Raundi i tretë i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë do të zhvillohet brenda 24 prillit. Deklaratën e ka bërë zyrtari i lartë i BE-së, Miroslav Lajçak, i cili siguroi se ndarja e Kosovës nuk është temë e bisedimeve. Ai shtoi se dialogu synon zgjidhjen e problemeve të përditshme për banorët e Kosovës. Gjatë një diskutimi në komitetin për Politikën e Jashtme të Parlamentit Europian, Lajçak tha “Do të jemi ambiciozë, të arsyeshëm dhe do të shkojmë përpara aq shpejt sa janë në gjendje të punojnë Beogradi dhe Prishtina”. Ai shtoi se dy takimet e para në mars janë zhvilluar në atmosferë konstruktive. Ndërkohë , kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, gjatë një takimi të zhvilluar të mërkurën me kryetarin e Parlamentit Europian, Xhersi Buzek, dhe zëvendëskryetaren e Senatit belg, Helga Stivens, ka kërkuar ndikim tek pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë, si dhe të bëhet përkrahje më të madhe për procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën. Kryeparlamentari Krasniqi ka filluar sot vizitën në Bruksel me zhvillimin e takimeve me zyrtarë të lartë të Parlamentit Evropian. Kryetari i PE-së Buzek tha se institucioni që ai drejton është gati të mbështesë pavarësinë, demokracinë dhe ekonominë e lirë të Kosovës. Ai shprehu shqetësim për parregullsitë që janë shënuar në këto zgjedhje dhe kërkoi që zgjedhjet e ardhshme të jenë të drejta dhe transparente. Buzek theksoi se përveç dialogut që po zhvillohet me Serbinë, është mirë që në të ardhmen Kosova të ndërmarrë edhe hapa të tjerë të bashkëpunimit me fqinjët dhe me Serbinë.











