Vështirë se ndonjëherë ndokujt nga njerëzit që kanë jetuar mbi Tokë t’i ketë shpëtuar pamja e rruzullit hënor, herë më pak i ndritshëm e herë më shumë, në lëvizje të pandalshme nëpër qiellin e natës. E ndërkaq, as tridhjetë nga dhjetëra miliarda banorët që erdhën e ikën prej kësaj bote, kanë mundur ta shohin Tokën nga aq lart sa ç’është Hëna apo orbita e saj.
Çfarë kanë menduar këta astronautë, qoftë edhe në pak çaste të shkurtra e të shpejta meditimi në mes të detyrave të ngjeshura të misionit hapësinor, kur kanë hedhur sytë drejt planetit të tyre të ndodhur në distanca të tilla? Zonja Christina Kosh, e vetmja grua dëshmitare okulare, thotë se mbi gjithçka e ka prekur errësira e thellë që mbështjell Tokën. Planeti i është dukur si një “varkë shpëtimi e varur paqësisht në Univers”. Nuk gjej të ketë më bukur se sa kjo fjali koncize për të shprehur një filozofi të tërë të raportit të Tokës me Gjithësinë, e cila qartësisht do të jetë shpalosur edhe në sytë e astronomëve të misionit Artemis II, veçanërisht gjatë natës së 6 prillit 2026, ndërsa anija hapësinore ‘Orion’ po i afrohej Hënës për të kryer fluturimin rreth saj. Ishte pika kulmore e misionit të tyre. Prej pesë ditësh, distanca që i ndante me kolegët në qendrën Houston rritej e globi tokësor zvogëlohej pa pushim, por ai kishte qenë përherë aty, në mes të sfondit të zi, pjesërisht i ndritur e pjesërisht i errët, duke pluskuar i patrazuar në heshtjen e pamatë.
Astronomët ndodhen aq larg e tërësisht të përfshirë në detyrat e veta, sa nuk mund t’i dëgjojnë as kërcënimet e luftës, as ultimatumet për shfarosje qytetërimesh, as shpërthimet e raketave mbi njerëz dhe objekte, as t’i shohin kokat bërthamore të mbushura gati për t’u hedhur. Lutjet për qetësi e dialog nuk mbërrijnë te ajo kapsulë e vogël pak metroshe dhe as tensionet që po mbajnë pezull frymën e miliarda tokësorëve të tjerë. Këto zhurma gumëzhijnë poshtë reve të bardha që vorbullojnë nëpër të kaltrën tipike të planetit që shohin nga larg.
Nuk i dëgjojnë, ndonëse ngjan sikur historia e tyre e përbashkët është nisur të rrokulliset drejt një humnere. Për ata tre burra e një grua po vjen koha që planeti i tyre të fshihet pas Hënës rreth të cilës ata do të sillen në një trajektore shumë të afërt dhe për disa minuta lidhja e tyre me kolegët do të ndërpritet. Hedhin sytë sërish drejt Tokës, gjysmë të ndriçuar nga rrezet e Diellit që ndodhet diku djathtas. Aq larg, ajo i ngjan një topi të vogël bilardoje. E kaltra delikate me fjolla resh të ndritshme po i afrohet horizontit të lakuar të Hënës. Retë vorbullojnë lehtas, tashmë jo larg kratereve të murrme që vizatojnë një pamje të thatë e monotone të satelitit. Toka po perëndon poshtë vijës së gurtë të krijuar nga sfera hënore. Bukuria po ia lë skenën të lirë egërsisë, jeta po fshihet poshtë mosgjësë apo asaj pak gjëje që universi i ka falur Hënës. Mesnata po afron, sipas orës universale.
ÇFARË EMOCIONESH TË KENË PËRJETUAR VALLË ASTRONAUTËT?
Se parajsa duhet të shkëmbejë vend me ferrin? Ajo s’mund të ndodhet më në qiell, siç predikojnë librat e shenjtë, por vetëm mbi tokën e tyre të bukur, që një miliardë rastësish ia bënë të mundur të ketë kaq larmi, të ketë ngjyra në zinë e pamatë, të ketë zëra në heshtjen e shurdhër, të ketë aroma në këtë paanësi të thatë e të zhveshur, e të ketë qenie që mund t’i shohin, t’i dëgjojnë, t’i nuhasin e t’i prekin. Përtej sipërfaqes së Hënës së rrudhosur nga kratere që kanë ngelur aty të pandryshuara prej miliarda vitesh, ata shohin globin e tyre që s’pushon së ndryshuari, ku gjithçka lëviz e transformohet, ku nga e shëmtuara mund të lindë e bukura e nga e thjeshta të lindë kompleksja. Sa i pamatë është fati që më solli të jem krijesë e atij rruzulli të vogël e të largët? Sa e brishtë është gjithçka që gëlon në atë pikë të rrethuar nga pafundësia gjigante?
A përmbyset rendi i jetës së një njeriu, kur sheh shtëpinë e tij të varet brishtazi në një hapësirë sterrë të zezë? Në sallën tokësore, kolegët po shqyrtojë fotot e sapombërritura. Njerëzit po presin, ndonëse ora universale shënon 23. Njëra foto përzgjidhet si më e bukura për të përshkruar këtë çast emocioni. Të nesërmen e 7 prillit, kjo foto merr vëmendje universale. Ka mbërritur në çastin e duhur për të sjellë një mesazh. Ka zbritur prej 400 mijë kilometrash për të thënë se Toka është një vepër unike e universit gjigant, se askush s’ka të drejtë ta shohë si top bilardoje në lojëra ambiciesh aq të vogla përballë detyrimit për ta ruajtur këtë kryevepër të natyrës. A përmbyset struktura e mendimit kur njerëzit shohin dritat dhe ngjyrat e planetit të tyre në sfondin e kratereve monotone të një bote tjetër? A mos e keqja bëhet papritur e mirë? A mos arroganca kthehet në përgjegjshmëri? Ambiciet e çmendura zvetënohen e thahen si krateret e një bote pa shpirt.
Ndoshta po. Se jo më kot të nesërmen e saj, gjakrat u qetësuan dhe tensionet ranë. Një armëpushim e duk sikur ra nga qielli. Mbase kësaj radhe vërtet ra nga qielli. A e patën ato foto efektin magjik të ndryshimit të rendit të ngjarjeve në planetin tonë? Ndoshta jo. Por gjithsesi, duke u bërë pjesë e shënuar e ndërgjegjes kolektive, ato mund të jetë shtysa për vepra të mira në planet. Nuk është hera e parë që fotot e Tokës së parë nga hapësira janë bërë historike dhe kanë frymëzuar njerëzit. Ndoshta po afron koha që hapësira të sjellë paqen mes nesh.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












