Parlamenti i Maqedonisë do të shpërndahet më 14 prill, në pritje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 5 qershorit. Lajmi u konfirmua nga kryeparlamentari në Shkup, Trajko Veljanovski, pas një konsultimi me grupet parlamentare, ku munguan ato të opozitës së Cërvenkovskit e Buçkovskit. “Mbledhjen për shpërndarjen e Kuvendit do ta caktoj të enjten më 14 prill, ndërsa më 15 prill do të nënshkruaj vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve në përputhje me marrëveshjen paraprake të krerëve të partive politike. Pra, zgjedhjet do të mbahen më 5 qershor”, deklaroi Veljanovski. Kryetari i Parlamentit ftoi opozitën që të marrë pjesë në aktin e shpërndarjes së Kuvendit. Partitë shqiptare në Maqedoni janë shprehur të gatshme për pjesëmarrje në zgjedhje, madje ato pritet të paraqiten më një program të përbashkët për të mbrojtur interesat shqiptare në këtë vend. Ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje zyrtare, por partitë shqiptare kanë deklaruar më parë se programi që ata do të paraqesin në zgjedhje, do të ketë “një gjuhë të përbashkët”, siç nuk ka ndodhur më parë në politikën e partive rivale të etnisë shqiptare në vendin fqinj. Maqedonia po shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare, si pasojë e krizës politike që rezultoi me braktisjen e Kuvendit nga ana e Lidhjes Socialdemokrate.











