Kush fshihet pas grave të famshme

Apr 3, 2011 | 10:33

“Në politikë, nëse do që diçka të thuhet, thuaji një burri. Nëse do që diçka të bëhet, thuaja një gruaje.” Natyrisht që Margaret Thecher, kur e ka pohuar këtë, ka pasur ndër mend modele historike, krejt ndryshe nga burrat e gratë e politikës sonë të përditshme, kështu që aksioma e saj rrezikon të mbetet e pavlefshme, së paku sa i takon Shqipërisë. E vetmja gjë e sigurt e një gruaje në politikë është tërheqja e saj nga përditshmëria familjare, për shkak të angazhimeve të përditshme. Në këtë pikë po, që gratë e burrat e politikës janë të ngjashëm në të gjithë botën.
Njëherë e njëkohë, ndarja e roleve në çift, ishte e mirë përcaktuar në shoqëri: burri shkonte për të punuar ndërsa gruaja kujdesej për shtëpinë, ashtu si në periudhën prehistorike, që burri duhet të siguronte ushqimin. Pa dyshim shoqëria ka ndryshuar thellësisht dhe janë gjithnjë e më shumë gratë që zgjedhin dhe kërkojnë që të afirmohen në punët e tyre, duke u përfshirë gjithnjë e më shumë në sektorë që nuk i kishin okupuar më parë, duke marrë kështu edhe përgjegjësi që i shërbejnë karrierës dhe pritshmërive të tyre. Kjo rrugë që kanë bërë, ky ndryshim, ka sjellë në mënyrë të pashmangshme edhe konceptin e organizimit të jetës familjare apo qoftë edhe të jetës në çift. Mund të paraqiten alternativa të ndryshme: në disa raste, gruaja në karrierë do të heqë dorë nga dashuria, nga ideja e të qenurit nënë, por që nuk mund të jetë gjithnjë kështu. Këto ide, në këtë kohë, përkojnë me synimet e 25-vjeçarëve që sapo kanë nisur të jenë brenda profesionit të tyre. Pjesa tjetër, që i ka kapërcyer këto hapa të parë e të tjerë më të rëndësishëm pas tyre, i kemi parë që në të shumtën e rasteve kanë përfunduar me procesin e krijimit të familjes, kanë rritur deri në një farë moshe fëmijët, për t’ia kaluar më pas kujdesin për ta, dados ose në rast të një moshe më të madhe, kopshtit, shkollës e me radhë. Po me marrëdhënien në çift, çfarë ndodh? Sepse, pasi kanë realizuar “planin familjar”, mes çiftit vazhdon të ketë jetë, apo jo?!
Si organizohen çiftet kur gruaja është më e përfshirë në punë se burri? Nëse burri ka një farë pozicioni në punën që bën, ritmi i shfrenuar i punës së të dyve kërkon që përgjatë gjithë ditës të jenë të ndara rolet e organizimit të shtëpisë, edhe pse tani, për kategorinë që po flasim, e zgjidhin këtë gjë me shërbimin privat që marrin në shtëpi. Në rangjet e politikaneve, kjo është e zgjidhur. Por në shtresa të mesme, ka edhe raste kur burri zgjedh ose i ‘leverdis’ të qëndrojë në shtëpi, të bëj shtëpiakun. Kjo zgjedhje tingëllon e çuditshme për gjithkënd, madje cilado grua është e lirë me të drejtë që ta përjashtojë nga opsionet e mundshme. Por në fakt, është një realitet që në Amerikë po përhapet me ritme të shpejta. Nga të dhënat statistikore të grave amerikane më të përfshira në botën e financave, rezulton që nga pesë, katër kanë një partner shtëpiak. Mos u çudisni që kjo tendencë të fillojë të përhapet së pari në Evropë e mandej të trokasë kudo. Tek e fundit, siç ndodh me të gjitha gjërat e vendeve më të zhvilluara. Keni të drejtë edhe nëse mendja ju rreh te kriza ekonomike e aspak te zgjedhja e burrave. Më shumë se papunësia, dembelizmi nuk është i fortë. Doni edhe një tjetër kuriozitet? Në Itali, ekziston një shoqatë që merret vetëm me trajnimin e burrave shtëpiakë. Ata mësohen të pranojnë që është gruaja ajo që do t’i sjellë të ardhurat më të shumta në shtëpi: po ju burra si do të reagonit? Apo jemi te “Unë Gruaja”, po.
Gjithsesi, mënjanohemi pak nga atmosfera globale dhe përqendrohemi te personazhet tanë; sa më shumë i afrohet data 8 majit, aq më shumë i hasim sapo prekim komandën e televizorit. Gratë e politikës shqiptare i kanë hyrë kësaj pune, pasi i kishin siguruar qysh më parë bazën e familjes. Ishin bërë nëna, kishin punuar në profesionet e tyre, ishin rritur profesionalisht deri sa u shpërfaqën në krye. E nëse deri më parë secila prej tyre kishte ecur në vijë paralele me bashkëshortin, raportet ndryshuan më vonë. Për shkak të postit, emri i tyre do të përmendej gjithnjë e më shumë. Po ai i bashkëshortit? Ka të ngjarë që në secilin rast të ketë qenë zgjedhja e gjithsecilës, një vendim i tyre për të mbajtur larg familjen nga puna. Veçse, jo gjithnjë është kështu, mund të ndodh edhe që ky të jetë vetëm një pretekst për t’i lënë gjërat në mjegull. Po le t’i marrim me radhë. Për t’ia nisur që nga kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, e te deputetet e të dyja partive të mëdha në vend: Ermelinda Meksi, Rajmonda Bulku e Mimi Kodheli. Tani që ju thamë emrat, a i vjen kujt ndërmend fytyra e ndonjërit prej bashkëshortëve të tyre? Po emrat? Me siguri që jo, po të zbulojmë këto pak informacione që kemi gërmuar…

