Magjia “Mesi”, hesht Madridi dhe Mourinjo

Apr 28, 2011 | 9:24
Nga ndeshja e mbrëmshme Real Madrid-Barcelona 0-2

Lionel Mesi. Magjia e vërtetë e futbollit botëror bën të heshtë sërish “Santiago Bernabeun”, duke shënuar dy gola në sfidën e parë të gjysmëfinaleve të Kupës së Kampioneve.I papërmbajtshëm. Futbollist që bën diferencën në çdo moment, duke nxjerrë nga hiçi gola të paimagjinueshëm. I pari, një prekje e lehtë në zonë, sa për të devijuar një kros të Afelaj, duke i kaluar topin nëpër këmbë Kasijasit dhe i dyti, një perlë e vërtetë: shmang katër futbollistë të Realit e në fund edhe portierin, duke e çuar topin në cepin më të largët të portës. Reali bëri të njëjtën lojë, si në dy ndeshjet e para të zhvilluara ndaj katalansave me një mbrojtje tejet të ngjeshur, duke shfrytëzuar vetëm kundërsulmet. Por, nëse në finalen e Kupës së Mbretit një gjë e tillë funksionoi, mbrëmë Pepe Guardiola i kishte marrë të gjitha masat, duke i fshehur topin Realit në pjesën më të madhe të lojës. Mjaft të vëresh se 72 për qind të kohës topi ishte në këmbët e lojtarëve të Barcelonës dhe vetëm 28 për qind te Reali i Madridit. Për t’u theksuar se edhe në këtë sfidë “merengues” nuk arritën që ta mbyllin me 11 lojtarë. Edhe në këtë takim një lojtar doli me kartonë të kuq dhe ishte radha e portugezit Pepe, i cili la skuadrën me një lojtar më pak që nga minuta e 61-të. Një moment më pas, edhe Mourinjo u dëbua nga stoli i tij për protesta, duke e parë pjesën tjetër të lojës si spektator. Por, hiq sa ndodhi, duhet thënë se trajneri portugez nuk do të jetë në pankinë as në ndeshjen e kthimit, për shkak të kartonit të kuq që mori, ashtu sikundër edhe Pepe e Serxhio Ramos. Ky i fundit u ndëshkua me karton të verdhë duke plotësuar numrin, ndaj është i pezulluar për ndeshjen në “Camp Nou”. Gjithsesi, me këtë rezultat, zor se Reali do të mund të bëjë ndonjë mrekulli. Ndoshta mrekulli do të ishte nëse në sfidën e 3 majit të mos pësonte goleadë nga “armata magjike” e Pep Guardiolës.

Real Madrid-Barcelona    0-2

Shënues: Lionel Mesi 76’, 87’
Kartonë të verdhë: Arbeloa, S.Ramos/ Dani Alves, Maskerano
Karton i kuq: Pepe 61’/ Pinto 45 (nga stoli)

Real Madrid (4-3-3): Kasijas, Marselo, Albiol, Serxho Ramos, Arbeloa, Pepe, Ksabi Alonso, Las Diarra, Di Maria, Ronaldo, Ozil (Adebajor .
Trajner: Jose Mourinjo

Barcelona (4-3-3): Valdez, Pujol, Pike, Maskerano, Alvesh, Keita
Buskets, Ksavi, Pedro (Afelaj 71’), D.Vila (Serxhi Roberto 90’), Mesi.
Trajner: Pep Guardiola

 

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura