SHKUP- Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso dhe evrokomisioneri për zgjerim, Stefan Fule mbërrijnë sot për vizitë zyrtare në Ohër, në kuadër të turneut treditor në Ballkan. Dy zyrtarët e lartë evropian do të takohen me krerët më të lartë shtetëror, presidentin Gjorgje Ivanov, kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ministrin e jashtëm Antonio Milloshoski, ndërsa janë paraparë takime edhe me përfaqësuesit e partive politike.
Mesazhet për zgjedhje të lira dhe demokratike, implementimi i Marrëveshjes së Ohrit me rastin e 10 vjetorit të saj, kompromisi për kontestin e emrit, dialogu politik dhe reformat do të jenë çështjet kryesore që do të shpalosin Barroso dhe Fule.
“Presidenti Barroso gjatë vizitës së nesërme sidomos do të insistojë për nevojën e një lloj marrëveshje historike midis forcave të ndryshme politike dhe kulturave, me synimin për integrimin evropian të vendit”, deklaroi dje Mikael Karniçing, zëdhënësi i presidentit të KE-së, Barroso. Sipas tij, kjo vizitë ka për qëllim forcimin e përkushtimit të vendeve ballkanike drejt procesit të evrointegrimeve. (Ina)
Sipas tij, me rëndësi është që zgjedhjet e paralajmëruara të zhvillohen në përputhje me rekomandimet dhe rregullat ndërkombëtare dhe të ketë një konsensus midis forcave politike. Barroso dhe Fule pritet të inkurajojnë autoritetet shtetërore të Shkupit për gjetjen e një kompromisi lidhur me kontestin e emrit me Greqinë.
© Panorama.al











