
Nga Uvil Zajmi
Dr. Flamur Topi: “Ti u shërbeve pionierëve, vitet më bukura të jetës sime”

Mjek shumë i njohur e popullor, Flamur Topi një personazh shumëdimensional, nuk e fsheh nostalgjinë që ka për atë kamp, për 15 vite kur shërbeu me përkujdesje pionierëve, që nga e gjithë Shqipëria vinin aty. “Drejtoja Qendrën Shëndetësore, dhe mund ishim në gatishmëri natë e ditë. Kurrë të kemi pasur raste të rënda”.
Dr. Flamuri, çfarë ju kujtohet nga Kampi i Pionierëve “Qemal Stafa”, në Durrës
Kampi qendror ose nacional, “Qemal Stafa” se edhe kështu është quajtur ai i pionierëve në Plepa, fillimisht futeshe në një rrugë të mbuluar me gjelbërim, pas të cilës ndodheshe në një shesh të madh të pyllëzuar me shelgje. Kur futeshe dukje se kishte qetësi Pastaj të dilnin përpara disa ndërtesa, dhe më në fund ishe në qendrën e kampit, në sheshin ku ngrihej flamuri me bustin e “Qemal Stafës”. Në fasadën e hyrjes ishin vendosur ekspozita, me pionierë të dalluar, gazeta e murit me vjersha, shkrime dhe një tabelë e madhe me germa të mëdha: “Pushojmë dhe dëfrejmë”
Dr. Flamuri, si niste sezoni në kamp?
Që në ditët e para u ngrinin rrethet kulturore -sportive, që pionierët të ishin sa më aktivë. Kishte rrethe, të këngës, shëtitje me varka, brenda tij ishte edhe një klub, klubi i kampit quhej i pajisur me lojëra zbavitëse. Kampi ishte i rrethuar dhe askush nuk mund të futej pa leje. Pionierët përcilleshin nga familjarët, që kishin të drejtë të vinin në kamp për t’i parë. Një fëmijë nuk lejohej të shkonte dy herë në një kamp. Por, kishte nga ata që brenda një sezoni, siguronin fletë kampi, duke vajtur në dy turne, në dy kampe të ndryshme. Kur i zbulonin i largonin nga kampi.
Ngritja e flamurit, çast emocionues për pionierët?
I kujtoj edhe sot, pionierë, pioniere me shall, buri, të rreshtuar në kuadrate, dhe flamuri që ngrihej nga një pionier. Për to ishte shumë e veçantë. Javët e tyre në kamp ishin të organizuar në mënyrë të tillë që asgjë të mos i mungonte, që nga zgjimi e deri në çastin e sinjalit për gjumë. Programi i çdo dite ishte i tillë që pionieri kampist t’i kalonte orët me pushim, studim, argëtim. Mbi 1000 pionierë e pioniere nga e gjithë Shqipëria, nxënës të shkollave fillore, shtatëvjeçare e tetëvjeçare ishin aty. Nga mëngjesi, ngritja e flamurit, pastaj në plazh, dreka, pushim i detyruar, në mesditë “zemra” dhe argëtim deri në mbrëmje, kur pas darkës shkohej në fjetore. Ky ishte rituali ditor.
Ora më argëtuese, padyshim futja e pionierëve në ujë?
Ora 10:30 ishte ora e plazhit, në zonën para kampit. Me burizanin që jepte sinjalin, nën kujdesin e instruktorëve, të ndarë në kompani, ai ishte një argëtim i jashtëzakonshëm i tyre, sapo ato binin në kontakt me detin. Zhurma ishte e madhe kur dëgjoje buria dhe të gjithë me vrap drejt ujit. Dhe kjo vazhdonte për rreth dy orë. Në mesditë nuk kishte seanca plazhi, në raste të rralla.
Gjithçka në sinkron, me udhëheqës çete, instruktorë të shërbim të fëmijëve?

Kishte udhëheqës që kishin grupin me 30 pionierë nga e gjithë Shqipëria. Si dhe instruktorët të specialiteteve të ndryshme, të notit, për lojërat me dorë, qendrën e zërit, etj. Ato ishin nga qytete të ndryshme, mësues, rreth 1600 bashkë me pionierët në një turn. Kishte udhëheqës çete me 20 persona që drejtonin 20 kompani. Këta mund të qëndronin edhe një turn më shumë. Ata ishin të parët që na njoftonin, për raste shëndeti, problemet që kishin pionierët, pasi ishin shumë të lidhur dhe qëndronin në çdo çast pranë tyre.
Më folët për një drejtor të paharruar…
E keni fjalën për drejtorin Pëllumb Gjebra, drejtuesin e njohur, sa rigoroz, aq i dashur për fëmijët. Vite pa fund drejtues i atij kampi, duke rritur e përcjellë breza pa fund pionierësh. Njeri korrekt, i angazhuar, si prind, edukator, dhe organizator i jashtëzakonshëm. Nuk ishte e lehtë më besoni. I fundit flinte, i pari zgjohej. I kontrollonte fëmijët, i kujdesshëm në trajtimin e tyre. Në ballë të Kampit nga drejtor Pëllumbi ishte shkruar: “Kampi i Pushimit i Pionierëve”, pra, gjithçka ishte vetëm për ato, fëmijët, jo për udhëheqës e instruktorë. Ky ishte mesazhi i atij baneri.
Ju kujtohet kur niste periudha e kampit?
4 korrik, turi i pari. Fillimisht funksiononin katër turne, dhe 16 ditë një turn, pastaj periudha e qëndrimit u reduktua në tre turne nga 21-ditë qëndrim. I rrethuar, ku askush nuk mund të futej pa leje. Ka një kuriozitet, që lidhet me drejtor Pëllumbin, se pikërisht aty është njohur me gruan e tij, vitit 1955 ka qenë, kur ajo ishte udhëheqëse, ai drejtues.
Si organizohej, administrohej gjithë ai aktivitet masiv?

Kishte udhëheqës që kishin grupin me 30 pionierë nga e gjithë Shqipëria. Ato ishin nga qytete të ndryshme, mësues, rreth 1600 në total pionierë-udhëheqës bëheshin një turn. Kishte udhëheqës çete me 20 persona që drejtonin 20 kompani. Këta njerëz mund të qëndronin edhe një turn më shumë. Kishte fëmijë, pionierë që nuk e njihnin detin, kishin frikë, qanin, duhej kujdes i madh me to. Ishin, vinin nga zona të largëta e të thella malore.
Punë e madhe, përgjegjësi, korrektësi gjithashtu?
Drejtor Gjebrea strukturën e kishte në kokë, shkonte vetëm pak dita para se të vinin pionierët. Kampi kishte edhe drejtorin e Përgjithshëm për Çështjet Administrative, Manushaqe Boja nga Durrësi. Të gjithë punonin me vetëmohim, nga instruktorë, udhëheqë, pa harruar edhe Viktor Skanjeti, magazinierin e palodhur, kuzhiniere Xhepi, Aliu, Sadiku, kameriere Feruzja, Sadiku, përgjegjësin e lavanterisë, Fiqon. Leta dhe Mamica në qendrën e zërit dhe i përvitshmi Sula, nga Elbasani, instruktor muzike janë disa që mundem të kujtoj. Kampi funksiononte edhe ne dimër, për bashkimet profesionale, që e shfrytëzonin për punëtorët, etj.
Në mbyllje doktor Flamuri, çfarë do t’u themi lexuesve të “Panorama”-s për atë kamp të paharruar?
Më shumë se 16- vite punë, bashkë me drejtorin e paharruar Pëllumb Gjebrea, edhe ai pa aq ka besoj. Nga ai kamp, ato vite, kam shumë kujtime, madje kam shkruar edhe një libër, “Ditë verë”, i kthyer më pas në film. Gjithçka dedikuar atij kampi.
Asnjë rast problematik nuk kemi patur me pionierët në ato vite, edhe kjo është për t’u evidentuar.
© Panorama.al











