Kuzhe: Ja e vërteta e borxheve në Shqipëri

Oct 26, 2011 | 12:45
Ish-trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe

U largua nga drejtimi i Kombëtares para disa ditësh dhe menjëherë në ambientet sportive, kryesisht në federatë, po përflitet për borxhe që ish-trajneri Josip Kuzhe ka lënë pas, jo ndaj FSHF-së, por ndaj personave të tjerë. Sakaq, i kontaktuar me telefon nga “Panorama” në Kroaci, Kuzhe ka sqaruar gjithçka jo vetëm lidhur me thashethemet e ditëve të fundit, por edhe mbi një kredi që ai konfirmon se e pati marrë kur ishte trajner i Kombëtares, por e ka shlyer brenda pak muajve.
Mister, në Tiranë përflitet se gjatë kohës kur ishit këtu, keni marrë një kredi në një bankë dhe nuk e keni shlyer ende…
Këto janë gjëra personale, që i përkasin jetës sime private, por meqenëse unë jam një person publik, po ju tregoj sinqerisht që kam pasur një kredi në një bankë në Shqipëri gjatë kohës kur kam qenë nën kontratë me federatën. Por e kam shlyer dhe nuk di të kem më detyrime aty. Nëse ju që më pyesni keni ndonjë informacion më shumë, ma thoni.
Sa parà kredi patët marrë, nëse më lejohet një pyetje e tillë?
Jo nuk kam problem ta them, kanë qenë rreth 15 mijë euro më duket dhe i kam shlyer shumë shpejt brenda pak muajve, kështu që ju siguroj që nuk kam asnjë detyrim dhe për më tepër nuk më ka kontaktuar kush nga ajo bankë për të më thënë të kundërtën. Besoj se po të kisha lënë gjë pa paguar, do më kishin marrë menjëherë në telefon që para se të largohesha nga Shqipëria.
Ndërkohë që thuhet se veç kësaj, ju keni edhe disa borxhe ndaj personave të tjerë në Shqipëri, sa e vërtetë është kjo?
Unë borxhe? Kujt? Cilit i kam borxh? Po talleni me mua (qesh)? Nuk kam asnjë borxh ndaj askujt në Shqipëri. Gjatë kohës kur kam qenë atje, mund t’ju them se kam kaluar ditë shumë të mira nën shoqërinë e mjaft dashamirësve. Por njerëz të afërt, miq le të themi, kam pasur vetëm dy-tre dhe ata kanë qenë personat e federatës. Nuk besoj se ata kanë pohuar se u kam marrë parà borxh (qesh sërish).
Pra, e përgënjeshtroni një gjë të tillë?
Në mënyrë kategorike. Sipas meje, këto janë vetëm spekulime që nuk kanë të bëjnë aspak me realitetin. Nëse ndokush aty në Tiranë i referohet të shkuarës sime, unë e kam thënë më shumë se një herë që kam pasur probleme me kumarin dhe kam humbur shumë parà në të shkuarën nëpër kazino, por kjo i përket të shkuarës dhe në Shqipëri ju siguroj se nuk kam bërë asnjëherë një gjë të tillë.
Ju jeni larguar tashmë nga Kombëtarja shqiptare, duke thënë se u ndatë paqësisht me presidentin Duka…
Mos po doni të më thoni që këto kanë dalë nga goja e presidentit Duka?
Jo, nuk thashë këtë, por desha të di nëse jeni paguar korrekt nga federata dhe keni marrë të gjitha rrogat para se të largoheshit, apo jo…
Unë kam pasur një marrëdhënie shumë korrekte me presidentin Duka dhe me federatën, nga momenti i parë dhe deri në fund dhe këtë e them me bindje të plotë. U largova sikundër ju thashë, pasi idetë e mia nuk përputheshin më me të federatës, ndaj edhe rinovimi i kontratës nuk u arrit. Por për këtë unë nuk jam penduar dhe as jam mërzitur. E theksoj se kam pasur një marrëdhënie shumë korrekte për sa i përket anës financiare dhe nuk kam pse të fsheh asgjë në këtë mes.
Para disa ditësh, dhatë një intervistë në “Jutarnji List”, ku thoshit që presidenti Duka ju është lutur të rinovonit…
(Qesh) Mos po doni të thoni se këto spekulime ndaj meje kanë dalë prej asaj interviste? Aty kam thënë të vërtetën, që nuk rinovova edhe pse Duka më ofroi një kontratë të re, pastaj pjesa tjetër është më shumë gazetareske besoj. Sakaq, ngulmoj t’ju theksoj se me presidentin Duka kam një marrëdhënie tejet korrekte, gjithçka tjetër gjykoj se është spekulim dhe s’ka asgjë të vërtetë, e kam fjalën për borxhet.

E shkuara
Josip Kuzhe ka pasur një të shkuar të lidhur ngushtë me kumarin. Në kohën kur ai ishte trajner i Dinamos së Zagrebit, por edhe më para e më pas, ai shquhej për “dashurinë” për lojërat e fatit dhe kazinotë. Madje, kohë më parë, Kuzhes i dogjën edhe një makinë në mes të Zagrebit, ngjarje që sipas Policisë kroate në atë kohë kishte të bënte pikërisht me borxhet që ai u kishte personave të tjerë. Sakaq, kur erdhi në Shqipëri, ai pranoi për sa më sipër, por theksoi se kishte hequr dorë totalisht nga ajo jetë.

9 PIKE
grumbulloi Kombëtarja me Kuzhenë, ose më mirë, më pak sesa me Brigelin dhe me Bariçin, e sigurisht më shumë se me Dosenën dhe Hanin, pasi këta të dy nuk i përfunduan kualifikimet.

Leonard Karaj

© Panorama.al

Te lidhura