Mashtrim e falsifikim, pranga zyrtarit të Komisariatit nr.1

Apr 8, 2011 | 11:44

TIRANE – Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Tiranë arrestoi mbrëmë një zyrtar të Komisariatit nr.1 të policisë, i cili akuzohet se ka kryer veprat penale “falsifikim dokumentesh” dhe “mashtrim”. Drejtoria e Policisë së Tiranës, me anë të një deklarate njoftoi mbrëmë se specialistët e Drejtorisë së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm kryen arrestimin në flagrancë të punonjësit të policisë Altin Nazmi Jashari, 49 vjeç, lindur në Dibër e banues në Tiranë, me detyrë komandant toge pranë Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë. Sipas policisë, arrestimi i zyrtarit të Komisariatit nr.1 është bërë pas një periudhe disamujore hetimi nga specialistët e Drejtorisë së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe Njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës. Gjatë këtij hetimi, mësohet se janë përdorur metodat speciale të kërkimit dhe marrjes së provës. Veprimet hetimore të përbashkëta mes SHKB dhe Prokurorisë, kanë arritur të dokumentojnë disa raste, kur komandanti i togës në Komisariatin nr.1, Altin Jashari u ka marrë para shtetasve të cilëve u premtonte diploma shkollore dhe më pas i nxirrte ato të falsifikuara. Përveç premtimeve për diplomë, oficeri i policisë mësohet se u ka premtuar disa qytetarëve edhe punësim falë dokumenteve të tilla. Pas informacioneve të marra në rrugë operative mbi veprimtarinë e 49-vjeçarit, SHKB ka nisur hetimet dhe ka referuar çështjen në Prokurori, duke vazhduar hetimin. Ditën e djeshme mësohet se Altin Jashari, komandant toge në Komisariatin nr.1 në Tiranë, është arrestuar teksa ka marrë një sasi prej 80 mijë lekë të reja nga një qytetar, të cilit i kishte premtuar një diplomë dhe më pas punësim mbi bazën e kësaj diplome. Arrestimi i oficerit është bërë në kushtet e flagrancës ditën e djeshme, pasi ai ka marrë shumën e parave nga një qytetar të cilit i kishte premtuar diplomë të rregullt, por që në fakt ka dalë false kur ai kërkoi punë. Sipas ekspertizave dhe verifikimeve, dokumentet që siguroheshin nga komandanti i togës në Komisariatin nr.1 kanë qenë të falsifikuara.

© Panorama.al

Te lidhura