Masakroi fëmijën, banorët: Izolojeni

Apr 1, 2011 | 12:53
Shtëpia e fëmijës së masakruar në Luar të Fierit

Masakrimi gjer në vdekje i 9-vjeçarit Ervin Ndreka nga Fieri nga një person me probleme mendore ka tronditur gjithë banorët e fshatit Dronofosë në komunën Cukalat të Beratit.Autori tashmë i arrestuar, Hysen Sulka, jetonte normalisht në këtë fshat, ndonëse prania e tij paraqiste rrezik serioz për banorët, kryesisht për fëmijët. Burime nga Spitali Psikiatrik i Vlorës bëjnë të ditur se autori i vrasjes së fëmijës është kuruar në këtë spital në vitin 2006. Të njëjtat burime theksuan se 26-vjeçari Sulka ishte paraqitur në spital, për shkak të shenjave të shfaqura të një sëmundjeje mendore. Ai është shtruar vetëm një ditë tek psikiatriku e pasi i është hapur edhe kartela përkatëse, është lejuar të rikthehet në Berat, me kushtin që të merrte mjekimet përkatëse me asistencën e mjekëve të këtij rrethi. Ndërsa ky fakt konfirmohet nga spitali i Vlorës, policia e Beratit bën të ditur se është duke hetuar nëse i riu kishte kartelë mjekësore. Ata do të marrin të dhëna zyrtare nga spitali i Vlorës në lidhje me gjendjen mendore të tij. Gjatë marrjes në pyetje, i riu është shprehur se “e vrava pasi ashtu ma dha mendja për momentin”, çka ka shtuar më tepër dyshimet se 26-vjeçari kishte probleme me shëndetin mendor.
Nga hetimet e kryera nga policia është zbardhur dhe skena tragjike, kur 9-vjeçari Ndreka humbi jetën, pasi u godit nga i rrituri, me një dërrasë në kokë e në trup. Fëmija nga fshati Luar i Fierit, kishte shkuar tek banesa e gjyshërve të tij. Në orët e pasdites së të mërkurës ai kishte dalë për të luajtur me moshatarët e tij, kur papritmas në mes të grupit të fëmijëve ia ka behur 26-vjeçari, që mbante edhe dërrasën në dorë. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se i riu i është drejtuar viktimës, duke e pyetur se nga ishte. “Nga fshati Luar”, i është përgjigjur fëmija. Por nga dëshmitë e dhëna të bashkëmoshatarëve të tij që janë ndodhur në vend, 9-vjeçari është trembur sapo ka parë të riun me dërrasë në dorë. Trembja e fëmijës e ka acaruar akoma më shumë autorin, i cili ka nisur ta godasë atë me dërrasë me të gjithë forcën, në kokë dhe në trup. Fëmijët e tjerë janë terrorizuar nga skena dhe përgjakja e moshatarit të tyre. Ata kanë nisur të ulërasin, ndërsa drejt vendit janë nisur prindërit e tyre. Me shumë vështirësi ata kanë mundur t’ia nxjerrin nga duart të miturin dhe ta nisin atë drejt spitalit të Fierit, duke qenë se distanca ishte më e shkurtër se në spitalin e Beratit. Por fëmija nuk ka mundur t’u rezistojë plagëve të marra në kokë dhe ka gjetur vdekjen. Pas krimit, i riu është larguar menjëherë nga vendi. Policia mbërriti në fshat dhe pasi identifikoi autorin, nisi kërkimet, duke e arrestuar në periferi të fshatit pranë një kodre ku ishte fshehur. Në momentin e arrestimit, ai ka tentuar të sulmojë edhe uniformat blu, nisur dhe nga fiziku i fuqishëm. Pas ngjarjes së rëndë, banorët e fshatit Cukalat ku ndodhi masakrimi i fëmijës, kërkojnë me ngulm që 26-vjeçari të izolohet dhe të largohet që aty.
Në fakt, policia e Beratit ka bërë disa herë thirrje publike tek organet kompetente për rrezikun që shfaqin në këtë qark personat me të meta mendore, të cilët lëviznin lirisht nëpër rrugë. Policia kërkoi me ngulm që të merreshin masa për kurimin e këtyre personave në vende të përshtatshme për ta. Ky apel u bë pas një ngjarjeje tjetër tronditëse në këtë qark, ku vëllai i sëmurë mendor masakroi me sëpatë vëllain e sapomartuar. Por që u përsërit në mënyrë tragjike, duke shënuar viktimë një 9-vjeçar.

Babai i 9-vjeçarit, emigrant në Greqi

Trupi i pajetë i vogëlushit fatkeq është përcjellë dje në orën 12:00 për në banesën e fundit. Familjarët e viktimës, por edhe banorët e të gjithë fshatit Luar e kanë përjetuar mjaft rëndë ngjarjen e dhimbshme, ku fëmija gjeti vdekjen në mënyrën më barbare. Babai i 9-vjeçarit mësohet se punonte prej vitesh në Greqi. Ai ishte kthyer pak ditë më parë pranë familjes së tij, për të qëndruar vetëm pak ditë.

Fëmija u masakrua tek gjyshërit

Vogëlushi 9-vjeçar, Ervin Ndreka, nga fshati Luar i rrethit të Fierit kishte shkuar në Berat të gjyshi i tij. Fëmija kishte dalë të luante me shokët, por 26-vjeçari Hysen Sulka e ka goditur atë për vdekje me një dërrasë. Fëmija u paraqit në spitalin e Fierit pa shenja jete. Mjekët deklaruan se ai kishte marrë plagë të rënda në kokë dhe në trup. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në sy të fëmijëve të tjerë që kanë qenë duke luajtur me viktimën.

Daja i viktimës: Fajin e ka shteti

FIER – Të afërmit e 9-vjeçarit të masakruar nga personi që dyshohet si i sëmurë mendor akuzojnë shtetin për ngjarjen e ndodhur. Sipas tyre, duhej të ishin marrë masa që një person me probleme të shëndetit mendor të mos ishte i lirë nëpër fshat, duke rrezikuar jetën e banorëve apo të fëmijëve. “Nuk e kuptojmë se si një i sëmurë mendor nxirret nga spitali dhe lihet i lirë pa marrë parasysh rrezikun që ai paraqet për jetën e të tjerëve”, u shprehën banorë të fshatit, të cilët janë tronditur nga kjo ngjarje shokuese. “Më tha djali im se ishin të dy bashkë. Më tha që Hyseni e kishte goditur Ervinin me dërrasë. Ne nuk kemi problem me familjen e tij, ne e kemi me mjekësinë dhe me shtetin. Nga kush e kanë marrë firmën që e kanë lënë të lirë? Kërkojmë nga shteti që këta njerëz të izolohen”, u shpreh Tefik Xhaxho, daja i fëmijës së masakruar. Të njëjtin apel bëjnë edhe të afërmit e tjerë të fëmijës.                                            m.r

 

Berat/ DILAVER XHELILI

© Panorama.al

Te lidhura