Mashtroi me vizat angleze, dënohet profesori i Muzikës

Apr 19, 2011 | 10:18

TIRANE – Gjykata e Tiranës zbardh vendimin që dënoi me një vit burg për mashtrim Enkel E., profesorin e Muzikës, të arrestuar dy ditë më parë. Sipas vendimit të dhënë në mungesë për të në ditët e fundit të marsit të këtij viti, ai kishte mashtruar një shtetase duke i marrë 9 mijë euro. Shumën e parave ia kishte premtuar në këmbim të një vize drejt Anglisë për djalin e saj. “I pyetur rreth akuzës gjatë fazës së hetimeve paraprake, i pandehuri Enkel E. e ka pranuar akuzën dhe ka deklaruar se ishte një veprim i gabuar nga ana e tij. Ai gjithashtu deklaroi se e ka gënjyer të dëmtuarën B. K. se e motra e tij punonte në Ambasadën Angleze dhe se ajo mund t’i siguronte vizën, por një gjë të tillë e ka bërë për t’i marrë paratë asaj, pasi nuk kishte para. Ai gjithashtu ka deklaruar se më datë 08.07.2010 i kishte kthyer një pjesë të parave shtetases B. K. dhe shumën e mbetur do t’ia kthente shumë shpejt”, thuhej në arsyetimin e vendimit të gjykatës. Bëhet e ditur se Enkel E. është përfshirë edhe njëherë tjetër në një skemë mashtrimi. Të “prekurit” e atij rasti e kanë gjymtuar profesorin duke i prerë një gisht teksa e mbanin peng, vepër për të cilën po gjykohen te Krimet e Rënda. ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura