Lindja e Mesme në udhëkryq

Mar 25, 2011 | 11:08

ENRI HIDE

Dikur, Tukididi e cilësoi historinë si mësuesin më të dhunshëm të njerëzimit. Kjo shprehje aktualizohet sot mjaft mirë në hapësirën  e Lindjes së Mesme. Mjafton t’i hidhni një sy hartës gjeopolitike të trazirave që kanë prekur këtë rajon, natyrës së këtyre lëvizjeve antiqeveritare dhe korrelacioneve historike që shumë njerëz (kryesisht analistë dhe studiues), rendën t’u bënin ngjarjeve.  Por, në fakt, përveç rasteve të Tunizisë, Egjiptit dhe Libisë, ku situata duket se ka kaluar çdo parashikim, vështirë se mund të përdorim konceptin klasik të revolucionit, por më shumë atë të lëvizjeve me baza të gjera sociale, kundër regjimeve antidemokratike të rajonit. Lista është bërë tashmë vërtet e gjatë: Tunizia, Maroku, Algjeria, Tunizia, Libia, Egjipti, Jordania, Siria, Bahrejni, Jemeni, e ndoshta ndonjë shtet tjetër që mund t’u bashkëngjitet atyre në ditët apo javët në vazhdim, formojnë peizazhin gjeopolitik të trazirave politike e me jehonë sa rajonale aq dhe globale në një hapësirë gjeografike ku bota (e sidomos ajo perëndimore) sot duket e tronditur teksa sheh që stabiliteti që ajo ka kërkuar këta dhjetëvjeçarë, në kurriz të demokracisë, ia ka lënë vendin destabilitetit dhe një mjegullnaje që zor se mund ta parashikosh (përveç fallxhorëve akademikë e për nevoja konsumi publik).
Por, kur tymnaja në Lindjen e Mesme të largohet e kur situatat politike të qetësohen, mbetet për t’u parë konfiguracioni i ri i elitave dhe pushtetit. Mbetet për t’u parë nëse ky konfiguracion, sikurse ai më përpara, do të vijojë ose jo t’u shërbejë, sikundër deri tani, interesave globale. Këtë e themi duke pasur parasysh sidomos interesat energjetike në rajon. Çuditërisht, një nga regjimet ndoshta më shtypës, ai i Arabisë Saudite, po vijon të mos ketë sfidantw seriozë për marrjen e pushtetit. Madje, si për ta bërë edhe më interesante situatën, mjafton të përmendim që këto ditë (ose më saktë që përpara tri ditësh) sauditët kanë ndërhyrë në Bahrejn (burime të ndryshme – kryesisht amerikane bëjnë fjalë për rreth 1000-1500 trupa saudite), për të mbështetur stabilitetin e rendit politik të atjeshëm dhe pushtetin aktual që të mos bjerë.
Nëse përgjithësimet e sipërpërmendura përpiqemi t’i projektojmë më specifikisht në rastin e një shteti, atëherë nuk ka rast më të mirë për ta bërë këtë sesa Egjipti. Ndoshta do të ishte e tepruar të pohonim se Egjipti është mikrografi e Lindjes së Mesme, për shkak të heterogjenitetit të rajonit, por prej diku duhet kapur filli i analizës krahasimore mes rasteve specifike. Megjithatë, ekziston një pyetje e përbashkët e shtruar për të gjitha vendet: a ekzistojnë kushtet për demokratizimin e vendeve të Lindjes së Mesme? A mund të kemi demokraci funksionale në këto vende? Përgjigjet janë të ndryshme për vende të ndryshme të Lindjes së Mesme. Por le ta fillojmë nga Egjipti.
Së pari, historikisht pushteti dhe elita qeverisëse në Egjipt kanë ardhur nga ushtria. Që prej fillesave të shtetit egjiptian ushtria ka dominuar sistemin politik, ndërsa liderët, duke filluar nga Naseri (madje ndoshta edhe para tij) e deri te Mubaraku kanë qenë ushtarakë. Kësisoj, në Egjipt nuk ka pasur kurrë një demokraci të mirëfilltë me baza të shëndosha shoqërore. Por edhe ushtria egjiptiane është heterogjene. Sidomos gjatë periudhës së Mubarakut, ushtria ka qenë fort e lidhur me SHBA-të. E gjithë elita e saj është përgatitur në SHBA. Pjesa më e madhe e armatimeve janë amerikane. Kësisoj dhe mirëmbajtja e tyre bëhet kryesisht me ndërmjetësim amerikan. Egjipti merr çdo vit, zyrtarisht, nga SHBA rreth 1.3 miliardë USD në formën e ndihmës për ushtrinë e tij. Kësisoj është e qartë prirja filo-amerikane e elitës së vendit. Nga ana tjetër, ushtria shihet dhe si vijuesja e linjës naseriane shtetformuese, larg ndikimeve fetare. Mbetet për t’u parë, ndoshta për herë të parë në histori, nëse një quasi coup d’etat do të arrijë të prodhojë një demokraci funksionale me zgjedhje të lira e të ndershme në një vend që s’ka pasur kurrë përvoja të tilla historike.
