Lajçak: S’na intereson kush fiton, zgjedhjet të përmbushin standardet

Apr 14, 2011 | 9:47

Për Bashkimin Europian nuk është e rëndësishme se kush i fiton zgjedhjet e 8 majit, por standardi i tyre. Kështu u shpreh dje i dërguari i BE-së për krizën në Shqipëri, Miroslav Lajçak, në një intervistë për Top Channel. “BE është këtu për të ndihmuar. Por, përgjegjësia kryesore dhe ekskluzive për këtë u mbetet politikanëve dhe institucioneve shqiptare. Ata e dinë këtë, sepse mesazhi që duhet të dalë nga këto zgjedhje është shumë i rëndësishëm dhe duhet të jetë mesazhi që këto zgjedhje përmbushën standardet europiane. Unë e kuptoj që politikanët në vend janë më shumë të fokusuar mbi rezultatin se kush do të fitojë, por dua t’ju përsëris atë çfarë u thashë dhe atyre atje, se për ne jashtë Shqipërisë nuk është e rëndësishme se sa parti e sa karrige zënë ata me këto zgjedhje, por që të shohim se këto zgjedhje do të mbahen në mënyrë europiane. Kjo ka tepër rëndësi”, tha Lajçak. Miroslav Lajçak, i dërguari i Baroneshës Ashton për krizën në Shqipëri, raporton në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian lidhur me situatën në vendin tonë. Siç raporton Top Channel, Lajçak është shprehur se mungesa e dialogut politik po mban peng reformat e nevojshme për integrimin europian të vendit. “Vazhdoni të dërgoni mesazhe, sidomos mbi domosdoshmërinë e një dialogu politik, pa të cilin nuk mund të ketë një jetë normale politike në vend. Së dyti, tregoni që këto zgjedhje duhet të jenë të lira e të ndershme. Sa më shumë që të jetë e mundur. Politikanët vendas e dinë shumë mirë se çfarë duhet për t’i zhvilluar ato të lira e të ndershme. Ky duhet të jetë presioni që këtej, në mënyrë që t’u bëhet e qartë atyre se ne po i ndjekim nga afër dhe se shumë varet nga mbajtja e këtyre zgjedhjeve”, citohet t’u ketë thënë Lajçak europarlamentarëve gjatë mbledhjes së djeshme. Nga ana e tyre, anëtarët e Komitetit të Jashtëm në PE kanë pasur qëndrime të ndryshme lidhur me daljen nga kriza. Sipas Eduard Kukan, kreu i Delegacionit për Ballkanin në PE, pa zgjidhur ngërçin në Tiranë, është e vështirë të flitet për progres. “Në Shqipëri, gjithsekush nga ne investoi shumë për t’i ndihmuar politikanët shqiptarë që të kapërcenin këtë krizë politike që po rrëzon të ardhmen. Dhe pa e zgjidhur atë me mjete politike, do të jetë vërtet shumë e vështirë që të flisnim për të ardhmen, e për më shumë për progresin”.

© Panorama.al

Te lidhura