Makina përplaset me motorin, humb jetën drejtuesi 22-vjeçar

Apr 30, 2011 | 9:46
Vendi i aksidentit

SHKODER – Drejtuesi 22-vjeçar i një motoçiklete humbi jetën pas përplasjes së fortë me një veturë në qytetin e Shkodrës. Aksidenti i rëndë shkaktoi dhe plagosjen e një personi tjetër, pasagjer në motor. Viktima është Franklin Arra, banues i lagjes “Skënderbeg” të qytetit të Shkodrës. Ai ishte në timonin e motorit sportiv, tip “Suzuki”, kur u përplas për vdekje me makinën tip “Benz” rreth orës 13:30 të ditës së djeshme, në vendin e quajtur sheshi “Prek Cali”, ndërsa shoku i tij mori disa plagë në trup. Si motori dhe makina tip “Benz 2400” kanë qenë në lëvizje të kundërt me njëra-tjetrën kur janë përplasur fuqishëm. Me gjithë ndihmën e parë dhënë drejtuesit të motorit nga kalimtarët e rastit dhe dërgimit me shpejtësi në Spitalin e Shkodrës, (i cili ndodhet fare pranë vendit ku ka ndodhur aksidenti), mjekët kanë konfirmuar faktin se viktima ka gjetur vdekjen e menjëhershme, për shkak të goditjes së rëndë që ka marrë në kokë. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, pasi ka bërë veprimet e para hetimore, ka shoqëruar në komisariat drejtuesin e autoveturës tip “Benz”, ndërkohë që grupi hetimor është duke punuar për zbardhjen e plotë të shkakut të këtij aksidenti. Nuk është pohuar ende nëse bëhet fjalë për shpejtësi tej normave të lejuara apo për pakujdesi nga ana e drejtuesve të mjeteve. Pas kryerjes së ekspertizës në vendin e ngjarjes, pritet që të jepet përgjigjja për këtë aksident të rëndë që tronditi banorët e Shkodrës mesditën e djeshme.                               r.d

© Panorama.al

Te lidhura