Është rikthyer në Vinçenca të Italisë për një sfidë tjetër, pikërisht për një “wrestling show”, që është dhe profesioni i tij. Marieli, finalisti 23- vjeçar i “Big Brother”, tregon për jetën pas “Big Brother” dhe çfarë mendon tashmë për Mirjetën. Tregon arsyet pse nuk qëndroi me Mirjetën, pse nuk do pushojë me të në Angli dhe si e sheh këtë lidhje tani në largësi:
Fituese u shpall Ermela, si mendon për këtë fitore të saj, a prisje ta fitoje ti “Big Brother”, ose më saktë për cilin nga katër finalistët, ti mendoje se mund të fitonte?
Ermelën e komplimentoj për fitoren dhe i uroj mbarësi dhe një jetë plot gëzim. Them se nga katër që mbërritëm në finale, secili kishte karakteristika të ndryshme, që mund të na bënte secilin fitues të kësaj loje. I jap një falënderim e përqafim publikut dhe fansave të mi, që më kanë mbështetur gjatë gjithë kohës brenda shtëpisë.
A mund të japësh nga një koment për secilin prej finalistëve, si t’u dukën Ergysi, Ogreni, Ermela ashtu siç i njohe nga afër?
Për Ergysin? E çfarë mund të them unë për një vëlla? Ogreni është një djalë i zgjuar e me shumë bagazh, të cilin e kam respektuar shumë brenda shtëpisë dhe kështu do vazhdoj edhe jashtë, pasi për mua është dhe do mbetet një mik i vërtetë. Ermela ishte ajo që dinte të luante lojën e saj dhe siç e thashë më sipër, e komplimentoj për fitoren.
Thua për Ergysin “vëlla”, do të mund ta ruani këtë miqësi në largësi?
Vëllazëria jonë do shkojë edhe më mirë, seç ka ecur në shtëpinë e BB, duke forcuar sa më shumë miqësinë. Largësia nuk do jetë arsyeja që do të ndajë vëllazërinë tonë.
Çfarë planesh ke tashmë pasi je kthyer në realitet, do vazhdosh të jetosh në Itali apo mund të kthehesh në Shqipëri?
Planet e mia janë të shumta, si edhe aktivitetet atje ku jetoj, por në qoftëse më ofrohet diçka në vendlindjen time, pse jo mos të kthehem dhe të jetoj në Shqipëri.
“Ndiej për Mirjetën, por nuk e di sa do zgjasë”
E kishin menduar që do të ishin larg, por e provuan ta jetonin si lidhje brenda shtëpisë. Lidhja Mariel-Mirjeta u vu në pikëpyetje pas deklaratës së nënës së tij, nëse ishte kundër asaj lidhjeje. Gjithsesi, Marieli nuk e ndërpreu lidhjen brenda shtëpisë, duke pohuar vazhdimisht se nuk mundej, pasi për Mirjetën ndiente. Por, si ka vazhduar historia e tyre pas daljes së tij nga shtëpia dhe si do të vazhdojë më tej, Marieli e rrëfen në këtë intervistë.
Mund të na tregosh për takimin me Mirjetën, u takuat dhe a qëndruat bashkë?
Po, me Mirjetën u takuam dhe qëndruam bashkë.
Mirjeta kishte planifikuar që ju të kalonit tri net bashkë. E bëtë realitet këtë plan?
Më vjen keq, por nuk kemi qëndruar tri ditë dhe tri net bashkë, se edhe unë kam qenë shpesh në lëvizje, mes Italisë dhe Shqipërisë për aktivitetët e mia.
Ndërkohë që Mirjeta po vazhdon të qëndrojë në Tiranë, ti je kthyer pranë familjes ne Itali. Cila ishte arsyeja që nuk qëndrove me të në Tiranë?
Arsyeja ime është që unë kam nisur aktivitetin tim të sportit “wrestling”, me të cilin këtë të shtunë, më 16 prill 2011, në Lodi (MI) kam për të mbrojtur titullin kombëtar të Italisë, titull që unë dorëzova para hyrjes në shtëpinë e BB4. Federata ICW nuk ma hoqi titullin, por më ka dhënë mundësinë për të mbrojtur titullin edhe një herë. Kjo është arsyeja pse unë ndodhem në Itali.
Në një program televiziv, Mirjeta ka deklaruar se “do ta marr Marielin për pushime në Angli”. Do të shkosh?
Them se Marieli i ka mjaft 100 ditë pushime. Tani është koha për të ripërveshur mëngët, për të rifilluar aktivitetet e pezulluara gjatë qëndrimit në shtëpinë e BB.
Tani që dole nga loja, të duket se e dashuron vërtet Mirjetën?
Ndjenjat janë dhe kush më ka ndjekur brenda shtëpisë, mendoj që e ka parë sa i kam dhënë unë kësaj lidhjeje.
Sa gjatë e shihni lidhjen me Mirjetën? Mendoni se kjo lidhje do të vazhdojë gjatë?
Këtë përgjigje ia lëmë kohës, pra mendoj t’i japim kohë kohës.
KLOTILDA HARKA
© Panorama.al











