Kuçova pa ujë, banorët s’lejojnë tubacionet nëpër tokat e tyre

Apr 20, 2011 | 11:34

KUÇOVË – Pronarët e tokave janë kthyer në pengesë për rrjetin e ujësjellësit të Bogovës në qytetin e Kuçovës. Punimet kanë nisur rreth një vit më parë për të zëvendësuar tubacionet e vjetra e të amortizuara. Sipas drejtorit të Ndërmarrjes Rajonale të Ujësjellësit, Fatmir Shehu, është kryer një punë voluminoze me një gjatësi 12 kilometër për të çuar ujin e pijshëm të Bogovës në çezmat e banorëve të Kuçovës. “Ne si ndërmarrje kemi hasur një vështirësi të madhe gjatë zhvillimit të punimeve. Disa pronarë tokash, të cilëve nuk iu cenohet asgjë, madje as të mbjellat në fshatin Perondi, janë bërë një pengesë serioze për ecurinë e punimeve. Edhe pse ne kemi kërkuar nga këta persona që të kryejmë punimet, ata nuk kanë rënë dakord, por kundërshtojnë vazhdimin e tyre. Në një kohë që 50 mijë banorë të qytetit dhe rrethinat e Kuçovës presin me padurim ujin e pijshëm”, u shpreh Shehu. Banorët e Kuçovës kanë dalë në mbështetje të Ujësjellësit dhe kërkojnë që të ndërhyhet.                   d.xh

© Panorama.al

Te lidhura