Jozefina Topalli Takim në Teatrin e Operës

Në kopertina revistash e kemi parë zonjën në krye të Parlamentit Shqiptar, të shfaqet më së shumti me të bijën, Megin, pak më pak me të birin dhe akoma më pak me bashkëshortin e saj, Tonin Topallin. Në fakt, edhe kur është pyetur nëpër intervista, zonja Topalli preferon që të shoqin t’ia thërrasin Tonçe, por a i keni parë ndonjëherë tok në ekran. Paparacët që janë përherë në gjueti të çifteve të famshëm, e kanë kapur tek-tuk, nëpër teatro a opera, por më shumë jo! Darkat e ngushta larg kamerave me siguri që mund të jetë i pranishëm, por ngelet gjithsesi rreth i ngushtë. Sytë e kureshtarëve do të donin ta shihnin në ekran. Në fakt, është një pyetje që thuhet shpesh mes njerëzish. Kurioziteti se çfarë fshihet pas një gruaje të fuqishme, nuk është se mund të shpërfillet. Kujtdo t’ia bësh këtë pyetje, “Kush është bashkëshorti i kryeparlamentares”, nguron disa çaste për t’u përgjigjur. Heshtja vjen nga mungesa e informacionit. Ama emrin dhe që është i fushës së biznesit, e gjetëm. Shpresojmë t’i rishohim në shfaqjet Gala të radhës.

 

 

Mimi Kodheli Politika “fiket” në shtëpi

Që kur iu fut politikës, deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, i bëri gjërat e qarta, diti t’i vendosë mirë kufijtë mes politikës e familjes. “Butësia merret për dobësi”, kaq duhet për të kuptuar pamjen e prerë të Mimi Kodhelit, pavarësisht se jashtë kostumit zyrtar, bashkë me buzëqeshjen edhe sytë i çelen edhe më. “Në Shqipëri duhet të tregohesh e fortë. Vetëm kështu mund të mbijetosh. Jo vetëm një femër, por edhe një mashkull i butë nga natyra duhet të përshtatë ca veti të ashtuquajtura tipike burrërore. Përndryshe, askush s’do ta shihte seriozisht. Unë nuk ndihem më pak femër me punën që bëj, gjithë politikanet që njoh janë gjithashtu qenie plot feminilitet, por ama puna jonë nuk e pranon butësinë”. Në këtë intervistë të sajën, Mimi e ka treguar se me gjithë tiparet e buta, e ka vënë kufirin te thana, duke u kujdesur kështu që as jetën private të mos e ndajë me të gjithë. Jeta e Lek Kodhelit, bashkëshortit të saj arkitekt, nuk është përmendur në media, mbase pikërisht për shkak të kësaj mospërfshirjeje. “Nuk sjell kurrë gazeta në shtëpi. Mundohem që ta mbaj stacionin e televizionit larg komenteve politike. Është e vështirë kjo gjë, përveç rasteve kur alternativat nuk diskutohen: mbrëmjet me futboll. Të tre jemi tifozë të çmendur të këtij sporti”. Këtë atmosferë lehtësisht të imagjinueshme familjare, s’ka se si Leka ta prishë, duke u bërë pjesë e mediave, pavarësisht popullaritetit të së shoqes.

