Kompetencat, Pacolli mund të tërhiqet nga posti i ri

Apr 19, 2011 | 10:28

Behgjet Pacolli përflitet të largohet sërish edhe nga posti i ri, si zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, pasi nuk ka qartësi rreth kompetencave të tij.Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, e cila do të ishte e para për të që kur mori postin e ri, Pacolli  nuk ka qenë i pranishëm. Mediat kosovare, bazuar në burimet e tyre brenda qeverisë, shkruajnë se Pacolli mund të tërhiqet nga ky post, për shkak të përzierjes së kompetencave për politikën e jashtme ndërmjet Presidentes, atij si zv/kryeministër dhe ministrit të Punëve të Jashtme. Pas largimit nga Presidenca për shkak të zgjedhjes jokushtetuese, Pacolli e ruajti koalicionin me PDK-në e Thaçit, duke marrë edhe postin e zv/kryeministrit të parë për marrëdhënie ndërkombëtare, lobim dhe investime të huaja. Sipas Kushtetutës aktuale, Presidentja është bartëse e politikës së jashtme, Ministria e Punëve të Jashtme është hartuese dhe ekzekutuese e kësaj politike, por edhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri është e emëruar për politikën e jashtme. Thuhet se  Pacolli disa ditë më parë ka kërkuar qartësim të kompetencave të tij. Ndërsa nga koalicioni qeveritar, zyrtarët janë shprehur se kjo nuk është përzierje kompetencash, por një mundësi për krijimin e një bërthame të fortë në politikën e jashtme. Ndërkohë, Grupet Parlamentare i kanë proceduar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës kërkesën për formimin e dy komisioneve të përkohshme, të cilat do të merren me zbatimin e marrëveshjes “Thaçi-Mustafa-Pacolli”, për ndryshimet kushtetuese dhe reformat zgjedhore. Kryesia pritet ta paraqesë atë për miratim në seancën e radhës së Kuvendit. Ndryshimi i dispozitave të Kushtetutës, që ndërlidhen me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, (sipas marrëveshjes së treshes) do të kenë implikime edhe në përcaktimin e sistemit shtetëror të Kosovës. Zgjedhja e Presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli, sipas ekspertëve kosovarë, mund ta kthejë Kosovën në një Republikë me sistem Parlamentar-Presidencial, ashtu siç ka qenë në Kushtetutën e Kaçanikut të vitit 1990. Sipas të dhënave në “Koha Ditore”, me amendamentet që i ishin bërë në vitin 1991 asaj Kushtetute, ishte fuqizuar roli i Presidentit dhe Kosova ishte shndërruar në një Republike gjysmë-Presidenciale.

© Panorama.al

Te lidhura