Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij në Parlament me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë e renditi këtë datë mes datave më të rëndësishme që shënjojnë historinë e Shqipërisë dhe Kosovës.
Kurti theksoi rëndësinë e sakrificës së luftëtarëve dhe aktivistëve për krijimin e shtetit, duke e cilësuar republikën si institucion të lirisë dhe sovranitetit.
“Më 17 shkurt u arrit një shkallë tjetër e lartë në përfaqësimin tonë në Ballkan dhe Evropë. Dita e sotme është ditë përkujtimi për ata që flijuan për lirinë. Ne kujtojmë sot qëndresën paqësore të 1990, kujtojmë UCK-në. Përkulemi me nderim para dëshmorëve”, u shpreh Kurti.
Më tej ai u ndal tek procesi gjyqësor në Hagë i ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se ata po përballen me akuza të padrejta, vetëm sepse guxuan të merrnin armët për liri. Kryeministri Kurti drejtoi gishtin nga Beogradi, duke thënë se krime kundër njerëzimit ndaj popullatës shqiptare ‘ka kryer Serbia e Millosheviçit’, ndërsa theksoi se ‘kërcënim për përsëritjen e tyre është Serbia e Vuçiçit’.
Ndërsa kujtojmë datën e shpalljes së republikës, brengosemi që krerët e UCK po akuzohen padrejtësisht sepse ata guxuan të marrin armët kundër një regjimi gjenocidal. Akuzat ndaj tyre nuk qëndrojnë. Ato nuk marrin parasysh kontekstin historik dhe politik të luftës tonë çlirimtarë. Krime kundër njerëzimit ndaj popullatës shqiptare ka kryer Serbia e Millosheviçit. Kërcënim për përsëritjen e tyre është Serbia e Vuçiçit”, tha ndër të tjera, Albin Kurti, i cili theksoi se “nuk lëshojmë pe kur bëhet fjalë për sovranitet”.
“Republika nuk lëshon pe kur është çështja e sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe demokracisë popullore. Demokracia është edhe burim, edhe shprehje e sovranitetit të Kosovës, ku përveç shqiptarëve, Kushtetuta jonë njeh serbët, turqit, boshnjakët, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët. Të gjithë janë pjesë e popullit të Kosovës dhe marrin pjesë në zgjedhje demokratike”, deklaroi Kurti.
© Panorama.al











