
Një aksident i rëndë i ka kushtuar jetën mjekut 65-vjeçar, Tahir Alku, teksa ai udhëtonte me makinën e tij drejt Tiranës.Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Milot-Burrel, në vendin e quajtur “Sektori C”. Mjeti me të cilin ai po udhëtonte tip “Golf” me targa TR 6403 U, ka dalë nga rruga duke përfunduar në liqenin e Shkopetit, dhjetëra metra poshtë rrugës. Sipas të dhënave të fundit, të konfirmuara edhe nga familjarët e viktimës, Alku udhëtonte i vetëm në momentin e ngjarjes. Ai po kthehej nga qyteti i Bulqizës drejt kryeqytetit. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Komisariatit të Policisë Mat si dhe grupi i ekspertizës. Më pas është thirrur ndihma e polumbarëve për të bërë të mundur nxjerrjen e trupit të Tahir Alkut nga uji. Por kjo ka dështuar për shkak të thellësisë së madhe, ku sipas të dhënave arrinte mbi 22 metër, në të cilën është e pamundur të depërtonte drita. Për këtë shkak, polumbarëve u është dashur të ndërpresin operacionin për ta rinisur atë sërish ditën e sotme.
Rreth orës 12.30 një shofer fugoni me targa të Dibrës ka parë rrëshqitjen e mjetit nga rruga nacionale në drejtim të liqenit. Sipas tij, makina e mjekut ka bërë disa salto, derisa ka rënë në ujë, duke u përplasur me shkëmbinjtë e gurit. Menjëherë ka telefonuar në sallën operative të Komisariatit të Burrelit, duke u shprehur se një mjet ka përfunduar në liqen. Me shpejtësi, efektivët e Policisë së Burrelit dhe më pas forca nga Tirana janë ndodhur në vendin e ngjarjes. Në pjerrësinë e greminës është gjetur dhe një prej targave të makinës që solli identifikimin e mjetit të mjekut kirurg. Fillimisht është menduar se numri i personave që ndodheshin në makinë ishte tre, por pasdite gjithçka është sqaruar dhe është arritur në përfundimin se në makinë ndodhej vetëm mjeku 65-vjeçar, Tahir Alku. Dyshohet se humbja e kontrollit të mjetit, në kushtet e shpejtësisë dhe një rruge të amortizuar, ka shkaktuar aksidentin tragjik. Thuhet se Alku mëngjesin e djeshëm ka lënë turnin e punës në Spitalin e Bulqizës dhe ndoshta një përgjumje i ka shkaktuar atij humbjen e drejtimin të mjetit. Janë pyetur shpejt specialistë e drejtues të Spitalit të Bulqizës dhe familjarë të Alkut dhe të gjithë kanë konfirmuar se ai ka udhëtuar vetëm nga Bulqiza deri në vendin e aksidentit. Mjeku në pension kishte pranuar të punonte në Spitalin e Bulqizës, pavarësisht se kishte dalë në pension. Dje në mbrëmje kërkimet janë ndërprerë për të rinisur përsëri sot. Uji i turbullt dhe thellësia e madhe e liqenit kanë penguar gjetjen e viktimës. Megjithëse kishte dalë në pension, kirurgu Alku kishte nënshkruar një kontratë me Drejtorinë Rajonale të Shëndetit Publik, Dibër, për të punuar në Spitalin e Bulqizës. Ai këtë detyrë e kishte pranuar tre vjet më parë, pas largimit të mjekut tjetër kirurg. Udhëtonte çdo të hënë nga Tirana në drejtim të Bulqizës, kryesisht vetëm. Megjithëse ishte mjek kirurg, ai nuk kishte mjete e pajisje për të kryer operacione të mirëfillta, por kryente ndërhyrje të shpejta në raste aksidentesh. Ishte sistemuar në një nga dhomat e Spitalit dhe trajtohej po në mjediset e tij. Në fund të çdo jave, kryesisht të premteve, ai udhëtonte nga Bulqiza drejt kryeqytetit. Udhëtim i cili ditën e djeshme ka rezultuar fatal për të. h.p/r.n











