Fuqia e liderit libian, Muanmar Gedafi, ka qenë më e fortë nga sa kishin parashikuar Perëndimorët dhe NATO-ja.Pasi mori qytetin e Misratës, i cili ishte kthyer në një shesh të vërtetë beteje që pas marrjes prej rebelëve rreth 40 ditë më parë, Gedafi tani ka refuzuar një plan të BE-së për të dërguar trupa të huaja në mbështetje të karvanit me ndihma humanitare në Misrata, duke kërcënuar se do të luftojë çdo trupë ushtarake të huaj që do të prekë tokën e tij edhe nëse mund të jenë thjesht shoqërues të karvanëve me ndihma. BE-ja propozoi dërgimin e ushtarëve për të mbrojtur shpërndarjen e ndihmave humanitare të OKB-së në Misrata, por as OKB-ja nuk e priti mirë këtë lajm, duke u përgjigjur se duan më parë të eksplorojnë opsionet civile. Dje, Sekretari i Jashtëm britanik, Uilliam Hague, tha se vendi i tij do të dërgonte nj skuadër më këshilltarë ushtarakë në Libi, për të ndihmuar të organizonin forcat opozitare, duke iu bashkuar diplomatëve britanikë të cilët tashmë po punonin me liderët rebelë në Benghazi, qendra e tyre e fortë në Libinë lindore. Hague tha se skuadra ushtarake do t’i ndihmonte rebelët të përmirësonin strukturat organizuese, komunikimin dhe logjistikën, por nuk do të përfshiheshin në furnizimin me armë apo ndihmën në sulmet kundër forcave të Muamar Gedafit, sipas AP-së. Khaled Kaim, zv/ministri i Jashtëm i Libisë dhe zëdhënës i qeverisë tha se lëvizja europiane për të dërguar trupa “Është një kurth i madh për Francën dhe Britaninë. Ata janë futur në një kurth ku bënë marrëveshje me grupet e gabuara. Askush nuk e di se ku do t’i dalë fundi”, tha ai për “Washington Post”. Gazeta “Guardian” në një analizë e ka dënuar vendimin e qeverisë britanike për të dërguar “këshilltarë ushtarakë” në Libi. Sipas “Guardian”, zvarritja e misionit është një situatë e papëlqyeshme e sjellë nga një ambicie ushtarake e tepruar dhe mungesa e njohjes së vetes. Simptomat përfshijnë iluzionet të ngjashme me fantazinë si besimi i fortë ngjitës, i njohur si Sarkozi-tis, ku vetëm vuajtësit besojnë se e dinë se çfarë është më e mirë për botën. Kjo, në mënyrë tipike pasohet nga djersë të ftohta dhe skuqje kur realiteti politike rezulton me të kundërtën. Zvarritja e misionit nuk është e kurueshme. Zakonisht rezulton në shkatërrim. Si në rastin e Vietnamit, ku vendimi i Presidentit Xhon F Kenedi për të rritur numrin e “Këshilltarëve ushtarakë” amerikanë në regjimin vietnamez në Jug, i hapi rrugën për një luftë të shkallës së gjerë. Shpallja nga Britania, se dërgoi një ekip “këshillues ushtarak” në Bengazi është komentuar nga “Guardian”, si një tjetër shpërthim të sëmundjes.











