Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar pas shembjes të aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçë.
Ai theksoi se ky është një lloj korrupsioni që vret, dhe sipas tij, është rrezik kush kalon atje
“Mjerë kush kalon aty me familjen! Ky është korrupsioni që vret. Këto janë rrugët e lëna rrugëve o Narkos.”, tha Noka.
Kujtojmë se rrëshqitja masive e dheut dhe shkëmbinjve ka shkaktuar bllokimin total të rrugës, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve. Kompania kontraktore përgjegjëse për mirëmbajtjen e aksit ka vendosur një baypass provizor për të lehtësuar kalimin e automjeteve, por situata mbetet kritike.
Autoritetet pritet të ndërhyjnë për të hapur aksin dhe për të siguruar kalimin normal të trafikut. Ekspertët e rrugëve dhe autoritetet përgjegjëse po monitorojnë situatën, ndërsa qytetarët dhe transportuesit paralajmërohen për vonesa dhe rrezik gjatë kalimit në këtë zonë.
Rruga Qukës-Qafë Plloçë që shmang Prrenjasin, Qafë-Thanën dhe Pogradecin u inaugurua në muajin shtator nga ministrja e pezulluar nga detyra Belinda Balluku dhe ka kushtuar 260 milionë euro.
© Panorama.al











