Kolegji i jep të drejtë PS për modelin e fletës së votimit

Apr 17, 2011 | 11:07
Fleta e votimit për zgjedhjet lokale

Kolegji Zgjedhor rrëzoi dje vendimin e KQZ-së, i cili përcaktonte modelin e fletës së votimit për zgjedhjet e 8 majit.Në argumentimin e tij, Kolegji pranoi kërkesën e bërë nga Partia Socialiste, sipas së cilës, “KQZ kishte miratuar me 4 vota një akt normativ, i cili kërkon shumicë të cilësuar prej 5 votash të Komisionit”. Debati mes palëve në Kolegjin Zgjedhor, Partisë Socialiste, përfaqësuesve të KQZ-së dhe Partisë Demokratike si palë e interesuar, u zhvillua për të përcaktuar nëse vendimi i marrë nga Komisioni ishte një akt normativ që kërkon shumicë të cilësuar në votim, apo një akt i thjeshtë administrativ, ku mjaftojnë 4 vota për ta miratuar? Akti normativ i KQZ-së, që përcaktoi modelin e fletës së votimit për zgjedhjet e 8 majit, u mor kur tre anëtarët e propozuar nga opozita në KQZ ishin në bojkot me këtë institucion. Avokati i Partisë Socialiste në Kolegjin Zgjedhor, Arjan Salati, argumentoi kërkesën e bërë nga ky subjekt, se vendimi i KQZ-së me numër 282, i datës 7 prill, është marrë në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, pasi ai është votuar me shumicë të thjeshtë. “Ky akt është i pavlefshëm, sepse është një akt normativ, jo administrativ, dhe si i tillë, kërkon 5 vota. Në këtë mënyrë janë shkelur nenet 23, 24, 25 të Kodit Zgjedhor, ku sqarohen se si votohen aktet normative”, u shpreh Salati. Duke dashur të bëjë diferencimin mes aktit normativ dhe atij administrativ, Salati tha se aktet normative kanë të bëjnë me të ardhmen e një procesi, dhe jo me atë që ka ndodhur, siç rregullon akti administrativ. I pyetur nga relatorja e çështjes, Mira Qiriazi, se përse ky akt është marrë me katër vota, Salati u shpreh se “ajo është një çështje që nuk i përket atij, pasi ai ndodhet aty për të vlerësuar se votimi i aktit normativ me 4 vota është i pavlefshëm”. Në mbrojtje të vendimit të KQZ-së, përfaqësuesja e këtij institucioni, Ana Tenolli, tha se vendimmarrja e KQZ-së është e ligjshme. “Ky nuk është akt normativ, por vetëm një akt administrativ, i cili ka efekt të përkohshëm. Aktet normative kanë efekte të përhershme dhe ndryshojnë vetëm kur ndryshon ligji. Fleta e votimit nuk është e përhershme, por luan funksionin e saj vetëm për zgjedhjet e 8 majit. Fletët e votimit miratohen me akt administrativ”, u shpreh përfaqësuesja e KQZ-së në Kolegjin Zgjedhor. Pasi dëgjoi palët, trupi gjykues, i përbërë nga pesë gjyqtarë, u tërhoq për të marrë vendimin, i cili rrëzoi vendimmarrjen e KQZ-së për miratimin e modelit të fletës së votimit me 4 votat e shumicës. Ndërkaq, Kolegji shtyu për ditën e hënë, për mungesë të avokatit të PS, Eno Bushi në seancë, kërkesën për rrëzimin e vendimit të KQZ për renditjen e koalicioneve zgjedhore në fletën e votimit për këshillat bashkiakë, ku socialistët pretendojnë se duhet të jenë të parët në radhën e fletën e votimit. Kjo shtyrje ka sjellë dhe reagimin e drejtoreshës Juridike të KQZ-së, e cila e cilësoi këtë si sabotim të procesit të përgatitjes së fletëve të votimit. Sipas saj, ditët e mbetura janë të pamjaftueshme për t’u shtypur fletët e votimit nga shtypshkronja.

Ristani: Vendimi i Kolegjit bllokon procesin

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani reagoi dje pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të shtyrë kërkesën e PS për ndryshimin e fletëve të votimit. Sipas tij, shtyrja e datës së shqyrtimit të kërkesës së PS-së bllokon procesin, ndërsa shtoi se “KQZ do bëjë gjithçka që procesi të vazhdojë. Komentet e Ristanit u bënë gjatë mbledhjes së djeshme. “Kjo, në fakt, nuk është e pakoordinuar po të vësh re atë që ka ndodhur sot në Kolegjin Zgjedhor, ku për një arsye banale, për shkak se avokati ishte jashtë shtetit, u kërkua shtyrja e gjykimit. Unë e kuptoj se juve (Gjonçajt) ju ka ardhur çështja në derë dhe mund të bëni grimaca kur unë flas për gjëra kaq serioze. Në mënyrë konsekuente po përpiqet të prishet procesi. Shtyrja që ka ndodhur sot për shkak banal e vendos të gjithë procesin në një situatë shumë të vështirë. Por, sigurisht, do t’i garantoja të gjithë ata që presin që procesi të prishet, se ne do të tregojmë të gjithë vendosmërinë tonë për ta çuar procesin deri në fund”, u shpreh Ristani.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura