MASH: Dekani i Mjekësisë vijon të jetë në detyrë

Apr 1, 2011 | 12:42
Dekani i fakultetit të mjekësisë, Alfred Priftanji

Ministria e Arsimit është shprehur e rezervuar lidhur me firmosjen e shkarkimit të dekanit të fakultetit të mjekësisë, Alfred Priftanji. Pas shkresës zyrtare dërguar disa ditë më parë në MASH, burime zyrtare pranë saj pohuan për gazetën se do verifikohen të gjitha pretendimet. “Nuk kemi firmosur asnjë shkarkim të dekanit dhe ai vijon të jetë në atë pozicion. MASH do të marrë në shqyrtim të gjitha argumentet e detajuara në shkresën e rektorit dhe më pas do të marrë një vendim zyrtar”, sqaruan burime zyrtare nga ky dikaster. Vetë dekani i fakultetit të mjekësisë, Alfred Priftani, ka zgjedhur edhe sot të mos japë asnjë deklaratë. Një reagim tjetër ka ardhur nga studentët, të cilët ishin të parët që kërkuan shkarkimin e dekanit disa muaj më parë. Sipas lëvizjes studentore që i përfaqëson, çështja e specializimeve vazhdon në mënyrë qesharake për më shumë se një vit dhe situata është e papranueshme. “Ndërkohë që jemi në përfundim të vitit akademik dhe brezi i sapodiplomuar po mendon për provimin e ardhshëm. Është përcaktuar me ligj, që ato duhet të bëhen çdo vit. Dekanati vazhdon të mbetet absolutisht indiferent dhe mosveprues përpara këtyre parregullsive, ndërkohë që nga kjo strukturë pritet të luajë një rol shumë vendimtar në zgjidhjen e problematikave”, thuhet në deklaratën e lëvizjes studentore të fakultetit të mjekësisë. Ata mbështesin vendimin e rektorit të Universitetit të Tiranës për propozimin për shkarkim të këtij drejtuesi, madje e quajnë të vonuar. Rektori i UT, Dhori Kule, deklaroi dje se dekani i fakultetit të mjekësisë duhet të lërë detyrën. Pas shkresës së dërguar në MASH, Kule theksoi se ministria duhet të legjitimojë largimin. “Shkeljet e bëra nga dekani janë më tepër sesa flagrante. Ka shkelje të tilla për të cilat është shprehur me vendim të formës së prerë gjykata, pra, Gjykata e Faktit dhe Gjykata e Apelit ka vendime të formës së prerë dhe dekani nuk ka denjuar të respektojë vendimet e gjykatave, vendimet e rekrutimit të stafit pedagogjik”, tha Kule.

© Panorama.al

Te lidhura