Konfuzion me provimin e shtetit. Kandidatët e regjistruar pranë urdhrave profesionalë janë të paqartë për mënyrën si do të organizohet ky provim dhe ku do të jepet. Atyre nuk u është dhënë asnjë informacion mbi mënyrën se si do të kryejnë pagesat, ndërkohë që dhe pak javë mbeten për t’iu nënshtruar testit. “Na kanë thënë të kemi 30 mijë lekë me vete që do t’i paguajmë ditën e provimit. Do t’i japim në dorë. Jemi shumë të paqartë për mënyrën si do të veprojmë”, tha dje një prej të sapodiplomuarve në Farmaci, që duhet të japë këtë vit provimin e shtetit. Ndërkaq, Agjencia Kombëtare e Provimeve bën me dije se nuk ka vend për paqartësi. Kandidatët do të informohen me detaje në ditët në vijim me shkresa dhe rregullore të veçanta. “Në nëntor, të diplomuarit për 33 profesione do t’i nënshtrohen provimit të shtetit. Provimi do të monitorohet nga komisione të posaçme, duke zbatuar rregulla shumë të rrepta, të cilat do të shmangin çdo lloj abuzimi të mundshëm në marrjen e lejes për ushtrimin e profesionit”, sqarojnë specialistët e AKP. Sipas tyre, pritet që shumë shpejt të shpallen dhe datat, të cilat do të jenë të ndryshme nga një profesion te tjetri. Stomatologët do të jenë të parët që do t’i nënshtrohen testimit më 21 nëntor. Ky është një provim që zhvillohet për herë të parë në kompjuter, me administrator në çdo sallë. Hyrja e kandidatëve në kompjuter do të bëhet nëpërmjet identifikimit të gishtit dhe nëpërmjet fotos së fytyrës. Pra, një kandidat që do të hyjë në sallën e provimit, pas këtij kontrolli dhe identifikimit, do t’i shfaqet direkt fytyra në ekran dhe ai do të shkojë të ulet në atë kompjuter. Vlerësimi i provimit të shtetit do të jetë elektronik. Madje, për profesione të caktuara, kandidatët do të marrin përgjigjen menjëherë sapo të mbarojnë testimin. “Për pjesën e mjekësisë, të gjitha pyetjet do të jenë me alternativa, kështu që përfundimi do të dalë menjëherë nëpërmjet kompjuterit. Pra, të gjithë ata kandidatë që do të marrin provimin, do të shohin në kompjuter një shprehje ‘suksese, provimin e keni marrë’ dhe menjëherë do të marrin përgjigjet e pyetjeve dhe certifikatën e zhvillimit të provimit”, sqarojnë specialistët











