Lituania mbyll sërish aeroportin në Vilnius, shkak balonat nga Bjellorusia! Ja për çfarë dyshohet

Oct 26, 2025 | 22:42

Aeroporti i Vilniusit u mbyll sërish mbrëmjen e sotme (26 tetor), pasi autoritetet lituaneze zbuluan disa objekte që dyshohet të jenë balona me helium brenda hapësirës ajrore të vendit. Ky është incidenti i katërt brenda javës së fundit.

Lituania mbyll sërish aeroportin në Vilnius

Sipas Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Krizave, balonat dyshohet të përdoren për të kontrabanduar cigare nga Bjellorusia, duke kaluar ilegalisht kufirin lituanez nga ajri.

Në rastet e mëparshme, qeveria raportoi se balonat ishin meteorologjike dhe shfrytëzoheshin për të transportuar mallra të paligjshme.

Kryeministrja lituaneze, Inga Ruginienë, paralajmëroi se nëse ky fenomen vazhdon, vendi mund të marrë masa drastike, përfshirë mbylljen e kufirit me Bjellorusinë.

“Nuk është normale që kaq shumë objekte të kalojnë kufijtë tanë. Duhet t’i ndërpresim për të mbrojtur vendet dhe instalimet strategjike,” deklaroi ajo.

Sipas të dhënave zyrtare, vitin e kaluar 966 balona të tilla hynë në Lituani, ndërsa këtë vit, deri më 22 tetor, numri ka arritur 500.

Autoritetet po monitorojnë situatën dhe po marrin masa për të parandaluar përsëritjen e këtyre incidenteve.

© Panorama.al

Te lidhura