Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka mohuar të jetë shprehur se zgjedhja e Presidentes Atifete Jahjaga duhet të përballet me Gjykatën Kushtetuese.Deklarata e “pathënë” e Pacollit u pa një ditë më parë si një “luftë” kundër Presidentes së re. Ishte deklarata e Krasniqit që çoi ish-presidentin Pacolli në Kushtetuese dhe e rrëzoi atë. Por lajmin mbi Jahjagën, ai e cilësoi si trillim. Në një njoftim për mediat, Kuvendi njoftoi se “Askush nga Kabineti i Kryetarit të Kuvendit nuk ka thënë se Jakup Krasniqi dhe lëvizja “Vetëvendosje” do të paraqesin iniciativë në Gjykatën Kushtetuese përkitazi me zgjedhjen e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Për zotin Krasniqi, zgjedhja e Presidentes është në përputhje të plotë me Kushtetutën”, thuhet në njoftim. Sipas tij, informacioni ka buruar nga shpifjet e gazetës serbe, “Pravda”. Krasniqi tha se është për të ardhur keq që gazetat e Kosovës i referohen burimeve të tilla. Ndërkohë, lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, ka fajësuar Isa Mustafën dhe LDK-në e tij për Presidenten konsensuale. Sipas tij, zgjidhja e vetme dhe më e mirë e krizës do të ishin zgjedhjet e përgjithshme në vend. “Isa Mustafa po mjaftohet me të qenit i pari i kryeqytetit, por harron rolin e tij të opozitës dhe ne nuk e njohim LDK-në e tij si opozitë”, tha Kurti. Ai shtoi se ka qenë më mirë për demokracinë dhe qytetarët e Kosovës që të shkohet në zgjedhje, sesa të gjendet një Presidente konsensuale, zgjedhja e së cilës, sipas tij, ka qenë mbi Kushtetutën. Ndërkohë, Jahjaga po zhvillon takime me ambasadorët në Kosovë. Dje ajo ka takuar ambasadorin shqiptar në Prishtinë, Islam Lauka. Ajo kërkoi ndihmë në lobimin për njohje të reja për Republikën e Kosovës dhe për anëtarësimin e saj në shumë iniciativa rajonale si dhe në institucionet ndërkombëtare. Në zyrën e Presidentes së re qëndrojnë ende mobiliet e ish-presidentit, Behgjet Pacolli, i cili qëndroi në detyrë për vetëm 35 ditë. Ish-presidenti tha se ka vendosur t’ia falë mobiliet, Presidencës. “Unë ia kam dhënë donacion atë enterier Presidencës dhe nuk kam menduar me e marrë”, tha Pacolli, në një prononcim për “Kohën Ditore”.
Kuçi në Greqi, kërkon njohjen e Kosovës
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministri i Drejtësisë në Kosovë, Hajredin Kuçi, ka vizituar dje Greqinë, ku po përfiton nga pjesëmarrja në Konferencën e Bankës Botërore dhe të Organizatës Europiane të së Drejtës Publike që po mbahet në Athinë, për të takuar zyrtarë e për të kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ai u takua dje me sekretarin shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, Janis Aleksios Zepos. Kuçi ka kërkuar në takim edhe uljen e tarifave-taksave të sigurimeve të automjeteve, për qytetaret e Kosovës që hyjnë në Greqi, mundësinë e prezencës së investitorëve grek në Kosovë si dhe bashkëpunimin në fushën akademike.
Gjashtë zv/kryeministra në një kat
Ish-presidenti Behgjet Pacolli ka nisur detyrën e re si zëvendëskryeministër i parë i Kosovës. Zyra e tij është në katin e tretë të ndërtesës së qeverisë ku qëndrojnë zëvendëskryeministrat. Por ambienti është tepër i ngushtë për gjashtë zëvendëskryeministra. E gjithë hapësira më parë ka qenë përdorur vetëm nga zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi dhe ish-zëvendësshefi i qeverisë, Ramë Manaj. Përveç Kuçit, aty kanë zyrë edhe Mimoza Kusari–Lila, Bujar Bukoshi, Edita Tahiri e Sllobodan Petroviç. Tashmë edhe Pacolli. Të gjithë këta kanë këshilltarë, asistentë e truproja.
© Panorama.al











