Korçë, sulmohet natën me gurë makina e deputetit Ben Blushi

Apr 22, 2011 | 10:14

KORÇE – Dëmtohet gjatë natës me gurë makina e deputetit të PS-së, Ben Blushi. Ngjarja ndodhi disa orë pasi Blushi mori pjesë në një takim të kryebashkiakut aktual dhe kandidatit të PS-së për këtë post, Niko Peleshi, i cili, mbrëmjen e së mërkurës prezantoi programin e tij elektoral. Blushi, si deputet i Korçës, ishte i pranishëm pak ditë më parë edhe në çeljen e fushatës elektorale, ku pas shumë kohësh u shfaq në krah të kreut të PS-së, Edi Rama, duke shtrënguar edhe dorën me të. Ndërsa në praninë e dytë të tij në Korçë ndodhi incidenti me mjetin e tij “Ëolksvagen”, me targë TR 0611 L. Makina ndodhej afër Drejtorisë së Policisë. Deputeti ishte akomoduar në një hotel, ndërsa pak metra larg vendrojës së policit të shërbimit ai kishte parkuar mjetin. Gjithçka është konstatuar mëngjesin e së enjtes. Deputeti kreu denoncimin, por shmangu deklaratat në lidhje me ngjarjen. Policia nisi hetimet, ndërsa nëpërmjet zëdhënëses së saj, bëri të ditur se “persona të paidentifikuar kanë dëmtuar në trajtën e plasaritjes xhamin e përparmë të makinës së deputetit Ben Blushi, derën e pasme të makinës dhe kofanon e saj”. Ndërkaq, policia nuk tha asnjë deklaratë paraprake nëse ky incident kishte lidhje me praninë e Blushit në Korçë për fushatë elektorale. Ngjarja solli reagimin e PS-së në Korçë. Kreu i kësaj partie, Muharrem Meko, doli në një konferencë shtypi pikërisht atje ku ishte e parkuar makina e dëmtuar, duke u shprehur se ky ishte një akt politik. Sipas tij, nuk është rastësi që kjo ngjarje ka ndodhur pas prezantimit të programit elektoral të kandidatit të PS-së Niko Peleshi, ku shprehu mbështetjen e tij edhe deputeti Blushi. “Incidenti ka prapavijë të pastër politike dhe ne kemi bërë denoncimin për këtë rast”, u shpreh kreu i PS të Korçës, Muharrem Meko. Ngjarja solli edhe reagimin e PD-së në Korçë. “Ajo që ka ndodhur me mjetin e deputetit Ben Blushi nuk ka sfond politik. Dëmtimi i mjetit të tij është një shenjë reagimi nga ana e qytetarëve, të cilët deputeti i ka harruar duke ardhur vetëm në kohë fushate”, u shpreh zëdhënësja e PD-së në Korçë, Ada Stefa. Edhe kandidati i PD-së për kryetar bashkie, Andrea Mano, është shprehur në lidhje me këtë incident, se “në asnjë moment nga ana e PD-së dhe e kandidatit të saj nuk ka pasur nxitje për konflikt”. g.a

Incidenti në Kavajë, reagon policia

Policia e Tiranës hodhi poshtë dje pretendimet e familjes së Naim Haxhiut nga Kavaja, që shprehet se për motive elektorale, një grup personash i kanë dëmtuar shtëpinë duke goditur me gurë. Sipas policisë, asnjë person i familjes Haxhiu nuk është paraqitur në Komisariatin e Kavajës për të denoncuar ngjarjen. Nga ana tjetër, forcat e policisë kanë shkuar me iniciativë, pas marrjes dijeni nga mediat lokale. Sipas policisë, dje, rreth orës 3 të mëngjesit, në banesën e prindërve të Naim Haxhiut është thyer një xham i dritares së kësaj banese. Policia e Kavajës ka kryer menjëherë këqyrjen e banesës, nga ku ka rezultuar se thyerja e xhamit të dritares së kësaj banese dyshohet se duhet të jetë bërë me drejtim nga brenda – jashtë, dhe jo siç pretendohet nga familjarët.

© Panorama.al

Te lidhura