NGA GËZIM TUSHI
Koha moderne në shoqërinë shqiptare, në një farë mase për shkak të së kaluarës ideologjikisht të unifikuar, tipologjikisht e vendosur në një habitat social të kalcifikuar, moralisht e të ndërtuar mbi parime të ngurta e standarde monotone, pa asnjë lidhje me dialektikën e natyrshme të zhvillimeve të jetës moderne, pa qenë fare e lidhur apo në përputhje me kohën dhe imperativat e saj, tashmë ka tri dekada e gjysmë që “lundron” në etapën e re të jetës sociale, duke tentuar me vendosmëri ndarjen e saj me të kaluarën, duke “duke qeshur dhe duke qarë”.
Një proces social, i thellë gati në përmasat e një revolucioni konceptual dhe real të ndarjes fizike dhe metafizike nga sistemi i dikurshëm i vlerave dhe antivlerave të trashëguara. Një etapë e ndërlikuar dhe jo pa pasoja kontroversale, e cila u sundua nga fryma e përgjithshme, entuziaste e mohimit gati metafizik dhe përmbysjes gati radikale të gjithçkaje. Një proces dikotomik që po zhvillohet vrullshëm në emër të mohimit të së vjetrës dhe afirmimit të së resë, modernes, bashkëkohores, në të cilin për fat të keq, pa ndonjë diferencë të madhe konceptuale, intelektuale apo performative, u shfaqën në trajtë të një anomie vlerore dhe anarkie sociale, tek njeriu i zakonshëm, por edhe tek ata që morën “rolin e prijësve” të procesit të vendosjes së demokracisë dhe demokratizimin e jetës së shoqërisë.
Në këto kushte, kemi tri dekada e gjysmë që proceset krijuese apo rikrijuese sociale, morale, por edhe politike, në vend që të ndikonin për stabilizimin e dimensioneve të shoqërisë së re, për fat të keq, situatat kanë kaluar nëpër një kalvar të pakuptueshëm dhe të pamerituar, pikërisht nga që në këtë proces transformues ka qenë i pranishëm një “depërtim tinëzar” i anës së errët, të padukshme e toksike të perceptimeve të deformuara të modernitetit, që ka luajtur rol negative në situatat që jetojmë. Në fillimet e ndryshimeve njerëzit tanë me shumë të drejtë dhe plot shpresa, u entuziazmuan nga efektet e njohura pozitive të demokracisë dhe bashkë me të edhe me ndikimet prosperuese të ekonomisë së tregut, duke frymëzuar tek njerëzit tanë shpresat e ngutshme të përmirësimit të mirëqenies, si rrugë e provuar e daljes nga varfëria proverbiale gjysmëshekullore. Këto shpresa, shpesh të nxituara e utopike, apo të konceptuara në mënyrë të sipërfaqshme e foshnjarake, u bazuan në shikimin e “motorit të dukshëm”, të demokracisë, i njohur për efektet e tij material në jetën e vendeve të perëndimit. Dhe padyshim, ai edhe pse në mënyrë kontradiktore dha rezultate ekonomike e materiale të pamohueshme.
Por nga ana tjetër, duke mos pasur ide, njohuri e përvoja për efektet e “motorit të padukshëm”, nuk i llogaritëm si duhet, me seriozitet social e përgjegjësi individuale efektet sociale e morale, të cilat janë po aq të mëdha, me kontroversalitet të dukshëm në jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare. Pasojat e të cilit po i përjetojmë për një kohë të gjatë, me intensitet të lartë. E cila e dëmtoi shoqërinë përmes besimit të sipërfaqshëm, në efektet vetëkuruese të anës sipërfaqësore ose të shkëlqimit të “pudrës së modernitetit”. Në fakt, duhet pranuar dhe sociologjikisht është e sigurt, që tani kanë ndryshuar thelbësisht të gjitha lidhjet dhe mekanizmat e jetës tradicionale politike, sociale e morale.
Bashkë me to edhe zakonet e traditat, humanizmi e solidariteti. Interferimi ndërkaq, bashkë me këto ndryshime e transformime me natyrë sociale, është i lidhur edhe me faktin, që si shoqëri jemi në valët e “revolucionit të katërt”, ndikimit të fortë e të integruar të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, që ka sjellë automatizim të shumë formave të vjetra të veprimtarisë së njeriut, duke dobësuar dukshëm elementët me natyrë sociale, shpirtërore e humane. Në këto kushte, duhet të jemi të vërtetë dhe duhet të pranojmë se në realitetin e ditëve tona, ka një dukuri që shfaqet si “sëmundje sociale” e infektuar nga mendësitë e dukjes pseudomoderne, të cilat shfaqen në jetë me një lloj verbërie sociale. Shpesh duke e çuar në një rrugë pa krye, herë duke gënjyer veten nga shfaqjet sipërfaqësore të jetës sociale, apo duke u bërë preh e iluzioneve dhe perceptimeve të deformuara të realitetit të vërtetë. Kjo është një nga arsyet e ekzistencës së zgjeruar të anomalive sociale e psikologjike, tek shumë njerëz që nuk duan të zbulojnë atë që është e vërtetë, por që fshihet bukur pas “pudrës së jetës moderne”, e cila shpesh është shkaktare dhe favorizuese e influencave negative, ideve sugjestionuese që i japin forcë thellimit të veseve sociale vanitetit, narcizizmit, përtacisë mendore, qëndrimeve pasive e pritëse, iluzioneve, sharlatanizmave sociale dhe pritshmërive të kota individuale.
Që më shumë se janë me natyrë objektive, janë pasojë e shkaktarëve themelorë me natyre subjektive që shoqërohen me dështim social. “Pudra e modernitetit” e parë në mënyrë sempliste, e vlerësuar në mënyrë të njëanshme, është kthyer në maskë justifikuese për shumë njerëz, që kanë keqkuptuar dhe keqzbatuar kompleksitetin e dinamikës kontroversale të “motorit të jetës moderne”. Nuk janë të paktë ata njerëz që jetojnë me iluzione e shpresa të kota, duke mos u thelluar në radhë të parë brenda vetes, për të kuptuar të vërtetat dhe përgjegjësitë individuale, duke neglizhuar atë të vërtetë të njohur, sipas të cilës “motori padukshëm” i jetës moderne shpesh i fsheh gjërat, duke i zbukuruar me anën e sipërfaqshme apo duke mbuluar të vërtetat e hidhura të jetës me “pudrën e dukshme”, duke harruar jo vetëm faktin se gjërat në jetën e sotme janë të vështira për t’i realizuar me përtaci apo mendjelehtësi apo akoma më keq, pa kuptuar thelbësisht kontradiktën midis thelbit, shfaqjeve sociale dhe përgjegjësisë individuale, krejt të natyrshme të jetës moderne.
Shoqëria shqiptare tashmë është në atë stad që e bën njeriun koshient për të vërtetat e saj “poetike” e “prozaike”, duke e ndërgjegjësuar për të qenë në gjendje, të dallojë atë që është esenciale, nga ajo që është substanciale në mënyrën si ndërtohen marrëdhëniet e individit me shoqërinë, atë që është sasiore e materialiste, aq shumë e lakmuar nga njeriu materialist e konsumist, nga ajo që është cilësore, e lidhur me aspektet humane e sociale të natyrës njerëzore. Nëse njerëzit tanë duan të jenë të realizuar, të suksesshëm, me “këmbë në tokë” duhet të dallojnë në mënyrë të vendosur atë që është realitet i vërtetë, imediat, i drejtpërdrejtë, nga ajo që është iluzion apo fasadë e ngjyrosur me “pudrën e modernitetit”. Jetojmë në kohë të vështira për plotësimin e dëshirave dhe përballimin e halleve sociale e individuale. Një gjë është padyshim e sigurt. Ato janë probleme jetike dhe ekzistenciale, materiale e shpirtërore që nuk izolohen apo mbulohen me dukjet e jashtme, sipërfaqet e zbukuruara me “pudrën e modernitetit”. Koha tregon se “pudra e modernitetit”, është iluzive dhe pamjaftueshme për ta ndihmuar njeriun, në përballjen e ashpër me vështirësitë organike e turbulencat kalimtare të jetës moderne.
Ajo (pudra) nuk është aq shumë e qëndrueshme, konsistente që si fasadë të mund të mbulojë problemet dhe shqetësimet ekzistenciale të shoqërisë dhe individit. Mbase nuk është mirë apo subjektivisht mund të mos jemi dakord, apo të mos na pëlqejë si tendencë sociale e shoqërisë së sotme shqiptare, por duhet të mësohemi të flasim dhe të jetojmë me të vërtetat e saj. “Pudrat” e vjetra ideologjike deformuese të së kaluarës, që denatyruan integralisht shoqërinë dhe njeriun tonë, nuk mund të zëvendësohen me “pudrën e përciptë” të jetës postmoderne, që aq shumë është e lidhur me natyrën e njeriut hedonist, narcizist, egoist dhe individualist. Është e vështirë “pudrosja” e shoqërisë, jetës sociale dhe fizionomisë së individi që ekziston dhe me të cilin bashkëpunojmë dhe bashkëjetojmë si shoqëri. Padyshim duhet vlerësuar sociologjikisht fakti që në shoqërinë e sotme shqiptare, po vjen me shpejtësi një brez postmodern, që e ndërton jetën mbi paradigmën liberale, pa korniza të ngurta deterministe ideologjike, parime filozofike e paradigma sociaologjike. Madje edhe pa qendër morale e sociale fikse.
Kjo është një nga arsyet që bën të ndihet ashpër ndikimi kontrovrsal dhe dikotomik në sjelljen e njerëzve tanë, sidomos tek të rinjtë, të cilët tashmë në jetë jo gjithnjë procedojnë mbi bazën e ideve të qëndrueshme, duke qenë nën efektet e lustrës së jetës ekzibicionale e toksike të sundimit të sipërfaqësores, që janë tipikisht iluzionet intensive që i ka sjellë me tepri “pudra e modernitetit”. Për pasojë, nën efektet toksike e paralizuese të saj, shumë njerëz sidomos të rinjtë janë të prirur dhe e ndërtojnë sjelljen e tyre mbi bazën e psikologjisë sempliste, duke u “ushqyer” nga mentaliteti se në kohën e sotme, në këtë shoqëri me natyrë moderne, tipare likuide, individualiste, të paqëndrueshme me vlera relative e parime thelbësisht subjektiviste, sipas “modës” së në kohën postmoderne “asgjë nuk qëndron për një kohë të gjatë, dhe se çdo gjë kalon shumë shpejt”.
Kjo është arsyeja pse shoqëria shqiptare shfaqet e tronditur, konceptualisht e turbulluar nga efektet e sundimit të anës së jashtme, dukjes estetike, luftës për famë, të cilat bashkë me efektet iluzioniste e marramendjet ekzistenciale që vijnë prej “pudrës së modernitetit”, kanë krijuar këtë situatë sociale të përgjithshme, kur në mënyrë dramatike shoqëria shqiptare, është përballë dallgëve të kaosit endemik relativizmit moral, paqartësive konceptuale dhe subjektivizmit vleror. Të gjitha këto faktorë, kanë sjellë pështjellime serioze dhe kakofoni në përpjekjet që bëjmë për të ndërtuar, sidomos tek të rinjtë një koncept të vërtetë për kuptimin e “jetës së mirë”, pa ambalazhe e simulakra deformuese, pa iluzionet që vijnë nga trashja paradoksale e “pudrës së modernitetit”, me të cilin shumë njerëz duan të maskojnë, por në të njëjtën kohë edhe të glorifikojnë efektet degraduese sociale, prirjet dhe anomalitë nekrofilike, kollajllëkun mendjelehtë të pajtimit dhe pranimit të së keqes në emër të jetës moderne, të konceptuar si jetë anomike e pa sistem vlerash të qëndrueshme, pa një kufi social të përbashkët, për të dalluar të mirën nga e keqja, të bukurën nga e shëmtuara, të dobishmen nga e dëmshmja.
Dominimi i mendjelehtësisë dhe sipërfaqësores, shikimi dhe sidomos mbivlerësimi i anës së jashtme dhe dukjes, pranimi, mbulimi, maskimi dhe bërja të pranueshme në jetën tonë shoqërore, të shumë antivlerave dhe sjelljeve asociale, që kanë tronditur bazat e institucioneve themelore, mbulimi dhe bërja e tyre si realitete të pranueshme, në emër të modernitetit dhe shoqërisë pa barriera morale e sociale, kanë krijuar këtë shoqëri, që nga jashtë duket e “galvanizuar”, por që po bëhet gjithnjë e më shumë e ftohtë, “metalike” dhe e boshatisur nga sensualiteti njerëzor. Është e vërtetë që jetojmë në kufijtë e zgjeruar të një shoqërie liberale, të bazuar në parimet themelore të individualizmit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, për ta ndërtuar jetën personale sipas dëshirave të veta. Kjo do të thotë se duhet të mësohemi me paradigmën e jetës moderne, se në një shoqëri të tillë liberale, strukturalisht brovniane, nuk ka “rregull të artë” të determinuar, të barabartë për të gjithë. Por nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë se në emër të postmodernes, duhet ta bëjmë shoqërinë të “rrëmujës së përgjithshme”, deformimit të kënaqësive normale e humane të njerëzve si ekzistencë njerëzore. Sepse prirjet retrograde, tendencat sociale negativiste aq shumë të përhapura e kanë “burimin” tek mungesa e vlerave, nëpërkëmbja e tyre duke e bërë shoqërinë tonë dukshëm anemike dhe sterile. Këto plagë sociale morboze në zgjerim, nuk mund të mbulohen me asnjë lloj “pudre moderne”. Sado e “grimuar” bukur që të jetë ajo!
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












