Mbase mund të jetë një surprizë, por Amauri është bomberi më produktiv i merkatos së janarit. Ish-juventini ka arritur të realizojë 7 gola për Parmën, duke shënuar më shumë se blerjet, si Alesandro Matri (nga Kaljari te Juventusi), Xhampaolo Pacini (nga Sampdoria te Interi) dhe Antonio Floro Flores (nga Udineze te Xhenoa). Golat e tij në 11 ndeshje kanë rezultuar me shumë peshë për fatin e formacionit verdheblu, pasi me to, ai i ka dhënë një qetësi konkrete Parmës, për të siguruar qëndrimin në Serinë A sivjet. Kjo ka bërë që në klubin emiljan, presidenti të këmbëngulë në Torino për blerjen e tij, por Juventusi në parakontratë me Parmën ka theksuar se kërkon 7 milionë euro.











