Masakër në Kolumbi, të paktën 52 të vdekur në përleshjet midis rebelëve të dy grupeve rivale të shkëputura nga FARC! Shkak kontrolli i kokainës

May 28, 2026 | 21:41

Të paktën 52 luftëtarë guerilas janë vrarë në përleshjet midis dy grupeve të armatosura rivale që luftojnë për kontrollin e një zone strategjike, për prodhimin dhe trafikimin e kokainës në Kolumbinë juglindore.

kolumbi

Përleshjet, më të dhunshmet në muajt e fundit, ndodhën në xhunglën e rajonit Guaviare, pranë fshatit Barranco Colorado, tre ditë para zgjedhjeve presidenciale.

Më herët, kryebashkiaku i San Jose de Guaviare i tha AFP-së se numri i të vdekurve ishte 48.

Ministri i Mbrojtjes Pedro Sanchez dhe Ushtria konfirmuan se në zonë po zhvilloheshin luftime, pa dhënë një bilanc të viktimave. Sanchez tha se ushtarët ishin vendosur për të mbrojtur banorët.

Konfliktet përfshijnë dy organizata që u shkëputën nga Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), njëra e udhëhequr nga Nestor Gregorio Vera, i njohur më mirë me nofkën Ivan Mordisco, dhe tjetra e udhëhequr nga Alexander Díaz Mendoza ose Calarca Córdoba.

“Trupat janë aty, të grumbulluar. Duhet t’i largojmë”, tha Willy Rodriguez, kryebashkiaku i San Jose del Guaviare, për AFP-në në telefon më parë. Zona është e paarritshme, tha ai, dhe autoritetet nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë në vendngjarje.

Ekipet e shpëtimit po presin që personat e armatosur t’u japin akses në zonë, e cila ka të ngjarë të jetë e minuar, për të mbledhur trupat.

Viktimat vijnë nga fshati i vogël Pipiral, i cili u përfshi në shkëmbim zjarri dhe është disa orë larg me makinë nga San José del Guaviare, kryeqyteti i provincës.

Në videot e postuara në rrjetet sociale, dëgjohen të shtëna me armë zjarri nga njëra prej shtëpive në zonë.

“Rebelët kanë vetëm një qëllim, ekonominë kriminale, të jetosh nga tregtia e drogës është e paimagjinueshme, është absurde”, tha Ministri i Mbrojtjes, duke folur për Blu Radio. Siç tha ai, për shkak të kushteve të këqija të motit ishte e pamundur të dërgoheshin përforcime ushtarake nga ajri dhe forcat po shkojnë drejt vendit të ngjarjes me rrugë tokësore.

Në provincën e Guaviare, po veprojnë grupe guerile që nuk u pajtuan me marrëveshjen e paqes të vitit 2016 midis shtetit dhe FARC-ut. Ata kanë vendosur një gjendje terrori mbi banorët, duke ndaluar trafikun natën dhe duke kufizuar lëvizjet e tyre.

Një burim ushtarak tha se luftimet filluan të hënën dhe nuk dihet nëse do të vazhdojnë.

© Panorama.al

Te lidhura