Marrëveshja me Kosovën, kusht i BE-së për Serbinë

Apr 28, 2011 | 14:56

Serbia nuk do të marrë dritën e gjelbër të BE-së për hapjen e negociatave për anëtarësim përderisa Beogradi zyrtar nuk bind partnerët evropianë se në Prishtinë ka pasur sukses në arritjen e marrëveshjes për Kosovën.

Aktualisht kjo do të thotë se Serbia deri në fund të vitit mund të presë vetëm statusin e kandidatit, njëri nga hapat e pakthyeshëm në rrugën evropiane – përcaktimi i datës për fillimin e negociatave – edhe më tej është i paarritshëm marrë parasysh se pala serbe dhe ajo shqiptare pas tri raundeve të bisedimeve nuk kanë zgjidhur asnjërën nga çështjet e hapura.

“Zgjerimi është një proces e dialogu proces tjetër, ndërsa detyrimet që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përmbushin është bashkëpunimi i mirë rajonal. Dialogu i Beogradit dhe i Prishtinës për të cilin janë pajtuar të dy palët është pjesë e bashkëpunimit rajonal dhe po qe se negociatat ecin në drejtimin pozitiv, nuk duhet të ketë problem”, ka thënë për gazetën “Blic” të Beogradit, Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton.
Për herë të parë këtë kusht e ka theksuar ish-kryetari i Qipros, Jorgos Vasiliu, duke tërhequr vërejtjen se BE do të fillojë negociatat vetëm pasi Serbia e Beogradi të arrijnë marrëveshje, ose pasi Brukseli të bindet se marrëveshje do të ketë. Deklarata e Vasiliut u bë pasi që shefi i ekipit negociator serb, Borko Stefanoviq, tha se Beogradi zyrtar nuk ik nga mundësia e bisedimeve për ndarje, deklaratë kjo që shkaktoi reagim të ashpër të Prishtinës.

© Panorama.al

Te lidhura