LSI futi në garë Hysni Milloshin

Apr 6, 2011 | 9:35

Lëvizja Socialiste për Integrim futi në garën për Bashkinë e Tiranës kryetarin e Partisë Komuniste, Hysni Milloshi.Vendimi i dy ditëve më parë i KQZ-së për të pranuar kandidatin e tretë për Bashkinë e kryeqytetit ka ardhur pas një veprimi taktik të partive të koalicionit “Aleanca për qytetarin”. Sipas Kodit Zgjedhor, një parti mund të propozojë anëtarët për kryetar të bashkisë ose këshillit bashkiak nëse është e përfaqësuar në Parlament ose në njësinë vendore. Në të kundërt, partia duhet të mbledhë firmat e një për qind të zgjedhësve të asaj zone për të kandiduar. Kjo parashikohet në nenin 70 të Kodit, pika 4, ku thuhet se “kandidatët e partive politike për kryetar të njësisë të qeverisjes vendore apo listat shumemërore të partive për këshillat vendorë, përjashtohen nga detyrimi i parashikuar në pikën 3 të këtij neni, nëse të paktën një anëtar i partisë përkatëse zotëron një mandat në Kuvend ose në këshillin, për të cilin partia politike kandidon në zgjedhje. Për qëllim të këtij Kodi, partia politike paraqet një vërtetim me shkrim, të nënshkruar nga institucioni i Kuvendit apo njësia e qeverisjes vendore, ku vërtetohet zotërimi i mandatit”. Partia Komuniste ka marrë në zgjedhje 457 vota në fletën e votimit për anëtarët e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, një numër i pamjaftueshëm votash ky për të fituar një mandat. Në këto kushte, Lëvizja Socialiste për Integrim i ka dhënë Partisë Komuniste një anëtare të saj në Këshillin Bashkiak, për t’i hequr Hysni Milloshit detyrimin të mblidhte 4854 firma në Tiranë. Gazeta publikon sot vërtetimin e nxjerrë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, i cili mban datën 1 prill 2011. “Vërtetojmë se znj. Natasha Lekdushi është anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës, përfaqësuese e subjektit politik Partia Komuniste e Shqipërisë (PKSH), me mandat nga viti 2007-2011”, thuhet në vërtetimin e firmosur nga kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj. Nga një kërkim në faqen elektronike të Bashkisë së Tiranës rezulton se Natasha Lekdushi ka fituar mandatin e anëtares së Këshillit Bashkiak të kryeqytetit në zgjedhjet e vitit 2007 nën siglën e Partisë Socialiste. Ndërkohë, emri i Natasha Lekdushit del edhe në sajtin e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në pozicionin drejtore Politikave të Zhvillimit. Burimet bëjnë të ditur se anëtarja e Këshillit Bashkiak ka kaluar me LSI-në në vitin 2009. Koalicioni i djathtë ka futur në garë për Bashkinë e Tiranës, Hysni Milloshin, me të njëjtën mënyrë si nxori nga gara për Tiranën kreun e LZHK-së, Dashamir Shehi. Për rastin e Shehit, PD-ja i dha LZHK-së deputetin Florjon Mima, duke i lehtësuar punën asaj për të mos mbledhur firmat për të kandiduar në të gjitha njësitë vendore. Si kompensim, Dashamir Shehi hoqi dorë nga kandidimi në Tiranë për postin e kryetarit të Bashkisë.

4854 firma
Sipas Kodit Zgjedhor, për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës, Partisë Komuniste do t’i duheshin 4854 firma. Pas mbështetjes nga
anëtarja e Këshillit Bashkiak,
PK-së nuk i nevojitet mbledhja e tyre

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të miratojë në mbledhjen e sotme modelin e fletës së votimit për kandidatët për kryetar të Bashkisë së Tiranës më 8 maj. Në këtë fletë është përdorur vendosja e emrave të kandidatëve sipas rendit alfabetik, ku i pari është kandidati i Partisë Socialiste dhe koalicionit të majtë, Edi Rama, i dyti kandidati i Partisë Komuniste, Hysni Milloshi dhe i treti kandidati i Partisë Demokratike dhe koalicionit të djathtë, Lulzim Basha

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura