Leximi i raportit më të fundit të Bashkimit Europian rrezikon sërish të mbetet veçse një gjurmë në moszgjidhjen e disa çështjeve që kanë të bëjnë me jetën e shqiptarëve. Fakt për këtë nuk është thjesht leximi më i fundit nga krahët politikë për atë që ka shkaktuar regresin, por më së shumti mënyra se si palët paraqitën qëndrimet e tyre lidhur me mënyrën se si kanë ndër mend t’i qëndrojnë në të ardhmen këtij raporti. Aktualisht, duam apo nuk duam, ne gjendemi përballë tri palëve: maxhorancës, opozitës dhe Presidentit. Madje, pozicioni i këtij të fundit është disi delikat për shkak se edhe duhet të jetë shembull i unitetit dhe mënyrë negocimi për tryezë, por edhe personi me një përgjegjësi direkte për një nga pikat më të rëndësishme të kritikave të Brukselit – atë të çalimit në fushën e Gjyqësorit.
Presidenti, në fakt, nxitoi i pari të fajësonte politikën, në të njëjtën iso me atë të qëndrimit të shprehur nga Brukseli, por nuk la të kuptohej se do të mund të negocionte një zgjidhje mes palëve politike, duke firmosur gati de facto se autoriteti politik mbi palët nuk është më në kostumin e tij politik. Madje ai nuk tha asgjë lidhur me përgjegjësinë e tij për një kontestim kaq të hapur ndaj Gjyqësorit, që mbetet ndoshta një nga faktorët më stimulues të korrupsionit dhe dekurajimit në vend.
Nga ana tjetër, opozita e lexoi “kthjellët”, siç u sqarua nga selia e PS-së. Dhe me këtë “kthjelltësi”, në fakt, shihej përgjegjësia e maxhorancës, por aspak mungesa e theksuar në Kuvend, që ka mbi dy vite që ka lënë në ngërç të gjitha votimet që kanë nevojë për votat e opozitës. Pavarësisht disa përpjekjeve, disa pikave, të negociueshme apo të panegociueshme, opozita ka meritën e saj të pakundërshtueshme në këtë regres-raport, duke bërë të mundur që të mos merrnim edhe këtë herë një dritë jeshile, që përkthehet më së shumti më shumë prani ekonomike për shqiptarët.
Gjithsesi, çalimi i autoritetit të kreut të shtetit dhe mungesa e gjatë e opozitës nuk e shfajësojnë tërësisht maxhorancën, e cila nuk ka mundur të gjejë artin e elasticitetit me opozitën që të mund ta ulë në tryezë të debatit. Kjo negociatë ka mbartur në këto dy vite një vështirësi që në fakt është larg tryezës politike për shkak të zgjedhjes që ka bërë z. Rama duke pritur ardhjen në pushtet përmes refuzimit. Por, gjithsesi, maxhoranca duhej medoemos t’i jepte opozitës një trofe politik që të ndihej se beteja e saj me maxhorancën nuk shënon vetëm humbje, nëse nga ata këmbëngulet përmes debatit. Vetëm nëse edhe pas tolerimeve nuk do të kishte zgjidhje, maxhoranca mund të përdorte kërcënimin për riformatim të Kuvendit përmes zgjedhjeve të parakohshme. E, nëse këto zgjedhje vijnë nga pamundësia e dialogut, nga refuzimi i pafund i opozitës, qytetarët mund të jenë ndëshkues të sigurt përmes votës.
Nga ana tjetër, z. Rama e ka parë mungesën e dialogut jo si mungesë në Kuvend, por si mungesë të tryezës mes tij dhe Berishës, duke këmbëngulur kështu që të instalojë një tryezë si për të këmbëngulur se e sheh politikën në pozitën e beut, ose edhe më keq, si seancë pajtimi gjaku ku kërkon takim mes krerëve të fiseve, duke tentuar kështu të lërë mënjanë institucionet që janë baza e funksionimit demokratik. Shembull i kësaj këmbënguljeje është edhe fakti i mospranimit të paketës së tij të propozimeve me OSBE-në, tek e cila më pas kërkohet edhe ndërhyrja për përmirësimet e kuadrit ligjor apo të reformës zgjedhore.
Ndërkaq, nga ana tjetër, duket se shumica e qytetarëve kanë tashmë një dyshim të theksuar lidhur më ndëshkimin nga ana e Ekzekutivit të të akuzuarve për korrupsion. Edhe pse në sistemin aktual është vendimi i gjykatave ai që shpall të fajshëm apo të pafajshëm, perceptimi i qytetarëve mbi mekanizmat ndëshkues nga vetë Ekzekutivi është i ulët, duke dekurajuar pikërisht ata nëpunës të ndershëm për shkak të presionit nga modeli i pandershëm apo i korruptuar, që e sheh zyrën jo si përgjegjësi ndaj qytetarit, por si një privilegj. Maxhoranca duhej të kultivonte në këto vite mbështetjen ndaj nëpunësve korrektë duke rikthyer sistemin e karrierës, dhe jo të rastësisë në administratë, e cila mbyll shtigjet e kontributeve pozitive në administratë.
Gjithsesi, pavarësisht qëndrimeve kaq të ndryshme, ekzistojnë rrugëtimet për të bërë të mundur dialogun. Dhe për këtë do të mjaftonte që palët të kuptonin se janë aty për të gjetur zgjidhje në favor të qytetarëve, dhe jo për të qenë ata bllokuesit e ndihmës që mund të marrin shqiptarët përmes dritës jeshile që i hapet nga Bashkimi Europian.
© Panorama.al












