“Krahasimi i protestuesve me falangat e Hitlerit, akt i rëndë” – Berisha: Luftë hibride nga Greqia? Idiotësi! Rama tentoi të fuste në kurth vajzën dhe dhëndrin e Trump

Jun 6, 2026 | 12:23

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se krahasimi që kryeministri Edi Rama iu bëri protestuesve që janë ngritur kundër tij me Adolf Hitlerin është një akt i rëndë.

sali berisha

Në bashkëbisedimin që po mban me ndjekësit, kryedemokrati tha se kryeministri është tashmë i “damkosur” si kurrë më parë para shqiptarëve dhe botës.

Të krahasosh sloganin e Mithat Frashërit ‘Shqipëria, shqiptarëve’, me sloganin e Adolf Hitlerit se ky vend është vetëm i juaji, me të cilin ai organizoi Holokaustin, krimin e njerëzimit më të shëmtuar të kohërave, do të thotë të jesh i çmendur, do të thotë të kesh humbur çdo sens nga realiteti yt. Edi Rama është tashmë i damkosur si kurrë më parë para shqiptarëve dhe botës.”, tha Berisha.

Ai po ashtu e cilësoi si “çmenduri” tentativën sipas tij të kryeministrit se protesta për Zvërnecin është nxitur nga një luftë hibride nga ana e Greqisë për të dëmtuar investimin që do të bëjë Jared Kushner.

“Deklaron në mediat më të mëdha të botës me paturpësinë më të madhe se jemi në një luftë hibride duke aluduar kështu se Greqia apo ndonjë vend tjetër po bën gjithçka për të bllokuar investimet dhe turizmin, një idiotësi e pashoqe.

Greqia, e cila ka mbi 3 mijë kilometra brigje, dhe ka brigjet më të bukura dhe ujërat të përshtatshme, paska problem të madh se në Shqipëri u investokan 2 apo 3 miliardë euro.Është pikërisht psikologjia e trashëguar e atit të tij shpirtëror, Enver Hoxhës, për armikun e brendshëm dhe të jashtëm”, shtoi ai.

Sipas tij, kryeministri tentoi që të fuste në kurth vajzën dhe dhëndrin e presidentit të SHBA, Donald Trump për shkak se zona e Zvërnecit ku është parashikuar investimi, ka shumë probleme me pronat.

“Duhet të deklaroj këtu se këto ditë nxorën në pah një kurth të madh që Edi Rama kishte organizuar për investitorët, dhe konkretisht e them me bindje të plotë, për vajzën dhe dhëndrin e presidentit të SHBA. Më lejoni të dashur qytetarë ta zbërthej pak këtë moment. Së pari, çfarë del këto ditë? Del se aty ka probleme madhore pronësie.

Fermeri, dje në Zvërnec ia plasi në fytyrë, i tha pyete pak Ardit Bidon se e kujt është toka. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se në dokumentet arkivore, ai zotëri kishte gjetur tokën e baballarëve të tij që po e rrëmben Edi Rama. Dhe pastaj i kthehej dhe i thoshte mos më fol për gjykatën se më prish me Evropën.

Po kur shave gjykatën me regjistër dhe prokurorinë për Lubi Ballukun, për Lindat e tua, për Ergys Agasin, nuk u prishe me Evropën, kurse për pronën e tjetrit që po ia grabit, u prishke me Evropën. Demagog i pacipë. Çfarë zbuloi dje takimi në Zvërnec?

Zbuloi se Zvërneci po hetohej prej një viti nga ai organ që ka dy vepra penale në hetim, korrupsionin e lartë dhe krimin e organizuar. Pra, në një dosje ku prokuroria shqiptare kishte nisur hetimet për krim të organizuar ose korrupsion në nivelet më të larta, zotëria e tij jepte lejen e zhvillimit për kompaninë duke shpresuar se autoriteti i zotit Kushner dhe vajzës do të mjaftonin për të mbyllur çdo dosje. A nuk është ky një kurth i shëmtuar i një të paburri që bën çdo lloj akti për përlyer cilindo për përfitime të vetat?
Si mundesh ti të japësh leje zhvillimi në një zonë, e cila e di mirë se po hetohej nga prokuroria speciale për krim të organizuar dhe korrupsion?Çfarë doje të bëje ti me këtë? Pra, a nuk është ky një kurth i yti për qëllimet e tua?”, tha Berisha. 

© Panorama.al

Te lidhura