Gjykata Kushtetuese të ndërpresë procesin e regjistrimit të popullsisë me bazë vetëdeklarimin e kombësisë, si pjesë e procesit të nisur dy ditë më parë kundër ndërrimit të kombësisë. Kjo është kërkesa e kryetarit të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, teksa ka zhvilluar takimin elektoral në Njësinë Bashkiake Nr.3, në Tiranë. “Ne mendojmë se në thelb të këtij kontestimi kushtetues qëndron papërcaktueshmëria e plotë ligjore e konceptit të kombësisë. Pa një përcaktim të plotë të tij nëpërmjet amendimeve ligjore, s’mund të ketë proces regjistrimi të popullsisë. Regjistrimi nuk mund të bëhet thjesht dhe vetëm mbi bazën e deklarimit individual. Nuk është vetëdeklarimi individual e drejtë kushtetuese, por vetëdeklarimi i dikujt që objektivisht është pjesë e një pakice etnike”, theksoi Idrizi. Për këtë arsye, ai i kërkoi Gjykatës Kushtetuese që si masë sigurie, derisa të marrë vendimin, apo dhe si pjesë e vendimit të saj, të parashohë ndërprerjen e procesit të regjistrimit të popullsisë me bazë vetëdeklarimin e kombësisë. Sipas tij, ky proces mund të vazhdojë vetëm pasi të bëhen amendimet e duhura në ligjin për regjistrimin e popullsisë, që të parashohin “vetëdeklarimin e popullsisë të mbështetur mbi dokumente objektive që e vërtetojnë kombësinë e një individi”.











