Kushti i Pacollit, Thaçi shton një ministri për AKR

Apr 22, 2011 | 9:12

PDK-ja e Hashim Thaçit dhe AKR-ja e Behgjet Pacollit janë në përmbyllje të paktit të ri për të përmbushur kushtet e “forcimit të koalicionit”, ku AKR-ja ka kërkuar edhe 2 ministri më shumë në këmbim të postit të Presidentit.Pacolli e humbi këtë post kur Gjykata Kushtetuese vendosi se procesi i zgjedhjes së tij ishte antikushtetues. Kërkesa e Pacollit për të marrë dy ministri të reja, do të thoshte dy ministri më pak për Thaçin dhe partinë e tij. Kjo nuk është dukur një marrëveshje e mirë dhe kështu, grupet politike në fuqi kanë vendosur të krijojnë një ministri të re për të kënaqur edhe AKR-në, edhe veten. Flitet se në Kosovë do të ekzistoje edhe një Ministri për Diasporën, e cila do të drejtohet pikërisht nga AKR-ja. Dje dy palët kanë rënë dakord se Pacolli do t’i marrë dy ministri, por pa specifikuar se cilën prej tyre. Ibrahim Gashi, nga AKR-ja, tha për RTK-në se krijimi i Ministrisë së Diasporës është një prej opsioneve, por ende nuk ka ndonjë vendim. Gashi pritet të jetë një nga dy ministrat e rinj nga AKR-ja. Sipas Gashit, marrëveshja e re është afër dhe pritet të formalizohet brenda këtyre ditëve, pasi Behgjet Pacolli është kthyer të mërkurën në Kosovë. “Ka vetëm një pajtueshmëri në parim të partnerëve të koalicionit se do të ndodhë zgjerimi i qeverisë edhe me dy ministri për AKR-në, por ende nuk janë saktësuar ministritë, përveç këtij dakordimi në parim”, tha ai. Gashi nuk përjashtoi as opsionin e krijimit të Ministrisë së Diasporës që do t’i jepej AKR-së krahas ndonjërës nga ministritë tjera që tani drejtohen nga PDK-ja. “Nuk mundem ta konfirmoj tani sado që është ndoshta një prej opsioneve që ka PDK-ja dhe Kryeministri, por ende nuk është zyrtarizuar që do të jetë pikërisht ashtu”, tha ai. Në marrëveshjen e parë, Koalicioni për Kosovën e Re ka marrë një zëvendëskryeministër dhe tri ministri. Më pas Pacolli ka marrë postin e zëvendëskryeministrit të parë.

“Jo OKB-së”

Maja Kociançiç, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme, Katerin Ashton, ka shprehur qëndrimin e  unionit kundër përfshirjes së BE-së në hetimet e trafikut të organeve në Kosovë, duke u shprehur se “EULEX-i është plotësisht i aftë dhe në vendin më të mirë që të zbatojë hetimin për trafikimin me organe”.

Feith

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith, të cilit i kanë mbetur edhe dy javë në Kosovë, tha sot se pavarësisë së mbikëqyrur shumë shpejt do t’i vijë fundi dhe se Veriu i vendit do të mbetet pjesë e pandashme e Republikës së Kosovës. Feith tha se do të ndihmojë për ndryshimet kushtetuese, po ato janë në dorën
e Kuvendit të Kosovës.

© Panorama.al

Te lidhura