Konflikti për gjobën 500 mijë euro, detaje nga shpërthimi me tritol në Kamëz! Lokali ishte marrë me qira nga dy kunetër! Pronari në Itali u paralajmërua që…

Nov 16, 2025 | 11:34

Tre nga autorët e dyshuar që shpërthyen me tritol një lokal në Kamëz u arrestuan nga policia, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Në pranga përfunduan ish-efektivi i Operacionales Jeton Lami, Florin Domi dhe Flogert Mezhika, të tre banues në Kamëz dhe të dyshuar si pjesë e një grupi gjobëvënësish.

 

shperthim me tritol biznes kamez 1

 

Jeton Lami është ish oficeri i Operacionales i arrestuar për shpërdorim detyre pasi akuzohet se shoqëronte të shumëkërkuarin Ervis Martinajn para se ai të denoncohej si i zhdukur.

Ndërsa në kërkim, policia ka shpallur 31 vjeçarin Ervis Lami po nga Kamza dhe person me precedent të theksuar kriminal, i shpallur në kërkim në janar të këtij viti pasi iu gjet automatik me selenciator në banesë gjatë kontrolleve për kapjen e autorëve të vrasjes së Lulzim Vishës.

Nga kamerat e sigurisë vërehet teksa një prej autorëve i veshur me uniformë të ngjashme si ato të punëtorëve të pastrimit pasi vendos lëndën plasëse largohet prej andej me biçikletë.

Hetimet zbuluan se shkak i tritol vënies në lokalin në pronësi të Saimir Sina, i cili jetonte në Itali, u bë mos shlyerja e një gjobe prej 500 mijë eurosh.

Lokali i ishte dhënë me qira dy kunetërve Klodjan Muratit dhe Benard Elezit.

Në këto kushte, të arrestuarit i kishin kërkuar pronarit të lokalit që biznesin të mos ua jepte me qira kunetërve, ose në të kundërt duhet të paguante gjobën prej 500 mijë eurosh. Duke qenë se shuma e lekëve të kërkuar nuk është dhënë, atëherë katër të akuzuarit vendosën lëndën plasëse në fasadën e jashtme të biznesit, duke shkaktuar dëme materiale dhe jo të lënduar në njerëz.

Dy kunetërit kanë deklaruar se lokalin e kanë marrë me qira prej një muaji dhe nuk kanë lidhje me personat e arrestuar për gjobëvënie.

Të arrestuarit dhe i shpalluri në kërkim akuzohen për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

© Panorama.al

Te lidhura