Kaos në Napoli për biletat e Champions League
Shitja e biletave për supersfidën Bajern-Napoli është kthyer në një kaos të vërtetë. Ky proces është përfshirë nga një sherr masiv, pasi duke qenë të shumtë në numër, afro 7 mijë, është krijuar një kaos, ku policia e ka pasur të pamundur të vinte rregull dhe qetësi në biletaritë e stadiumit “San Paolo”, madje ata janë sulmuar me sende të forta. I njëjti fenomen ka ndodhur vitin e kaluar për sfidën e Ligës së Europës kundër Liverpulit. Ndeshja do të luhet mesjavën tjetër, por ethet e këtij takimi kanë nisur që gjatë kësaj jave.
Rebelim kroat te Bajern, ikin Oliç e Pranjiç
E gjithë vëmendja te Bajerni është fokusuar në merkato, ku humbës dalin kroatët Oliç dhe Pranjiç, të cilëve u skadon kontrata në fund të sezonit dhe nuk u është dhënë asnjë sinjal për rinovim. “Vërtet ndihem mirë në Mynih, por e kam thënë gjithnjë që qëndrimi në stol nuk më bën të lumtur. Më duhet të duroj dhe pak dhe nëse nuk do të kem shanse, atëherë më duhet të mendoj largimin”, nënvizoi Oliç. E njëjta gjë vlen edhe për Pranjiç. “Më duhet të pres se çfarë do ndodhë në dimër. Do përpiqem të gjej zgjidhjen e duhur”, deklaroi mesfushori Pranjiç.
Milito: S’më zuri gjumi për golin që humba
Diego Milito pas paraqitjes së dobët në ndeshjen me Atalantën, flet për mikrofonat e “Inter Channel”. Zhgënjimi për mosfinalizimin e një rasti fantastik për të shënuar golin e fitores në sfidën me Atalantën është ende shumë i madh për sulmuesin argjentinas të Interit: “Më erdhi një pasim shumë i mirë nga Maikon, por unë avancova shumë dhe me shpejtësinë që kisha e godita shumë lart topin. Për fat të keq, ishte gabimi im. Edhe pse duhet ta pranoj që nuk më ka zënë gjumi gjithë natën për atë që bëra”, ka shtuar Milito.
Ish-kampioni Boevski ndalohet me 9 kg kokainë
Nëntë kilogramët më të rëndë të jetës së tij. Galabin Boevski, fituesi i medaljes së artë në peshëngritje, në Sidnei 2000, është arrestuar në aeroportin e San Paolos, ndërsa ishte duke u ngjitur me 9 kilogramë kokainë në një avion drejt Spanjës. Ish-sportisti ka qenë i shoqëruar nga vajza e tij, e cila kishte marrë pjesë në një turne tenisi. Këtë lajm e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm bullgar. 36-vjeçari Boevski është ndaluar të hënën nga agjentët brazilianë. Kokaina është gjetur në bagazhet e tij dhe tashmë ish-kampioni olimpik rrezikon të marrë një dënim deri në 15 vite burg.











