Kur “rritja ekonomike” bëhet deodorant për korrupsionin

Apr 13, 2026 | 9:00

karikatura nga HanaRAFAEL FLOQI

Në Shqipëri, prej kohësh po lind një shkollë e re mendimi ekonomik, aq origjinale sa do t’i linte pa gojë edhe Adam Smith-in, edhe Keynes-in, edhe ndonjë ministër Finance të ndonjë republike bananesh. Sipas kësaj teorie të re kombëtare, korrupsioni nuk matet me tenderë, me koncesione, me oligarkë, me monopole, me zhvatje, me dosje, me afera apo me ministra që bien një nga një nën peshën e skandaleve. Jo! Korrupsioni matet me ritmin e rritjes ekonomike. Nëse ekonomia rritet, atëherë korrupsioni s’qenka. Nëse ka 3% rritje, duhet të jemi të lumtur; nëse ka 6%, duhet t’i shpallim shenjtorë zyrtarët. Dhe nëse nesër arrijmë 8%, ndoshta do të kërkohet edhe kanonizimi i gjithë kabinetit.

Në Shqipëri nuk kemi më nevojë për institucione kundër korrupsionit. Nuk kemi nevojë për hetime, për gjyqe, për raporte ndërkombëtare, për gazetarë që gërmojnë, për qytetarë që ankohen. Jo! Kemi zbuluar një metodë shumë më të thjeshtë, më elegante dhe mbi të gjitha më ekonomike: mjafton të shohësh rritjen ekonomike. Nëse ajo është pozitive, korrupsioni është negativ. Një matematikë e re kombëtare, ku morali publikohet me përqindje.

Në këtë vend, korrupsioni nuk kapet më me prova, por me grafikë. Dhe grafiku, si çdo gjë tjetër në Shqipëri, është gjithmonë në rritje… të paktën në ekran.

Kryeministri del dhe, me një seriozitet që do ta kishte zili edhe një profesor metafizike, shpall doktrinën e re: “Po të ishte rritur korrupsioni, nuk do të rritej ekonomia”. Një fjali që tingëllon si aksiomë, por që në fakt është një barsoletë me kravatë. Sepse nëse do të ishte kështu, atëherë Shqipëria e tranzicionit – ajo e viteve ’90 me kioska, kontrabandë dhe rrëmujë – do të dilte më e ndershme se kjo Shqipëria e sotme me kulla, tenderë dhe investitorë strategjikë që zbresin si engjëj pa garë.

Pra, sipas kësaj logjike të re, sa më shumë beton, aq më pak korrupsion. Sa më shumë tenderë, aq më shumë moral. Sa më shumë koncesione, aq më shumë ndershmëri. Një formulë që do ta kishte zili edhe alkimisti më i çmendur i Mesjetës: të kthesh korrupsionin në zhvillim, thjesht duke ndryshuar fjalët.

Por problemi është se realiteti nuk është konferencë shtypi. Nuk është as ekran televiziv. Është një gjë shumë më brutale: është jeta. Dhe jeta nuk rritet me përqindje, por me mundësi. Me punë. Me drejtësi. Me ndershmëri. Me një sistem që nuk të vë traun në çdo hap.

Sepse Shqipëria sot nuk është një ekonomi, është një autostradë me shumë porta pagese. Në çdo derë, një zyrtar. Në çdo zyrtar, një rregull. Dhe në çdo rregull, një përjashtim që blihet. Nuk është më ajo historia e vjetër e “bakshishit” për të përshpejtuar punën. Sot është një sistem më i sofistikuar: puna nuk fillon fare pa bakshishin. Nuk është më lubrifikant, është karburant.

Dhe ndërkohë, në skenën e madhe të zhvillimit, ngrihen kulla që prekin qiellin, ndërtohen porte që nuk kanë anije, shpallen aeroporte që presin turistë imagjinarë. Një Disneyland ekonomik ku gjithçka duket bukur nga larg, por ku qytetari i zakonshëm nuk ka biletë hyrjeje. Sepse rritja ekonomike në Shqipëri është si një festë ku janë ftuar vetëm pak veta. Të tjerët qëndrojnë jashtë, dëgjojnë muzikën dhe shohin dritat, por nuk prekin asgjë. Dhe kur guxojnë të pyesin pse nuk janë brenda, u thuhet: “Si nuk jeni? Ja ku është rritja, shikoni statistikat!”. Statistikat janë bërë forma më e re e humorit në Shqipëri. Një humor i thatë, i ftohtë, pa buzëqeshje. Sepse ato tregojnë një realitet që nuk përputhet me jetën. Një vend që “rritet”, ndërkohë që njerëzit ikin. Një ekonomi që “lulëzon”, ndërkohë që bizneset mbyllen. Një shtet që “modernizohet”, ndërkohë që qytetari ndjehet më i pambrojtur se kurrë. Në këtë absurditet, korrupsioni ka evoluar. Nuk është më thjesht një zarf nën tavolinë. Është një arkitekturë e tërë. Një sistem që prodhon vetveten. Një mekanizëm që nuk ka nevojë për individë të këqij, sepse funksionon edhe me njerëz të zakonshëm që thjesht përshtaten. Një makineri që nuk lubrifikohet më me bakshish, por ushqehet me pushtet. Dhe këtu vjen ironia më e madhe: korrupsioni nuk e pengon gjithmonë rritjen ekonomike. Në raste të caktuara, ai e ushqen atë, por në mënyrë të shtrembër. Si një trup që rritet nga një tumor. Nga jashtë duket se po zmadhohet, por brenda po shkatërrohet. Dhe një ditë, kur të vijë momenti i së vërtetës, nuk do të ketë më rëndësi sa për qind ishte rritja. Do të ketë rëndësi sa e shëndetshme ishte ajo.

Shqipëria mund të ishte një histori tjetër. Mund të ishte një vend që rritet me meritë, me konkurrencë, me institucione. Mund të ishte një vend ku rritja ekonomike nuk përdoret si deodorant për të mbuluar korrupsionin, por si pasojë e luftës kundër tij. Por për këtë duhet diçka që nuk matet me përqindje: vullnet politik.

Dhe këtu, fejtoni pushon së qeni thjesht ironi dhe bëhet paksa tragjik. Sepse kur një shoqëri fillon të masë moralin me grafikë, ajo ka filluar të humbasë sensin e realitetit. Kur korrupsioni justifikohet me rritje ekonomike, ai nuk është më problem, është bërë politikë. Në fund, qytetari shqiptar mbetet ai spektatori i lodhur që sheh shfaqjen e radhës. I thonë se gjithçka po shkon mirë. Se ekonomia po rritet. Se vendi po zhvillohet. Se korrupsioni është vetëm një fjalë e shpifur nga armiqtë. Ai sheh përreth. Sheh çmimet. Sheh faturat. Sheh valixhen e djalit që po përgatitet të ikë. Dhe pastaj bën një pyetje që asnjë grafik nuk mund ta përgjigjet:

“Po mirë… nëse jemi kaq mirë, pse po ikim”? Sepse ndoshta, në këtë vend, rritja nuk është për të gjithë. Dhe korrupsioni nuk zhduket duke u mohuar. Ai vetëm parfumohet. Dhe sa më shumë parfumohet, aq më e rëndë bëhet era.

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura