Krimet e Rënda: Arrest me burg “pasagjerit” me një kg drogë

Apr 12, 2011 | 10:52

TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda caktoi dje masën e sigurisë “arrest me burg” për një 18-vjeçar që tentoi të kalonte një kilogram marijuanë drejt Greqisë, me një autobus linje. Emanuel Hasanaj duhet të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Togat e zeza të Krimeve të Rënda caktuan ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” për akuzën e “trafikut të narkotikeve”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë. Gjithashtu, gjykata e vlerësoi si të ligjshëm arrestimin e tij në kushtet e flagrancës. Emanuel Hasani u arrestua pak ditë më parë, teksa autobusi i linjës Sarandë-Athinë, ku ai ishte udhëtar, ishte në pikëkalimin kufitar të Kakavijës. Për shkak të informacioneve policore të siguruara në rrugë operative, se në automjet kishte ngarkesë narkotike, policia e ka kontrolluar imtësisht atë. Gjatë kontrollit, poshtë sediljes ku ishte ulur 18-vjeçari, u gjet një çantë dore, brenda së cilës gjendej sasia një kilogram marijuanë. Pasi u sekuestrua lënda, policia prangosi të riun. Sipas hetimeve të deritanishme, lënda narkotike po trafikohej për t’u shitur në Greqi. Nisur nga ky fakt, për shkak të klasifikimit si trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, dosja penale i kaloi për hetim Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, e cila dje kërkoi vlerësimin e masës së sigurisë për të riun.            a.b

© Panorama.al

Te lidhura