 

Ermelinda Meksi Bashkërisht ia dolëm!

Siç e thamë që në krye, njëri do të heqë dorë nga angazhimet e tij, ose së paku, do të jetë më pak i përfshirë në sferën profesionale. Ka edhe raste kur gjendet e mesmja, por në ato si të Ermelinda Meksit, deputetes së Partisë Socialiste, pra një femre në karrierë të angazhuar me kohë të plotë, bashkëshorti do t’i bëjë disa tolerime. Gjithsesi, ata të dy kanë jetuar për një kohë të gjatë vetëm, pa të qarat e zhurmat e fëmijëve nëpër këmbë. Kështu që, edhe kohën e kishin më të lehtë për ta menaxhuar. Po kur erdhi Joni në jetë? Organizimi i mëparshëm do të ndryshonte. Dhe në këto vite, Joni është rritur vetëm nga prindërit e vet, në mos me të dy, herë me njërin e herë me tjetrin. Burrë e grua përpiqeshin shumë të rregullonin oraret me njëri-tjetrin. Ka të ngjarë që babi Ladi të ketë toleruar më shumë në favor të angazhimeve jashtë shtëpisë së mami Lindës. Dhe nuk duhet të ketë qenë hera e parë (e ndoshta as e fundit). Por kjo s’ka shumë rëndësi, sidomos kur bëhet fjalë për Jonin. Asnjëri prej të dyve nuk pranoi që të merrnin një dado për të birin. As që mund ta mendonin ta ndanin këtë fëmijë me të tjerë, jashtë shtëpisë. Vladimir Meksi e ka pranuar e mbështetur popullaritetin e së shoqes. Tek e fundit, sa herë e kemi parë të shfaqet në ekran, mund të ketë qenë edhe për shkak të tij që ka qenë duke u kujdesur për të birin.

Raimonda Bulku E përkëdhelura e fatit

Për shkak të një mbiemri të njohur, bashkëshorti i deputetes së Partisë Demokratike, Raimonda Bulku, nuk ka ngelur në hije si në rastet e sipërpërmendura. Fatos Pashko, vëllai i të ndjerit Gramoz Pashko, është përmendur disa herë në media kohët e fundit për shkak të kompanisë së tij të hidrocentraleve. Apo ndoshta, emri i tij ngelet ndër mend për shkak të njohjes së mëparshme. Sidoqoftë, në krye të karrierës është padyshim e shoqja. Madje jo vetëm tani që është në politikë. Jeta e ngjeshur e një aktoreje që numëron sa e sa filma si protagoniste, ka qenë e ngjeshur në çdo kohë. Lëvizjet, xhirimet… për familjen ngelej fare pak kohë, e cila tani është reduktuar edhe më shumë. E si të mos mjaftonte vetëm karriera në ngjitje e aktores politikane, ishte e garnirur kjo edhe me një farë përtacie e komoditeti që i shijon deputetes. E mësuar qysh në fëmijëri prej së ëmës me zgjimet e vona, me përkëdheli, edhe sot, nuk mund të ketë ndryshuar.  Gazetarët që e kanë intervistuar, e dinë që Mondën nuk duhet ta lodhësh shumë. Po tek e fundit, pse jo, kur fati të përkëdhel që në mëngjes, s’ka pse të ndërrojë mendje ndaj të ngrysur.

 

ANI JAUPAJ

© Panorama.al

Te lidhura