Së dyti, strukturat sociale të Egjiptit dhe (më në përgjithësi) thuajse të të gjitha vendeve të Lindjes së Mesme e Afrikës së Veriut (përveç Izraelit), nuk janë ndërtuar historikisht brenda kushteve demokratike dhe pluraliste. Për rrjedhojë, ato do ta kenë shumë të vështirë të operojnë në këtë mënyrë. Kjo mbetet për t’u parë, por fillesat e “tranzicionit” egjiptian duket se nuk po e përgënjeshtrojnë këtë tezë. Sa i takon këtij dimensioni, nuk duhet të lëmë pa përmendur as ndasitë e shumta fetare (sidomos të personifikuara te sulmet më të fundit ndaj pakicave të krishtera), kulturore apo ekonomike. Meqë të flasësh për çështjen e fesë dhe kulturës në këtë rajon do të kërkonte më shumë sesa një shkrim të këtij lloji, po përmendim vetëm elementin e tretë, atë ekonomik. Ekonomia egjiptiane ka qenë për shumë kohë në gjendje të mjerueshme. Korrupsioni shtetëror ka qenë gjatë një plagë e thellë e shoqërisë. Një e treta e popullsisë (prej rreth 80 milionë banorësh) jeton nën kufirin e varfërisë, të përcaktuar nga OKB-ja, ndërsa pasuria është shpërndarë në mënyrë thellësisht të pabarabartë sa mes grupeve sociale, aq dhe mes rajoneve të ndryshme brenda vendit. Kështu, ekzistojnë rajone ku niveli i varfërisë arrin deri në 70% të popullsisë. Ekonomia egjiptiane varet më së shumti nga renta e naftës: paratë e emigrantëve egjiptianë në vendet arabe të pasura me naftë, plus investimet e shumta në Egjipt të vendeve arabe naftëprodhuese. Ndërsa për nga pasuritë natyrore me naftë dhe gaz natyror vendi radhitet ndër vendet e fundit të hapësirave arabe.
Së treti, ligjërimi tradicional politik i historisë egjiptiane gjatë gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë dhe pas saj është lidhur pashmangshmërisht me çështjen e Izraelit. Këtu përfshihen shumë elemente, të cilat duhen vendosur patjetër në kuadrin e analizës së sotme nëse duam të kemi një tablo sa më të saktë të asaj çka ndodh sot e që mund të ndriçojnë zhvillimet e së ardhmes. Fillimisht kjo është një çështje e përdorur gjerësisht nga pjesa radikale islamike e shoqërisë egjiptiane, duke projektuar tek Izraeli armikun kryesor të saj. Kjo përforcohet edhe nga luftërat e shumta të zhvilluara mes dy vendeve. Për më tepër ajo është përdorur nga elita politike, sidomos përpara nënshkrimit të Marrëveshjes së paqes me Izraelin në vitin 1979 dhe njohjes së tij nga Egjipti. Gjithashtu ajo është përdorur edhe nga teoricienë të ndryshëm post-kolonalistë arabë për të etiketuar Perëndimin si armikun kryesor dhe përgjegjësin e vetëm për situatën e djeshme dhe të sotme në Egjipt.
Së fundi, roli i dikurshëm gjatë shekullit të njëzetë i Fuqive të Mëdha dhe tani i superfuqisë amerikane, duket se nuk ka kontribuuar aq sa pritej në demokratizimin e jetës politike dhe shoqërore të Egjiptit (sërish kjo mund të projektohet më gjerësisht në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut). Shtetet e Bashkuara kanë qenë dukshëm më në favor të stabilitetit sesa demokracisë në rajon. Kjo zgjedhje ndoshta ka ardhur koha të ndryshojë, gjë e cila po pasqyrohet, të paktën në ligjërimin e Uashingtonit zyrtar. Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut sot gjendet në udhëkryq. Por, opsioni i mundshëm mbetet demokratizimi substancial me ndihmën e instrumenteve perëndimore si institucionet ndërkombëtare, diplomacia bilaterale dhe ajo shumëpalëshe. Gjithsesi këtë do ta tregojë koha. Në këtë kuptim që të gjitha këto mund të jenë veçse flluska në ujin e tranzicioneve të dështuara në shumë rajone të botës, nëse zhvillimi industrial jo vetëm perëndimor, por edhe kinez, indian, brazilian etj., vijon të ketë në themel të tij naftën.

© Panorama.al

Te lidhura