Korrupsioni elektoral, pengesë për anëtarësimin në BE

Feb 12, 2026 | 8:30

arjan-dyrmishiARJAN DYRMISHI

Në një kohë kur Shqipëria synon të përmbushë piketat hyrëse të Grupkapitullit 1 të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) deri në fund të 2027-s dhe të arrijë anëtarësimin e plotë deri në 2030, performanca në luftën kundër korrupsionit mbetet një nga sfidat kryesore. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i “Transparency International” tregon një model shqetësues: rënie të pikëve në vitet zgjedhore (2013, 2017, 2021 dhe 2025). Këto rënie nuk janë rastësore, por pasqyrojnë paqëndrueshmëri politike, praktika elektorale të dyshimta dhe ngecje në reformat, duke rrezikuar arritjen e objektivave të BE-së. Kjo analizë, bazuar në të dhënat e Indeksit të vitit 2025 (publikuar në shkurt 2026) dhe raportet e Komisionit Evropian, thekson nevojën urgjente për reforma të thella dhe rekomandime konkrete për të shmangur vonesat në procesin e integrimit.

GRUPKAPITULLIT 1 DHE PIKETAT HYRËSE: SFIDA KRYESORE PËR SHQIPËRINË

Grupkapitulli 1 (“Fundamentals” ose Bazat) përfshin kapitujt kyç 23 (Gjykatat dhe të Drejtat Themelore) dhe 24 (Drejtësia, Liria dhe Siguria), ku lufta kundër korrupsionit është qendrore. Sipas raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë në 2025, vendi është “mesatarisht i përgatitur” në këtë fushë, me përparim në miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024–2030 dhe në ndjekjen penale të rasteve të nivelit të lartë përmes Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Megjithatë, piketat hyrëse kërkojnë përmirësime të qëndrueshme, si forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, parandalimin e korrupsionit në sektorët publikë dhe rritjen e besimit publik në institucione. Komisioni ka theksuar se asnjë kapitull negociues nuk mund të mbyllet pa përmbushjen e piketave hyrëse, duke kërkuar një Raport të Vlerësimit të Piketave Hyrëse (Interim Benchmark Assessment Report – IBAR) pozitiv për kapitujt 23 dhe 24. Shqipëria, e cila hapi të gjitha gjashtë grupkapitujt negociues brenda një viti në 2025, tani duhet të përqendrohet në zbatimin e reformave konkrete për të marrë një vlerësim pozitiv nga Komisioni deri në 2027 – një hap vendimtar për anëtarësimin në 2030. Sfida kryesore? Korrupsioni mbetet i përhapur në jetën publike dhe biznesore, siç vërehet në raportet e BE-së, dhe rëniet në Indeksin e korrupsionit gjatë zgjedhjeve e theksojnë këtë dobësi.

TRENDET HISTORIKE NË INDEKSIN E KORRUPSIONIT: STANJACION I SHOQËRUAR ME RËNIE NË VITET ZGJEDHORE

Vlerësimi për Shqipërinë në Indeksin e Korrupsionit qëndron nën mesataren globale ~42 dhe pragun e “pastërtisë” 50+ në një vlerësimin nga 0–100 pikë. Nga 33 pikë në 2012, Shqipëri arriti kulmin 42 pikë në vitin 2024 kryesisht falë SPAK-ut, por ra në 39 pikë në 2025 (me minus 3 pikë dhe minus 11 vende, në vend të 91 nga 182 vende). Kjo shënon të njëjtën tendence me rëniet në vitet zgjedhore të mëparshme: në 2013 (në 31, -2 pikë), 2017 (në 38, -1 pikë), 2021 (në 35, -1 pikë) dhe 2025 (në 39, -3 pikë). Kjo rënie në 2025, e cila është më e madhja krahasuar me rëniet në vitet e mëparshme zgjedhore tregon brishtësi të reformave: pavarësisht sukseseve të SPAK-ut në 2024, presioni elektoral në zgjedhjet e majit 2025, ku PS fitoi mandatin e katërt historik, amplifikoi perceptimet negative. Kjo rënie tregon gjithashtu për praktika më intensive elektorale si blerje votash, keqpërdorim resursesh shtetërore, polarizim të thellë, hetime SPAK-u ndaj zyrtarëve të lartë, protesta pas zgjedhjeve dhe mungesë niveli të barabartë në fushatë, siç vërehet nga raporti i OSBE/ODIHR. Në thelb kjo rënie sinjalizon se institucionet nuk rezistojnë dot ndaj abuzimeve politike, duke rrezikuar ecurinë e reformave në favor të përfitimeve elektorale.

Çfarë duket bërë për të ndërprerë këtë cikël vicioz dhe për të përmbushur piketat hyrëse të Grupkapitullit 1.

Për të shmangur ndikim të mëtejshëm negativ të korrupsionit në vitet në vijim dhe për të siguruar IBAR pozitiv deri në 2027, Shqipëria duhet të zbatojë masa konkrete, të matshme dhe me afate të qarta:

• Forcimin e financimit të fushatave dhe mbikëqyrjes elektorale.

• Mbrojtjen e pavarësisë së institucioneve antikorrupsion gjatë zgjedhjeve.

• Parandalimin e korrupsionit në prokurime dhe administratë publike.

• Rritje të bashkëpunimit ndërpartiak dhe rolit të shoqërisë civile në procesin e reformave.

• Monitorim dhe raportim transparent drejt BE-së.

Ndikimi në Piketat Hyrëse të Grupkapitullit 1 dhe objektivat e 2030-s

Rëniet në Indeks, sidomos rënia në vitin 2025, rrezikojnë IBAR-in dhe mbylljen e kapitujve negociues. Komisioni kërkon progres të qëndrueshëm, jo luhatje elektorale. Pa këto masa, objektivi 2030 mund të shtyhet, duke humbur mundësi ekonomike dhe duke dobësuar besimin publik.

NGA CIKLI VICIOZ, DREJT PROGRESIT TË QËNDRUESHËM

Shqipëria gjendet në pozita të favorshme në procesin e anëtarësimit me hapjen e grupkapitujve në 2025, por rënia në indeksin e korrupsionit këtë vit zgjedhor tregon nevojën për veprim të menjëhershëm. Duke zbatuar rekomandimet konkrete, qeveria, opozita dhe shoqëria civile mund të krijojnë një sistem më rezistent ndaj korrupsionit elektoral, duke siguruar progres të vërtetë drejt BE-së. Koha për ndryshime duhet të fillojë sa më shpejt në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të mos na kthejnë pas sërish.

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura