Kosova kërkon pronat nga ish Jugosllavia

Apr 25, 2011 | 18:20

PRISHTINE- Mali i Zi do të jetë ish Republika e parë jugosllave së cilës Kosova do t’i kërkojë pronat e ndërmarrjeve të saja shoqërore.

Së pari do të procedohet me Malin e Zi, pasi ky shtet është treguar më i hapuri në krahasim me vendet e tjera që ta trajtojë këtë çështje me Kosovën, deklaroi një ditë më parë Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Kjo ministri bashkë me Agjencinë Kosovare të Privatizimit kanë themeluar një Komision të përbashkët ekskluzivisht për çështjen e pronave të ndërmarrjeve kosovare në shtetin e dikurshëm. Ky komision ka identifikuar pronat e ndërmarrjeve shoqërore që gjenden në shtetet e dala nga shpërberja e Jugosllavisë.

Në bazë të një dokumenti, sicc raportojnë mediat kosovare, në ish Republikat e Jugosllavisë gjenden 172 prona të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës.

Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve kosovare janë në Serbi, ku janë gjithsej 104, pastaj në Mal të Zi 42, në Bosnjë dhe Hercegovinë 15-të, në Kroaci 6-të, në Maqedoni 4 dhe në Slloveni një.

“Ne tashmë jemi në prag të fillimit të diskutimit të kësaj çështje me Malin e Zi dhe pas këtij shteti do të vazhdojmë me shtete tjera të rajonit. Por në këtë proces do të kemi me çdo shtet veç e veç qasje të ndryshme, në mënyrë që të përcaktojmë mënyrat e kthimit të pronave”- tha zëdhënësi i MPJ-së, Artan Behrami

Ministria e Jashtme ka themeluar një komision të përbashkët me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, e cili ka për detyrë identifikimin e pronave të Republikës së Kosovës në ish-territorin e Jugosllavisë. Deri më tani kemi identifikuar shumë prona, përfshirë fabrika, dyqane, parcela toke etj.

Probleme më të theksuara, sipas zyrtarëve kosovarë, ka në Serbi dhe Mal të Zi.

Sipas Ligjit të AKP-së, po ashtu bazuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pronat e Kosovës që gjenden jashtë territorit të Kosovës janë pronë e Kosovës. Edhe me Pakon e presidentit Ahtisari është përcaktuar e drejta e Kosovës mbi këto prona. (Koha Ditore)

© Panorama.al

Te lidhura