton, qoftë kur humbet. Në këtë rast nuk jemi. T ani më pyesni mua: a do të ishte? Kjo është një pyetje që gjithmonë i bëhet Kryeministrit, që unë do ta shikoja si pozitive dhe jo si një gjë të keqe, nëse Kryeministri do ta gjykonte të udhës”.

Ndriçim Babasi: “Rishikimi i kabinetit, në dorë të Kryeministrit”
I vetmi deputet i kontaktuar nga gazeta që vlerëson me notë pozitive punën e bërë deri tani nga qeveria është deputeti i Fushë-Krujës, Ndriçim Babasi. I rikthyer në Parlament në vitin 2011 pasi u largua Ferdinand Xhaferri që kandidoi për zgjedhjet lokale në Durrës, Babasi thotë se kabineti deri tani ka bërë një punë të mirë, veçanërisht në fushën ekonomike. “Mendoj se qeveria ka punuar mirë deri tani, ka pasur rezultate në punën e saj, veçanërisht në fushën e ekonomisë. Duke pasur parasysh faktin se Europa po vuan nga kriza ekonomike dhe ajo nuk e ka prekur Shqipërinë, kjo vjen pikë së pari nga reformat që ka ndërmarrë kjo qeveri. Derisa ka arritje në këtë fushë, kjo do të thotë që njerëzit nuk e ndiejnë krizën”, shprehet Babasi. Megji-thatë, sipas deputetit të qarkut të Durrësit, është Kryeministri Berisha ai që vlerëson punën e secilit ministër. “Premtimet e bëra në fushatën zgjedhore të vitit 2009 mendoj se janë mbajtur, dhe në këto kushte nuk gjej arsye për të zëvendësuar ministrat. Megjithatë, pavarësisht mendimit tim, është Kryeministri ai që vlerëson nëse një ministër ka bërë një punë të mirë apo jo. Qeveria meriton ndryshime atëherë kur nuk ka arritje apo kur vërehet se nuk ka punuar mirë. Deri tani unë dhe elektorati që përfaqësoj nuk e shikojmë këtë gjë”, shprehet Babasi.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura