Koplik, burri qëllon gruan me armë, tenton vetëvrasjen

Apr 18, 2011 | 13:03

Plagos gruan pas një sherri, tenton të vrasë veten. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë në familjen e çiftit Kolë dhe File Makaj, 57 dhe 55 vjeç, pas një konflikti që mendohet të ketë qenë i çastit.Sipas Policisë, kryefamiljari ka qëlluar me një plumb pistolete në kokë bashkëshorten e tij e më pas ka qëlluar edhe drejt vetes me armën e zjarrit. Mbetet mister se cilat kanë qenë shkaqet që kanë çuar në një veprim të tillë, pasi në momentin kur ka ndodhur ngjarja e rëndë në banesë, nuk ka pasur asnjë njeri tjetër. Nga informacionet e para, mësohet se çifti gjer ditën e djeshme nuk ka pasur problem. Plagosja e dyfishtë është shënuar rreth orës 19:00 në lagjen “Pikza” të qytetit të Koplikut. Sipas informacioneve paraprake nga ana e Policisë, mësohet se 57-vjeçari, pas një grindjeje me bashkëshorten e tij ka nxjerrë një pistoletë “miniblou” që ai e mbante në shtëpi pa leje dhe e ka qëlluar atë me një plumb në kokë. Kur ka parë se çfarë ka bërë, Kola ka qëlluar edhe veten duke tentuar të kryejë vetëvrasje. Meqenëse në momentin e krimit në shtëpinë e çiftit Makaj nuk ndodhej asnjë nga 2 djemtë e tij, kanë qenë fqinjët ata që kur kanë dëgjuar krismat kanë vrapuar në drejtim të banesës. Ata kanë parë brenda në kuzhinë burrë e grua të shtrirë përtokë dhe të përgjakur. Menjëherë kanë njoftuar Komisariatin e Malësisë së Madhe dhe më pas dy të lënduarit janë transportuar për në Spitalin e Shkodrës. Mjekët e Spitalit konfirmuan faktin se çifti është në gjendje tejet të rëndë. Fillimisht atyre u është bërë një grafi për të parë se ku ndodheshin plumbat. Meqenëse plumbat që kishin marrë secili nga bashkëshortët kishin vetëm plagën e hyrjes dhe nuk kishte plagë daljeje, është konstatuar se plumbat u kanë ngelur në kokë, madje burrit nuk i është përcaktuar dot vendi i plumbit. Të ndodhur para një fakti të tillë, të dy të plagosurit burrë e grua janë dërguar me urgjencë në drejtim të Spitalit Ushtarak. Ndërkohë që policia akoma e ka të vështirë për të përcaktuar se cilat kanë qenë shkaqet që kanë çuar në grindjen e çiftit Markaj që përfundoi në mënyrë tragjike. Nga pyetja e të afërmeve dhe fqinjëve të familjes Makaj nuk ka rezultuar që mes tyre të ketë pasur grindje të tilla që të mund të përfundonin në këtë mënyrë.

© Panorama.al

Te lidhura