Gardiani i burgut të Fushë-Krujës vret me armën e shërbimit emigrantin e sapokthyer nga Greqia.Ngjarja, sipas policisë, ndodhi mbrëmë rreth orës 19:30, në afërsi të shkollës 9-vjeçare të Mamurrasit. Viktima mësohet se është shtetasi Shahin Gjeçukaj, nga ky qytet. Ai ka shkuar në lokal pasi kishte fituar një lotari sportive, por është nervozuar kur i ka gjetur të gjitha tavolinat e zëna. Burime të Policisë së Lezhës, e cila ka në juridiksionin e saj edhe zonën e Mamurrasit, bënë të ditur se autori i kësaj ngjarjeje, 36-vjeçari Alket Hajdari, ka qenë duke lozur me letra bixhozi me disa miq të tij. Duke qenë se ata ishin të shumtë në numër, kanë mbledhur të gjitha tavolinat e lokalit në formë rrethi (në lokal nuk ishin më shumë se 4-5 tavolina), disa prej të cilëve për të parë lojën. Burime të policisë, të cilat u referohen të dhënave të mbledhura nga dëshmitarët në vendngjarje, bënë të ditur se viktima kishte ardhur në lokal bashkë me fletën e lotarisë në dorë. Por, kur ka parë se nuk kishte asnjë tavolinë të lirë, ai ka kërkuar me ngulm që t’i lironin njërën prej tyre. “Dua të ulem dhe të pi. Kam fituar lotarinë. Nuk mund t’i zini të gjitha tavolinat”. Kështu mësohet se është shprehur viktima me ton të larta. Por, rrëmuja që ai ka shkaktuar me të bërtitura ka sjellë edhe reagimin e policit të burgut. Ky i fundit fillimisht është ngritur duke debatuar me të, por më pas i ka kaluar situata jashtë kontrollit duke nxjerrë edhe armën e shërbimit. Policia e Lezhës bëri të ditur mbrëmë se gardiani, baba i tre fëmijëve, ka qëlluar në ajër dhe jo drejtpërsëdrejti viktimën. Por plumbi ka bërë rikoshetë duke e lënë atë fillimisht të plagosur rëndë. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes kanë nxituar ta marrin atë dhe ta dërgojnë në spital, por ai nuk ka mundur t’i bëjë dot ballë plagës dhe ndërroi jetë gjatë rrugës. Ndërsa polici i burgut ka reflektuar për krimin e kryer dhe i është drejtuar postës së policisë së Mamurrasit duke u vetëdorëzuar. Ai u ka pohuar policëve të shërbimit se kishte kryer një vrasje, ndërsa i janë vënë prangat. Blutë i sekuestruan edhe armën me të cilën ai ishte pajisur për të kryer shërbimin shtetëror dhe që kreu vrasjen. Ngjarja ka shkaktuar panik te klientët e tjerë të lokalit, të cilët papritmas janë bërë dëshmitarë të saj. Mësohet se 40-vjeçari ishte kthyer dy ditë më parë nga Greqia për festën e Pashkës. Ai ishte babai i dy fëmijëve.
MAMURRAS/ ROLAND NIKOLLI











