Kombëtarja, e gjitha në mbrojtje

Oct 5, 2011 | 13:28
Kombëtarja gjatë një seance stërvitore

Nuk duhet të pësojmë gol. Kjo është ajo çka trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, projekton për ndeshjen ndaj Francës. Ditën e djeshme, për më tepër se një orë e gjysmë, kroati u ka shpjeguar lojtarëve teorinë e tij për këtë ndeshje.
Me shpresën se po e përgatit këtë sfidë në mënyrën më të mirë jo vetëm nga ana fizike, por edhe taktike, Kuzhe ka hedhur në letër një Shqipëri tejet mbrojtëse. I sigurt është fakti që ndaj “gjelave” të Lorent Blankut do të luajmë me një sulmues të vetëm, i cili në konceptin e Kuzhes ndryshon në raport me skemat që ai ka ndër mend të përdorë. Tekniku ka trajtuar dje jo vetëm skemën fillestare, që presupozon një skuadër me 5 mbrojtës, 4 mesfushorë dhe vetëm 1 sulmues, por edhe skemën me 4 mbrojtës, 5 mesfushorë dhe sërish me 1 mbrojtës. Madje, mendohet që Kuzhe mund t’i përdorë të dyja këto skema, nisur nga loja e skuadrës sonë dhe nga zëvendësimet që ai mund të bëjë gjatë ndeshjes.
Analiza – Kombëtarja dje nuk ka bërë veçse një seancë stërvitore pasdite, ndërsa paradite trajneri ka preferuar që të flasë me lojtarët e grumbulluar, duke u treguar atyre të gjitha lëvizjet dhe pozicionet që duhet të mbajnë në fushën e lojës. Nisur edhe nga mungesat e shumta, sidomos në repartin e prapavijës, ku nuk janë as Admir Teli, i pezulluar për kartonë dhe as Debatik Curri, i dëmtuar, duket se në këtë repart me hir a me pahir për këtë takim do zënë vend Franca Veliu, por edhe Agonit Sallaj. Ky i fundit mund të luajë për herë të parë si titullar në një ndeshje zyrtare të ekipit tonë përfaqësues dhe me gjasa do mbulojë krahun e djathtë të mbrojtjes, në një rreshtim me pesë mbrojtës. Ndërkaq, në po këtë repart, përveç treshes tashmë të konfirmuar Dallku, Cana dhe Vangjeli, do të luajë edhe Franc Veliu, një lojtar ky që është rritur mjaft gjatë sezonit të fundit te Flamurtari.
Skema – Nga sa mësohet nga vetë lojtarët, Kuzhe ka kërkuar nga të gjithë që të jetë të kujdesshëm dhe të mos gabojnë qoftë edhe një top të vetëm, pasi ndaj një skuadre si Franca, gabimi më i vogël mund të jetë fatal. Më tej, kroati nëpërmjet tabelës ka shpjeguar edhe një rreshtim të dytë të skuadrës, kjo në rastin kur ekipi do ketë mundur të realizojë me efikasitet lojën mbrojtëse dhe kronometri ka shënuar mbi minutën e 70-të, kur zakonisht nisin të bëhen edhe zëvendësimet. Në këtë rast, me gjasa sulmues kryesor mund të kalojë Klodian Duro dhe Salihi t’i lëshojë vendin ndonjë mbrojtësi si Sykaj ose Sallaj (varet se kush do luajë titullar) dhe dyshja Cana-veliu nga mbrojtja të spostohen në mesfushë, por që të dy me detyra mbrojtëse. Një gjë e tillë sipas Kuzhes do të bëhej pasi, në 20 minutat e fundit, nëse ndeshja nuk do ishte zhbllokuar, Franca do të ushtronte më shumë presion dhe do duhej që linja e mbrojtjes sonë të ishte më efikase, duke nisur nga mesfusha.

Andi Lila: E bëj unë Altin Lalën me Francën
Sipas Andi Lilës, është e kotë të bësh llogari me një skuadër si Franca, e cila radhitet ndër më të mirat në botë. Ndaj, Shqipëria duhet të luajë thjesht dhe të realizojë lojën e vet. “Të rrimë me këmbë në tokë: Franca është një nga skuadrat më të mira në botë. Ka qenë Kampione e Botës, Kampione e Europës, ndaj këto duhen pasur parasysh. Ashtu sikundër duhet pasur parasysh fakti se Kombëtarja ndaj skuadrave të mëdha ka bërë gjithnjë lojëra të mira, ndaj edhe këtë herë ne do bëjmë lojën tonë, thjesht dhe pa ndonjë presion, pasi në fund të fundit nuk kemi ç’të humbasim”, ka thënë Lila. Në mungesë të kapitenit Altin Lala (i pezulluar për kartonë), sipas gjasave, Lila do luajë si mesfushor shkatërrues.

Januzi: Dua minutat e mia ndaj Francës
Ahmet Januzi jep garanci se nëse do të luajë, nuk do të zhgënjejë. “Nëse do të duhet ndihma ime në këtë ndeshje, unë po ju them se jam i gatshëm të bëj më të mirën e mundshme. Jam në formë të mirë dhe nuk kam asnjë lloj presioni. Nëse trajneri do ta shikojë se i duhem në fushë, atëherë do jap maksimumin. Unë kam luajtur me Vrosklan, edhe në Ligën e Europës ndaj skuadrave të mëdha, si: Kopenhagen, Benfika apo Hanover së fundmi. Por, nuk kam ndier ndonjë emocion me tepri, që të kem frikë të luaj ndaj emrave të mëdhenj, ndaj nuk e shikoj problem as ndeshjen me Francën”, pohon Januzi. Më tej, lojtari shpjegon pozitën e tij në fushë, duke komentuar se preferon më shumë të luajë si “pykë”, paçka se për hir të skemave ka luajtur edhe si sulmues i dytë.

Ujkani: Kam pësuar gola, por jo aq sa Interi
Një Samir Ujkani që prek çdo temë, duke filluar që nga Kombëtarja e deri te Novara në kampionatin italian. “Luajmë ndaj skuadrës më të mirë në grup, në një moment kur Kombëtarja vjen nga dy rezultate negative. Thënë kjo, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shtrëngohemi dhe të bëjmë më të mirën në takimin e radhës, për më tepër që motivimi ndaj një ekipi si Franca është gjithnjë e më i madh. Të luash me Kombëtaren, nuk është njëlloj si të luash me klubet, pasi ke të bësh me lojtarë të klasit të lartë, ndaj për mua është një nder i madh që vesh fanellën e Kombëtares”, ka pohuar Ujkani. Më tej, portieri ka prekur edhe momentin e mirë që po kalon te Novara. “Kemi pasur një start të mirë, madje më mirë nga çfarë e kishim menduar”.

Leonard Karaj

© Panorama.al

Te lidhura