U nda këto ditë nga jeta profesor Enver Faja, autoritet i veçantë në fushën e urbanistikës dhe arkitekturës, figurë e dashur dhe e respektuar, që ka punuar e krijuar me tri gjenerata: me profesorët, vërsnikët dhe studentët e tij.
Profesor Faja ndodhet prezent kudo në Shqipëri ku (siç pohonte vetë), “prodhohet arkitekturë, e cila më gëzon, më pëlqen, më lumturon dhe më bën fatkeq”.
I lindur më 1934-n, në një familje qytetare tiranase, i formuar në universitetet e Gdanskut dhe Krakovit (Poloni) dhe atë të Tiranës si urbanist dhe inxhinier arkitekt, talent për shkencë dhe art, dijetar dhe artist në shpirt, gojëmbël dhe kritik, profesor Enver Faja mbetet një nga shtyllat kryesore të urbanistikës dhe arkitekturës shqiptare.
Me një eksperiencë të gjatë rreth 50-vjeçare në fushat e pedagogjisë, të projektimit urban dhe arkitektonik, me një numër të konsiderueshëm projektesh mjaft ambicioze me rëndësi kombëtare, profesor Enver Faja është dalluar si profesionist pasionant i shkallës më të lartë.
Është autor dhe bashkautor i objekteve të rëndësishme si Muzeu Historik Kombëtar, Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tirane, Studimi i Qendrës në Vlorë, masterplani i Qytetit Studenti, ndërtesa e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, monumenti kushtuar Kuvendit të Lezhës, studimi urban i zonës industriale të Tiranës etj.
Rrallë ndodh dhe jo vetëm te ne, të jesh i zoti edhe si urbanist, edhe si arkitekt.
Te Enver Faja kanë mbizotëruar të dyja këto cilësi. Ndoshta objekti më emblematik për të dhe një nga projektet dhe realizimet më të bukura të arkitekturës shqiptare është Galeria Kombëtare e Arteve, në kulmin e aftësive të tij profesionale.
Profesor Faja mbetet një përfaqësues i denjë i shkollës shqiptare të arkitekturës, si drejtues qysh herët i Departamentit të Urbanistikës në Universitetin Politeknik të Tiranës, duke përgatitur breza të tërë urbanistësh e arkitektësh.
Në vitet 1991-1992, profesor Faja ka qenë kryearkitekt i Tiranës dhe ka udhëhequr strategjitë urbanistike dhe arkitektonike të qytetit.
Ai themeloi e drejtoi për rreth 6 vjet, deri ditët e fundit, Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës në universitetin “UFO” (sot Albanian University) të Tiranës, duke qenë dekan i tij, duke iu gëzuar dhe përkushtuar përgatitjes dhe diplomimit të studentëve të tij.
Profesor Faja ka edhe profilin e tij të veçantë si publicist dhe diplomat, ambasador i Shqipërisë në Poloni (1992-1996), duke lartësuar vendin tonë në sy të të huajve, duke propaganduar vlerat e vërteta të shqiptarëve, duke pritur vetë disa herë Nënë Terezën, duke qenë krenar për të dhe kombin e tij.
Elokuenca dhe ndershmëria profesionale mbeten, veç të tjerash, dy cilësi të rralla të profesor Fajës.
Elokuent, gojëmbël e bindës – si dëshmi e një përgatitje të thellë teorike, ndershmëria profesionale – karakteristike e idealistëve të rrallë si profesor Faja, mbrojtës i arkitektëve shqiptarë të të gjitha moshave dhe veprave të tyre nga nihilizmi apo interesat e çastit.
E rëndësishme të veçojmë se si rrallëkush në raportin e profesionit me politikën, profesor Faja ka qenë gjithnjë në anën e profesionit.
Studimet dhe botimet e tij mbi konceptet e projektimit urban, artikujt dhe kumtesat në konferencat shkencore brenda dhe jashtë Shqipërisë, u pasuan se fundi me botimin e librit “Kush e drejton Urbanistikën shqiptare”, i vlefshëm jo vetëm për studentët e shkollave tona të arkitekturës.
Kush mundi ta njohë nga afër, profesor Faja ishte modeli i prindit e bashkëshortit, i shtrenjtë për gruan Suzi, për fëmijët e tij, vajzën Ardiana, djalin Blendi, për vëllezërit e të afërmit e tij, por i ngrohtë dhe i dashur për ne ish-studentët dhe kolegët e tij, studentët e sotëm dhe brezat që vijnë.
Në kohën e ekonomisë së tregut, sidomos në Shqipëri, njerëzit, por edhe arkitektët (jo të gjithë), kërkojnë më shumë të marrin se të japin.
Profesor Faja dha më shumë se ç’mori, na la ne që e njohëm, vlerën e arkitektit artist, por, mbi të gjitha, Njeri, ndaj i jemi mirënjohës këtij “Mjeshtri të Madh”.
Vlerësimi për të meriton analiza të veçanta. Sa më shumë kalon koha, aq më shumë do të shtohet interesimi për të. Mozaiku i profilit të tij të gjithanshëm si urbanist, arkitekt, pedagog, publicist, diplomat, me siguri do të plotësohet nga kolegët që e kanë njohur dhe bashkëpunuar, nga studiuesit e artit dhe arkitekturës, nga ish-studentët e tij dhe studentët e sotëm, si një vlerë e arkitekturës dhe kulturës sonë kombëtare.
Profesor Faja do të kujtohet si një emër i respektuar dhe i dashur për shumë breza arkitektësh e urbanistësh shqiptarë.
Fikja e profesorit: Një ikje e natyrshme, e bukur, si nëpër ëndërr, me dëshirën që pas pak ditësh në dyert e Universitetit do të presë përsëri studentët e tij.
Lamtumirë Profesor Faja!
© Panorama.al












